Gashi: Rasti i plagosjes në veri, skandal i madh i Policisë së Kosovës

Skandal të madh për Policinë e Kosovës, e ka quajtur Kreshnik Gashi nga KALLXO.com, rastin e plagosjes së një qytetari serb nga një polic në veri të vendit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se kjo çështje kërkon analizë të thellë dhe llogaridhënje strukturore.

“Policia nuk ka mundur t’i ikë përgjegjësisë, për shkak se plumbi ka mbetur në trup të njeriut edhe balistika e kish zbulu që arma ka qenë e policisë sepse ne importojmë armë dhe e kanë një mekanizëm të gjurmimit, pra pk nk kish mujt me mshef, kish mujt vetëm me u bo horë, sepse plagosja ka ndodh me armë zyrtare”, ka thënë Gashi.

Gashi gjithashtu ka thënë se krejt çka ka thënë propaganda serbe për ndodhitë në veri, ka nis mu konfirmu sipas tij me rastin e plagosjes së qytetarit nga ana e policisë.

“Duhet me pas një analizë shumë të qartë pse kemi mbërri deri te kjo situatë, çka ka qenë shtytja e policëve, a është klima e tillë ku njerëzit, polict mujnë me gjujt e mos me dhënë llogari”, ka thënë më tej ai.

Më 10 prill, katër policë janë arrestuar pasi të njëjtit dyshohen se kanë qenë të përfshirë në rastin e plagosjes së një personi në Leposaviq.

https://kallxo.com/lajm/keta-jane-policet-e-dyshuar-per-plagosjen-ne-leposaviq/

Fillimisht, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media kishte mohuar që zyrtarët policorë janë të përfshirë në plagosjen e një qytetari në Leposaviq. Disa orë më vonë, përmes një komunikate Policia kishte konfirmuar se një zyrtar policor është i dyshuar për këtë rast.