'Baba i binte tokës me kokë, kur kuptoi për vdekjen e djalit’, rrëfimi i Ramadanit për humbjen e vëllait 29-vjeçar

Valon Berisha është një tjetër viktimë i cili humbi jetën në vendin e tij të punës më 24 maj të vitit 2018.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, vëllai i tij, Ramadani ka rrëfyer tragjedinë e familjes së tij.

Valoni vdiq në një aksident në punë në moshën 30-vjeçare.

“Jeta e tij ka qenë shumë e mirë derisa filloi të punonte në ndërtimtari. Kjo lloj pune i është imponuar pasi që nuk mundi të punësohej në profesion të vet, por ndodhi çka ndodhi, më se kemi”, fillon rrëfimin vëllai i Valonit, Ramadani.

Ai thotë se ndonëse nuk ka pasur nevojë për të punuar, nuk ka dashur t’i bëhej barrë askujt.

“Ai ka dashur vet ta mbajë familjen edhe pse kemi punuar unë e baba, po e ka dashtë qat punë edhe s’ka pas qef me kanë i varun prej kërkujna. Ai filloi këtë punë nga mosha 25-vjeçare, kohë pas kohë ka punuar edhe si mësimdhënës sepse ai e kishte të përfunduar edukatën fizike, por vende të lira s’ka pas, mandej punonte herë mësues e herë në ndërtimtari”, vazhdon rrëfimi i Ramadanit.

Valoni punonte në ndërtim të lartë.

“I hiqte dërrasat, shtyllat në ndërtime të larta, i hiqte plloqat me i demolu por ka punuar edhe në armaturë. Për këto rreziqe në vendin e punës ka treguar se zakonisht s’kanë pasur mjete mbrojtëse, edhe në katin e 5-të s’kanë pasur skele, që do të thotë kanë ecur rreth objektit pa mbrojtje, senin kryesor, skelen edhe rrjetën se kanë pasur”, përshkruan Ramadani, vendin e punës ku vdiq vëllai i tij.

Thotë që rastin si ka ndodhur e dinë “pak a shumë.”

“Qysh na ka thënë policia, sepse unë me babin kemi qenë te mjeku në Shqipëri, tani e kemi marr vesh përmes vëllait tjëtër, rasti ka ndodhur në mëngjes herët 07:30, ishte duke i bërë disa demolomë rrethit të objektit në katin e parë, por pozita ka qenë shumë e keqe, duke e bërë demolimin e ka tërhek pesha e tij dhe e ka hedh në tokë dhe ka vdekur menjëherë sepse kokën e kishte të lënduar”, thotë ai

Kompania në të cilën ka ndodhur rasti i ka dhënë një banesë fëmijëve të viktimës dhe një pension.

“Gruan, çikën edhe djalin i ka lënë pas, çika në klasë të dytë djali në klasë të parë. Marrë parasysh rrezikshmërinë, nuk ia ka vlejtur ajo pagë, por ai donte të mos varej nga askush”, thotë ai.

Por si kishin reaguar kur e kishin marr lajmin për vdekjen e Valonit?

“Lajmin e kemi përjetuar shumë keq, rast ma të rëndë s’di a ka, me shku dikush në punë i gjallë e me u kthy i vdekun, në kohën më të mirë, 29-vjeçar, u kanë shumë rëndë si për ne si për gruan e tij dhe fëmijët, por mesazhi im për këta punëtorë është që t’i përdorin mjetet mbrotëse të punës dhe të kenë shumë kujdes, që me shku e mu kthy gjallë nga puna”, ka thënë Ramadani.

Ai ka treguar edhe herën e fundit që e ka parë të gjallë vëllain.

“Atë mëngjes u zgju në 6:30 me shku në punë ne shkonim për Shqipëri, edhe e kemi lut mos me shku në punë sot por hajde me ne në Shqipëri, por ai tha jo mos ta humb ditën, ne jemi nis ai për punë edhe na kanë lajmëruar për rastin qysh ka ndodh”, thotë tutje ai.

Ramadani e kishte shumë të vështirë t’ia kumtonte lajmin për vdekjen e Valonit, babait të tij.

“3 orë nuk kam guxu me i dalë babës përpara, por kam prit derisa ka ardh prej Kosove një mixhë për me i kallxu, ia kanë dhënë babait dy ineksione për me e qetsu, tani i kena kallxu. Reagimi i babait ka qenë shumë i dhimshëm, tokës me kry i ka ra, qaq që s’besonte, më thoshte mua a ka ndodh përnjëmend?”, rrëfen Ramadani.

Ndryshe në hulumtimin e BIRN-it faktohen shumë probleme e sfida për paaftësinë për të ulur numrin e aksidenteve në vendet e punës.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, 145 punëtorë kanë vdekur në vendet e tyre të punës për 9 vjet, pra nga viti 2011 deri në gjysmën e vitit 2022.

Hulumtimi tregon se në bazë të të dhënave nga Inspektorati i Punës nga viti 2016 deri në vitin 2021 janë raportuar 787 aksidente në vendin e punës, prej të cilave, 78 kanë rezultuar me pasoja fatale për punëtorët.

https://kallxo.com/uncategorized/statistika-te-luftes-ne-nente-vite-145-punetore-vdiqen-ne-vendin-e-punes/