Foto: KALLXO.com

A ka rrezik nga mesxhidet në Kosovë?

Në emisionin “Kallxo Përnime”, në të cilin u fol për sfidat e ekstremizmit u diskutua edhe për faltoret (mesxhidet). Teologu Fitim Flugaj tha se jo të gjitha faltoret janë jashtë autoritetit të Bashkësisë Islame të Kosovë.

Ai ka shpjeguar se në Prishtinë janë dy vend-falje apo mesxhide që janë të legalizuara nga BIK-u. Për të njëjtat tha se kontrollohen nga BIK-u.

“Këto i kontrollojnë imamët të cilët janë të caktuar sipas BIK-ut dhe rregullores së Këshillit të BIK-ut, por kemi disa të tjera të cilat janë jashtë kontrollit të BIK. Tri të tjera i kemi të komunitetit tjetër që e dinë edhe shteti. BIK-u ka paraqitur kërkesë që të merren masa ndaj tyre sepse janë jashtë Kushtetutës”. – tha Flugaj.

Skender Perteshi, njohës i sigurisë nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë, ka thënë se ka pasur qasje tek lejet që BIK-u i ka refuzuar për këto mesxhide.

“Ato kanë bërë të gjitha kërkeat për t’u licencuar prej BIK-ut, të njëjtat janë refuzuar në të njëjtën kohë, dhe arsyetimi i BIK-ut ka qenë që ka vende të mjaftueshme për me u falë. Nuk është problemi që refuzohen por cila është procedura me e mbyllë, nuk mundet policia me shku me mbyllë, a duhet me bo BIK-u kërkesë me ju drejtu MPB-së e policisë me i mbyllë apo veç i lajmërojnë” – tha Perteshi.

Sipas tij, BIK-u nuk ka bërë kërkesë që t’i mbyllë këto vende por vetëm i ka njoftuar institucionet që ka të tilla të palicencuara.

Ndërsa ka shpjeguar se si funksionojnë procedurat e BIK-ut rreth këtyre faltoreve, teologu Flugaj ka thënë se BIK-u ka kërkuar që shteti të marrë masa ndaj mesxhideve.

“Predikimi i fesë është në kuadër të të drejtave të njeriut. BIK nuk është insistucion ekzekutiv që mund t’i mbyll ato, ajo vetëm thotë se nuk është legjitime e tash çdo gjë që nuk është legjitime, shteti duhet të ndërmarr masa” – thotë Flugaj.

Ndërsa Perteshi ka thënë se kur raportohen këto veprime ilegale është mirë që BIK-u t’i jap arsyet e veta se pse duhet të mbyllen ato vende.

“Për me regjistru mesxhidin nuk ka nevojë për me apliku në MPB por duhet BIK-u me licencu dhe ai është automatikisht e ligjshme, mirëpo kur bëhet kërkesa për mbyllje ose njoftimi është mirë me qenë pak më e pasuruar me tekst, me tregu që X mesxhidi në X lagjen përbën këtë rrezik për komunitetin dhe për këto arsye ne rekomandojmë të merrni masat e duhura. Zakonisht nuk ka bazë ligjore për me i mbyll por ka për suspendim” – ka shpjeguar më tej Perteshi.