Policia në Evropën Juglindore pritet ta luftojë krimin në mungesë të mbështetjes së shëndetit mendor

Në disa vende të Evropës Juglindore, mbështetja e rregullt e mirëqenies mendore për punonjësit e policisë ose nuk ofrohet, ose konsiderohet e parëndësishme – apo edhe është e rrethuar nga stigmatizimi.

Ndërkohë që Dragani, një zyrtar policie nga Mali i Zi, po kontrollonte një lokacion krimi në kryeqytet, Podgoricë, në mars të vitit 2019, një nga të dyshuarit kreu vetëvrasje para syve të tij.

Katër vjet më vonë, Dragani (emër i sajuar) ndihet ende i përhumbur nga makthet që i ka pësuar.

“Pas raportimeve për të shtëna me armë, kontrollova një shtëpi në një periferi të Podgoricës”- kujton ai. “Së pari, pashë një trup të pajetë dhe më pas një burrë që mbante një armë. Kur i kërkova tëa ulte armën, burri qëlloi veten në kokë”.

“Isha në gjendje shoku kur erdhën kolegët e mi. Edhe sot mund ta shoh të njëjtin duke e mbajtur atë armë në dorën e tij”- shton ai.

Pas incidentit, Dragani shkoi në pushim mjekësor për gjashtë muaj dhe kaloi përmes një procesi terapie me psikologun e policisë. Më vonë, policia e zhvendosi atë në një pozitë më pak stresuese.

Dragani arriti ta merrte ndihmën që i duhej.

Megjithatë, shumë policë të tjerë në vendet e Evropës Juglindore hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale për shëndetin e tyre mendor për shkak të stigmatizimit. Edhe kur rregullat sigurojnë kontrolle të shëndetit mendor, shpesh ato nuk respektohen.

Milan Dumanoviq, nënkryetar i Sindikatës së Policëve të Ri të Serbisë, i tha BIRN se gjatë shtatë viteve të tij në shërbimin policor, ai kishte bërë vetëm një kontroll.

“Nuk ka dispozita ligjore. Kur bëhet fjalë për kontrolle, mund të ketë një në katër vjet ose një në shtatë vjet. Kam pasur vetëm një kontroll të shëndetit mendor gjatë karrierës sime”- thotë Dumanoviq.

Në Serbi, Kroaci dhe Mal të Zi, policia i nënshtrohet vlerësimeve mjekësore dhe psikologjike përpara se të bashkohen me forcën policore.

Në Maqedoninë e Veriut, policët i nënshtrohen kontrolleve vjetore pasi punësohen. Në Kosovë, kontrollet e rregullta mjekësore dhe prioriteti në spitale pritet të fillojnë pas një marrëveshjeje të kohëve të fundit – edhe pse policët ende nuk kanë sigurim jetësor aqpo shëndetësor. Në Greqi, punonjësit e policisë kryejnë teste psikoteknike të detyrueshme çdo pesë vjet.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, ligji për policinë nuk parashikon fare kontrolle mjekësore. Vendimin për t’iu nënshtruar një vlerësimi psikologjik, Bullgaria ia lë vetë punonjësve të policisë.

Shëndeti mendor i zyrtarëve policorë nuk është me prioritet

Megjithëse rregulloret në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore parashikojnë kontrolle të rregullta mjekësore, duke përfshirë shëndetin mendor, zyrtarët e policisë dhe sindikatat i thanë BIRN-it se ofrimi i shëndetit mendor ose është i pamjaftueshëm ose nuk zbatohet ashtu siç supozohet.

Edin Sarajliq, sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Policisë Kroate, thotë se Ministria e Brendshme duhet të punësojë më shumë psikoterapistë, psikiatër dhe psikologë.

Në Kroaci, policët janë të detyruar të kalojnë përmes vlerësimeve psikofizike kur pranohen në shërbim policor dhe për çdo tre vjet më pas.

Ata nuk kanë përfitime të tjera në krahasim me qytetarët e tjerë, përveç situatave stresuese, kryesisht të përdorimit të armëve të zjarrit. Policia speciale dhe ata që kryejnë detyra specifike, të tillë si pilotët apo zhytësit, i nënshtrohen kontrolleve mjekësore më të shpeshta.

Sarajliq thotë për BIRN se “stresi i lidhur me punën nuk duhet (vetëm) të lidhet me situata traumatike, sepse puna e policisë është stresuese në vetvete dhe shumë situata mund të mos konsiderohen në fillim jashtëzakonisht stresuese. Duhet të sigurohet qasje e rregullt tek profesionistët e trajnuar që do të ishin gjithmonë në dispozicion të tyre”.

