Gjimnazi “Gjergj Kastrioti Skendërbeu” në Drenas

Vetëdijësimi i nxënësve të Drenasit për konsultim me psikologun e shkollës

Roli i psikologut në shkollë konsiderohet të jetë i domosdoshëm pasi ofron konsultime për të ndihmuar nxënësit, në aspektin e sjelljes dhe mësimit.

Nxënësit mund të konsultohen me psikologët për kalimin e gjendjes dhe situatave psikoemocinale, tejkalimin e frikës, ankthit, pasigurisë, motivimin për procesin e të nxënit etj., të cilat shfaqen tek ta në situata e momente të caktuara.

Sipas psikologes Florentina Ahmeti, ofrimi i këtyre shërbimeve duhet të bëhet në mënyrë të përshtatshme për nxënësit.

Ajo thotë se secili rast mund të ketë specifikat e veta dhe disa mund të jenë të ndjeshëm andaj kërkohet profesionalizëm duke respektuar gjithëmonë etikën profesionale.

“Shqetësimet janë të natyrave të ndryshme, por më të zakonshmet janë: të natyrës emocionale, ankthi, problemet familjare, sociale por kam pasur edhe raste ku nxënës të caktuar kanë kërkuar të konsultohen pasi kanë qenë të ngacmuar (bullizuar), kërcenime verbale apo fizike të cilat janë bërë pjesë e mjedisit shkollor”, tregon ajo. 

Por, vetëdijësimi i nxënësve për rolin e psikologut, ajo konsideron se është nën nivelin e duhur, pasi nevoja është shumë më e madhe sesa që kërkohen konsultime vetëm se ekziston një hezitim nga ana e nxënësve që të kërkojnë konsultime psikologjike.

Psikologia e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skendërbeu” në Drenas përmend një rast mes nxënësve të cilët fillimisht kishin pasur konflikt verbal por që kishte tendenca që të tejkalojë në sulm fizik.

Ahmeti tregon se kanë biseduar veçmas me të nxënësit e përfshirë në konflik, duke i shtyrë drejt kërkimfaljes së ndërsjelltë. 

“Mund të ndaj një rast të cilin e kam pasur kohëve të fundit me nxënës të moshës 16-vjeçare, të cilët kishin pasur fillimisht konflikt verbal mes veti për një çeshtje që kishte ndodhur në klasë, pastaj kanë pas tendenca për me kalu edhe tek sulmi fizik. Ne jemi njoftuar nga ana e njërit nga nxënësit e përfshirë në konflikt, dhe i cili ka kërkuar ndihmën tonë, kemi marrë secilin nxënës veç e veç, kemi bisedu me secilin duke përdorur teknika të ndryshme psikologjike, duke motivuar nxënësit për tejkalimin e këtij problemi duke i kërkuar falje njeri-tjetrit, ku premtuan se do të tejkalojnë këtë situatë dhe do të kishin raporte si më parë mes veti”, rrëfyer ajo. 

Në bazë të informatave që ajo ka, thotë se në Komunën e Drenasit shkollat nuk kanë psikologë por pedagogë që merren me nxënës të moshave 16 dhe 17 vjeç.  

Kosova llogaritet t’i ketë 1 mijë e 58 institucione arsimore publike. Por, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) janë vetëm 57 psikologë të punësuar në tërë shkollat e Kosovës. 

KALLXO.com në muajin maj kishte publikuar të dhëna ku tregohej se vetëm 50 pedagogë shërbejnë në institucionet shkollore. Të dhënat po ashtu flasin se në disa komuna një psikolog mbulon disa shkolla.

Autorja Arbnora Elshani është nxënëse e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skendërbeu” në Drenas.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.