Pikturë e realizuar nga Doruntina Bytyçi

Portretet e artistëve të mëdhenj nga pena e të rejës nga Malisheva

“Ke të drejtë të shprehesh lirshëm, t’i vendësësh rregullat e tua, pa kufi dhe kushtëzime dhe në fund transmetohen emocione të pazëvendësueshme”, kështu e përshkruan artin Dorutina Bytyçi, nxënëse e gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë.

E reja nga Malisheva është e pasionuar pas portreteve dhe artit abstrakt. Me penën e saj ajo zgjedh të pikturojë të famshëm të cilët kanë lënë shenjë në historinë e artit.

Edhe pse ajo ka lindur dhe po rritet në shekullin 21, Doruntina është një fanse e bandave muzikore të viteve të ‘80 dhe ‘90. Guns n’Roses, Nirvana, Pearl Jam, Aerosmith, Queen, Metalica, janë grupet e artistët të cilat ajo ka zgjedhur t’i pikturojë.

18-vjeçarja e talentuar nga Malisheva mund të konsiderohet një piktore autodidakte, e cila ka filluar të hedh ngjyrat në pëlhurë që nga fëmijëria e saj.

Pikturë e realizuar nga Doruntina Bytyçi

Përveç hapësirave të shkollës ku ajo vijon mësimin dhe Shtëpisë së Kulturës në Malishevë, Doruntina, ka zgjedhur edhe profilin e saj në instagram për t’i ekspozuar veprat e saj.

Piktura nuk është i vetmi talent i Doruntina Bytyçit. Ajo ka qenë dy herë kampione republikane në futboll. Ikonat më të mëdha të futbollit nga të cilët ajo është inspiruar, renditen në portretet e shumta të cilat e reja nga Malisheva i ka realizuar. Përveç futbollit, Doruntina Bytyçi është renditur e dyta në gara republikane në kategorinë e esesë po ashtu.

Pikturë e realizuar nga Doruntina Bytyçi

E reja me shumë talente nga Malisheva dëshiron të studiojë pikturë për të realizuar ëndërrën ambicioze të saj.

“Artisti arrin të ngjyrosë panoramën më reale të mundshme nga origjinalja, dhe maksimumi i një pikture realiste në histori do të ngjyroset nga unë”, ka përfunduar piktorja e talentuar nga Malisheva.

Autorja Doruntina Bytyçi është nxënëse e gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.