Policëve “duhet t’u sigurohet trajnim standard për kujdesin për shëndetin psikofizik dhe luftimin e stresit, si dhe t’u jepet mundësia e raportimit në mënyrë anonime tek profesionistët e trajnuar për t’iu mundësuar atyre ta rregullojnë stresin e tyre”- thotë ai.

Kroacia përshkruan ekzaminime sistematike çdo tre vjet për policët deri në 50 vjeç dhe çdo dy vjet për ata mbi 50 vjeç.

Ashtu si në Kroaci, edhe në Kosovë, policët e moshës 45 deri në 65 vjeç aktualisht i nënshtrohen kontrolleve sistematike mjekësore. Megjithatë, atyre u mungon ende sigurimi automatik i shëndetit dhe jetës, pavarësisht kërkesave dhe protestave të vazhdueshme.

Më 4 nëntor, drejtori i Policisë së Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë që policia të ketë prioritet në kontrollet e rregullta dhe kontrollet tjera.

Policia e Kosovës thotë për BIRN se kontrollet e rregullta psikologjike janë përfshirë në këtë marrëveshje. “Pas çdo operacioni policor, psikologët e Policisë së Kosovës mbajnë takime në grup për mbështetje psikologjike dhe nëse identifikohen raste që kanë nevojë për ndihmë individuale, ndërmerren hapa për trajtim të mëtejshëm”- thonë nga Policia e Kosovës.

Mbështetja dhe trajtimi ofrohen edhe në rastet e lëndimit gjatë punës ose pas vdekjes së kolegut të policisë.

Megjithatë, disa policë të Kosovës i thanë BIRN në kushte anonimiteti se nuk kanë marrë asnjë ndihmë psikologjike pas operacioneve të vështira, ndryshe nga sa thotë zyrtarisht Policia.

BIRN ka kërkuar nga Policia e Kosovës informacione për takimet e fundit mbi terapitë grupore të mbajtura për policët, për t’i konfirmuar pretendimet e tij, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Në Greqi, zyrtarët e policisë kanë sigurim shëndetësor publik dhe marrin vlerësime psiko-teknike çdo pesë vjet.

Mirëpo Stratos Mavroidakos, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Gardeve Speciale të Policisë Greke në Atikë, thotë për BIRN se “është një kërkesë e vazhdueshme e federatës së policisë që policët e vijës së parë t’i nënshtrohen ekzaminimeve psikologjike dhe mjekësore të paktën dy herë në vit, në mënyrë që të njëjtit të mund t’i përballojnë detyrat e tyre pa u ndikuar tek ata që i rrethojnë”.

“Zyrtarët e policisë në shumë incidente thirren të marrin një vendim brenda një sekonde dhe pikërisht ky sekond mund ta stigmatizojë pjesën tjetër të jetës së tyre personale dhe profesionale. Nga të gjitha këto, ata kanë nevojë për ndihmë. Zyrtarët e policisë duhet të jenë të blinduar psikologjikisht dhe të gatshëm për të përballuar situata të vështira”.

Në Bullgari, më 23 maj, Gjykata e Lartë në Sofje e anuloi rregulloren që policët duhet të shpallen “të aftë psikologjikisht” për të shërbyer.

Gjykata deklaroi se një masë e mëparshme për këtë ishte miratuar pa rezultatet e pritura financiare ose mjetet e nevojshme për zbatimin e saj, si dhe pa një analizë se si qëndron masa në kontekstin e ligjit të Bashkimit Evropian.

Më 6 tetor u miratua një rregullore e re. Sipas kësaj, policët mund të testohen dhe të konsiderohen të aftë psikologjikisht nga një komision i ri. Nëse një polic konsiderohet i papërshtatshëm pas testit, ata kanë mundësinë t’i ndjekin seancat njëorëshe me një psikolog dy herë në javë. Por policët mund ta plotësojnë gjithashtu një deklaratë, duke refuzuar ta kalojnë procesin e testimit.

Ngjashëm me vendet e tjera, ka kontrolle të nivelit fillestar për shëndetin mendor dhe fizik – dhe sigurimi shëndetësor i punonjësve të policisë mbulohet nga buxheti i shtetit.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Administrata e Policisë i tha BIRN-it se “nuk ka bazë për të propozuar/miratuar rregullore si një akt zbatues për rregullimin e ekzaminimeve mjekësore” sepse ligji aktual “nuk e rregullon çështjen në fjalë”.

