Çfarë thotë psikiatrja Vera Ora për shëndetin mendor tek kosovarët?

“Në Kosovë nuk dinë shumë rreth shëndetit mendor, mua po më pyesin çfarë është shëndeti mendor”, thotë psikiatrja Vera Ora.

Ajo një një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, tha se rreth problemeve të shëndetit mendor në Kosovë është edhe stigma.

“Jam kundër kësaj, e di pse është kjo, sepse gjeneratat më të vjetra kanë thënë që është turp me pas në familje një person me probleme mendore. Duhet me kuptu që sikur me çdo organ të trupit, duhet të merremi edhe me shëndetin mendor”, thotë ajo.

Ora shton se e brengos fakti që në Kosovë nuk ka një vetëdijësim më të madh rreth këtij problemi.

“Një vetëdijësim i thjesht, bazik se çfarë është shëndeti mendor. Unë nuk po dua me nënçmu kërkon por jam t`u fol për njerëzit që jetojnë në vende më të vogla duke e përshtatuar këtu Prishtinën. Po flasim për ata njerëz që ndoshta kanë ankthe e depresione por nuk e dijnë që i kanë”, thotë Ora.

Rreth këtij problemi ajo ka thënë gjithashtu se është shumë e dëmshme nëse dikush të thotë të heshtësh.

“Ky është abuzim emocional, edhe kur të thotë dikush të heshtësh se e kalon, duro s’ki kurrgjë. Hajt mos na bon hor. E ai person dihet që izolohet në vetvete, smund të bisedoj me kërkon andaj vjen puna që s’mund të durosh më shumë bëjnë vetëvrasje ose edhe probleme të tjera. Krejt këto lidhen se na si shohim ne shpesh themi që pat problem me punë me familje e ne në esencë nuk e dijmë që kjo vjen nga një stres i brendshëm që nuk lejohet të bisedohet”, tha Ora.

Ajo ka folur edhe rreth luftës së fundit në Kosovë dhe se sa ka ndikuar ajo në aspektin psikologjik tek të rinjtë.

“Traumat mund të barten nga gjeneratat më të vjetra tek ato më të reja”, tha Ora.