Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Statistika të luftës, në nëntë vite 145 punëtorë vdiqën në vendin e punës

Në hulumtimin e “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe i Gjyqësorit”, realizuar nga hulumtues të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), shpërfaqet niveli i ulët të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës.

Në raport, hulumtimi i BIRN nga gjetur probleme dhe sfida në paaftësinë për të ulur numrin e aksidenteve në punë.

Si pasojë e aksidenteve në punë, nga viti 2011 e deri në gjysmën e vitit 2022 nga aksidentet në punë kanë vdekur 145 punëtorë. Të dhënat tregojnë që veprimet e institucioneve nuk kanë arritur të ndikojnë në uljen e vdekjeve pasi numri i vdekjeve është rritur vit pas viti.

Siguria në vendin e punës në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë. Ky ligj përmban rregullat dhe obligimet për parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e faktorëve të rrezikut dhe aksidenteve, informimin, konsultimit, pjesëmarrjes së balancuar në përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, trajtimit të punësuarve dhe përfaqësuesve të tyre.

Ligji ka përcaktuar në mënyrë të qartë obligimet e punëdhënësve e po ashtu edhe të punësuarve, mirëpo siguria dhe gjendja me aksidentet në vendin e punës në Kosovë vazhdon të jetë në nivel jo të knaqshëm.

Hulumtimi i BIRN tregon se në bazë të të dhënave nga Inspektorati i Punës nga viti  2016 deri në vitin 2021 janë raportuar 787 aksidente në vendin e punës, prej të cilave, 78 kanë rezultuar me pasoja fatale për punëtorët.

Sipas raportit numri i vdekjeve në vendin e punës është rritur vit pas viti nga 2016-ta deri në 2019-tën. Në vitin 2016, nëntë persona gjetën vdekjen në vendin e punës, në 2017-tën, 14 persona, në vitin 2018, 23 persona kishin vdekur në vendin e punës ndërkaq në 2019 numri i vdekjeve u zvogëlua për nëntë, pra 12 persona kishin vdekur në vendin e punës.

Ndërkaq në vitin 2020, 11 persona kanë vdekur në vendin e punës kurse në 2021-tën, nëntë persona.

Gjithashtu, edhe në gjashtë mujorin e vitit 2022 u raportuar një numër i madh i aksidenteve me fatalitet në vendin e punës. Në raportin e BIRN thuhet se që nga janari e deri në muajin korrik të 200-tës në vendin e punës kanë pësuar pasoja fatale 11 punëtorë.

Mirëpo, numri i aksidenteve në vendin e punës i cili është raportuar ndër vite, është larg numrit real të aksidenteve që ndodhin. Çdo ditë në qendrat spitalore dhe qendrat mjekësore të Kosovës paraqiten rasteve të lëndimeve, mirëpo mungesa e një mekanizmi të regjistrimit dhe raportimit të llojit të aksidentit ka bërë që jo çdo rast i lëndimit në punë të deklarohet.

Madje, KALLXO.com sot ka raportuar se një person nga Dragashi është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas policisë, burri deri sa ka qenë duke punuar në një ndërtesë, dyshohet se është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime trupore. Policia thotë se rasti është në procedurë hetimore.

Baza ligjore e cila rregullon të drejtat e punëtorëve vazhdon të mbetet sfiduese. Ligji i punës, i miratuar në dhjetor të vitit 2010, nuk ka arritur të plotësohet e të ndryshohet përkundër faktit që prej kohësh janë identifikuar zbrazëtira gjatë fazës së implementimit.

Implementimi i ligjit ka sfida të mëdha në terren. Inspektorati i punës ka kapacitetet të limituara të inspektimit, ndërsa çështjet gjyqësore të incidenteve dhe lëndimeve në punë të cilat trajtohen nga gjykatat, kërkojnë vite për t’u zgjidhur.