Sipas administratës në fjalë, një ligj i ri është në proces miratimi “i cili do ta përcaktojë qartë këtë fushë” pa dhënë ndonjë detaj specifik.

Kontrollet e shëndetit mendor kalohen lehtë

Në shumë vende, shërbimet e shëndetit mendor për policinë nuk kanë prioritet, mund të kalohen me sukses për shkak të miqësisë, ose nuk kërkohen fare për shkak të stigmatizimit.

Në Maqedoninë e Veriut, megjithëse rregullorja e policisë thotë se duhet të kryhen kontrolle të rrepta mjekësore dhe psikologjike për secilin kandidat përpara punësimit, dhe çdo vit më pas, një zyrtar i lartë nga Sindikata e Policisë i cili dëshironte të qëndronte anonim tha për BIRN se policët shpesh e kalojnë kontrolle rutinë falë shpirtbutësisë së shokëve të tyre.

“Imagjinojeni një zyrtar policie që ka probleme me shikimin, peshën ose diçka tjetër – një koleg që ka punuar në forcë për vite me radhë. Ai i njeh të gjithë në forcat e policisë dhe njeh edhe mjekët që bëjnë kontrollet”- shpjegon zyrtari.

“Nëse ky polic ka disa probleme, ndoshta duke kaluar kohë të vështira, kolegët e tij do të priren të jenë të butë ndaj tij, sepse përndryshe ai mund të degradohet ose ta humbasë punën, në rastin më të keq. E njëjta gjë vlen edhe për personelin mjekësor, i cili preferon ta mbyllë njërin sy dhe të shkruajë se gjithçka është në rregull në raportet e tyre”- shton zyrtari.

“Ne po përpiqemi ta luftojmë këtë mentalitet në forcat policore, por ky mbetet një problem”- vazhdon ai.

Kur bëhet fjalë për policët e sapopunësuar, i njëjti zyrtar tha se rregulli për kontrollet e rregullta është më i lehtë për t’u zbatuar. “Kolegët e rinj janë në formë më të mirë fizike, kështu që nuk kanë frikë nga kontrollet dhe nuk manipulojnë për një raport pozitiv”- vë në dukje ai.

Në Greqi, sipas Mavroidakos, nga Federata e Gardës Speciale, shefat e departamenteve mund të vendosin se kë ta dërgojnë për ekzaminim në poliklinikat e policisë dhe, që nga viti 2017, “është themeluar një linjë ndihmëse e cila funksionon 24 orë dhe përfshin psikiatër dhe psikologë që shërbejnë në policinë greke dhe mund të kontaktohen nga punonjësit e policisë kur kanë ndonjë problem”.

Mirëpo, Mavroidakos thotë se stigmatizimi i vazhdueshëm bën që zyrtarët e policisë shpesh ta shmangin kërkesën për ndihmë. “Ka një çështje (të stigmës) dhe zyrtarët e policisë që kanë probleme e shmangin eksternalizimin e problemeve të tyre, edhe brenda shërbimit”- thotë ai për BIRN.

Tutje, Mavroidakos shpjegon se shumë policë nuk ndihen rehat duke kërkuar ndihmë nga komandantët e tyre.

“Po arrijmë në pikën që shumë kolegë bëjnë psikoterapi dhe nuk e informojnë shërbimin, e bëjnë privatisht dhe mund të jenë edhe nën mjekim”- thotë ai.

Megjithatë, ai sheh edhe një ndryshim në mentalitet. “Në polici ka një ligj të pashkruar që nëse shohim se ka ndryshuar disponimi apo sjellja e një kolegu, menjëherë informohet komandanti dhe në këto raste vitet e fundit janë shpëtuar disa kolegë pasi komandanti i ka dërguar menjëherë për ekzaminim”. Nëse është e nevojshme, shton ai, zyrtarëve të policisë u hiqen armët dhe u caktohet detyra e tavolinës.

Në Serbi, policët e përdorin të njëjtin kujdes shëndetësor universal si të gjithë qytetarët dhe i nënshtrohen kontrolleve të detyrueshme kur fillojnë Akademinë e Policisë dhe para se të punësohen.

Pas kësaj, ka vetëm teste vjetore të aftësisë fizike, por jo teste të rregullta të shëndetit të përgjithshëm, përfshirë shëndetin mendor, qoftë pas veprimeve të rrezikshme ose pasi një punonjës policie kren vetëvrasje.

