Këta janë policët e dyshuar për plagosjen në Leposaviq

Katër zyrtarë policorë janë duke u intervistuar nën dyshimet se janë të përfshirë në plagosjen që ndodhi në Leposaviq më saktësisht në vendin e quajtur si ‘Ura e Bistricës’ ngjarje që ndodhi mbrëmë në orët e vona.

KALLXO.com mëson se i dyshuari për plagosjen është polici K. Pepaj, ndërsa tre policët e tjerë që kanë mohuar plagosjen dhe nuk kishin raportuar rastin janë S. Uka, M. Muqiqi, dhe F. Maloku.

Këta policë i përkasin njësisë speciale operative të Prishtinës.

Të njëjtit janë duke u intervistuar dhe deri më tani ende nuk është marrë vendim nëse do të dërgohen në ndalim për 48 orë apo jo.

Për këtë plagosje, Polciia e Kosovës në mëngjesin e sotëm ka deklaruar se nuk është e përfshirë në rast, mirëpo pas disa orësh, përmes një komunikate njoftoi që katër policë janë suspenduar pasi që dyshen se kanë qenë të përfshirë dhe nuk e kanë raportuar rastin.

Dyshimet e para sipas Policisë së Kosovës janë se një zyrtar policor fillimisht mund të ketë shtënë me armë zjarri ndaj një qytetari.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuar për këtë incident.

“Të gjithë shtetasit duhet të kenë besim në transparencën e zyrtarëve për zbatim të ligjit dhe në sektorin e drejtësisë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndaj institucioneve për sundim të ligjit, avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multi-etnik”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

 

Katër policë po intervistohen nga IPK për dyshimet e plagosjes së një qytetari në Leposaviq