Vetëvrasjet apo incidentet e dhunshme në familje nuk janë të rralla në mesin e policëve në Serbi. Sipas Shoqatës së Policisë Profesionale, Dr Arcibald Rajs nga Novi Sadi, 141 policë në Serbi kanë kryer vetëvrasje nga viti 2000 deri në vitin 2016.

Një zyrtar policie nga Beogradi, në kushte anonimiteti, thotë për BIRN se kur kolegu i tij kreu vetëvrasje në vitin 2022, askush nuk foli me të apo me kolegët e tij për këtë.

“Askush nuk foli me ne. Askujt nuk i interesonte. Ishte sikur ai person të mos kishte ekzistuar kurrë”- thotë ai, duke shtuar se nuk iu nënshtrua asnjë seance psikologjike pas veprimeve të rrezikshme me armë.

Dumanoviq, nënkryetar i Sindikatës së Re të Policisë së Serbisë, i tha BIRN se kontrollet e shëndetit mendor duhet të jenë të detyrueshme të paktën një herë në vit.

“Situata është katastrofike. Puna e policisë është stresuese, por Ministria e Brendshme nuk mendon ta zgjidhë këtë në mënyrën e duhur sistematike. Pas veprimeve të rrezikshme, ose kur përdoren armë zjarri, një seancë e detyrueshme me punonjësit e policisë duhet të jetë e logjikshme. Është për të mirën e tyre”- thotë ai.

Sipas tij, ekziston një linjë telefonike emergjente për ndihmë psikologjike në situata stresuese – por policët duhet të kërkojnë fillimisht një seancë. “Njerëzit nuk janë të prirur ta përdorin atë vetë për shkak të stigmatizimit”- vënë dukje ai.

Kontrolle mjekësore për t’i frikësuar policët ‘e pabindur’

Dumanoviq shton gjithashtu se kontrollet e shëndetit mendor ndonjëherë abuzohen për t’i disiplinuar policët “e pabindur”.

“Në situatat kur keni policë që nuk janë të bindur ose janë viktimë e turmave, ata i keqpërdorin kontrollet e shëndetit mendor për t’i paraqitur si të paqëndrueshëm ose problematikë”- thotë Domanoviq për BIRN.

BIRN i ka dërguar pyetje Policisë së Serbisë mbi procedurat e kontrolleve, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Në Mal të Zi, Ligji për Policinë parashikon kontrolle të detyrueshme fizike dhe mendore për kandidatët që fillojnë me punë në Akademinë e Policisë dhe para se të punësohen si policë profesionistë.

I njëjti ligj parashikon kontrolle të jashtëzakonshme të punonjësve të policisë, të cilat mund të iniciohen nga menaxherët ose nga mjekët.

“Policët me çrregullime mendore dhe të sjelljes kryejnë detyra në polici me kufizime të caktuara të përcaktuara nga komisioni shëndetësor. Kjo nënkupton kryerjen e punës pa armë”- thotë ministria për BIRN. “Ne … përmirësojmë shëndetin mendor të zyrtarëve të policisë duke i mbështetur ata që përballen me rreziqe të caktuara shëndetësore”- shtoi ai.

Megjithatë, një raport i Këshillit për Kontrollin Policor të Malit të Zi nga marsi i vitit 2019 tha se zyrtarët e policisë hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale për shëndetin mendor për shkak të stigmatizimit.

Raporti vuri në dukje 123 raporte të regjistruara të zyrtarëve të policisë me çrregullime mendore dhe të sjelljes, paralajmëroi se çrregullimet e policëve shkaktoheshin shpesh nga situata stresuese në vendin e punës dhe vuri në dukje se ata policë nuk kishin ndonjë sëmundje mendore të mëparshme.

“Në këto situata, me rekomandimin e mjekut, ata i drejtohen psikologut. Por policët rrallë kërkojnë mbështetje psikologjike sepse kanë frikë nga stigmatizimi”- thuhet në raport.

Dragani – i cili përkundër stigmatizimit kërkoi mbështetje profesionale për shëndetin mendor pasi një burrë kreu vetëvrasje në prezencë të tij në punë – pohoi se “edhe policët më me përvojë mund të thyhen në situata ekstreme”.

“Nuk duhet ta mbani atë stres brenda, duhet të kërkoni ndihmë profesionale”- përfundon ai.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight

Përgatiti: Nuhi Shala