Ish zyrtari i Komunës së Prishtinës lirohet nga akuza për shkak të parashkrimit

Ish zyrtari i Komunës së Prishtinës Selman Krasniqi, i cili akuzohej për keqpërdorim detyrës zyrtare, lirohet nga akuza. Pasi pas kthimit në rigjykim vepra ndaj tij është rikualifikuar, me ç’rast ka arritur edhe parashkrimi i ndjekjes penale.

Të akuzuarit tjerë në këtë rast ishin edhe Tefik Vitija dhe Ersin Bushra, të akuzuar për ndihmë në keqpërdorim të pozitës zyrtare të cilët Gjykata i liroi nga akuza.

Selman Krasniqi, akuzohej për veprën penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar por pasi në procesin e rigjykimit, është zbuluar një provë e re, se ai është pensionuar më 13 mars 2011, vepra ndaj tij është rikualifikuar me dispozitat e Kodit të Përkohshëm Penal, konkretisht veprën penale shpërdorim i pozitës apo autorizimit, e cila vepër parashihte dënim me burgim deri në një vit.

Nga marsi i vitit 2011, kanë kaluar gati tetë vite dhe vepra ndaj Selman Krasniqit është parashkruar dhe në këtë formë, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, ka refuzuar akuzën ndaj tij.

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare,  ish-zyrtarin e Komunës së Prishtinës, Selman Krasniqi si dhe të akuzuarit Tefik Vitinë dhe Ersin Bushrën.

Me pretendimet se shkalla e parë ka gabuar me një aktgjykim të tillë, mbrojtja kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, ku në tetor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit, ka vendosur që çështjen ta kthej në rigjykim.

Në seancën e parë, pas kthimit të rastit në rigjykim, asnjëri nga të akuzuarit nuk e pranoi fajësinë.

Pjesë e kësaj aktakuze ishin edhe Nazmi Luta, Ramadan Rukovci dhe Bahtijar Sallahu, por tashmë të njëjtit janë liruar nga akuza me vendim të formës së prerë.

Tefik Vitia, akuzohej për kryerje të veprës penale mashtrim, kurse Selman Krasniqi për falsifikim të dokumenteve, vepër kjo e cila tani më është parashkruar.

Sipas aktakuzës, Selman Krasniqi dhe Bahtijar Sallahu, akuzoheshin për kohën sa ishin duke punuar në Komunën e Prishtinës në pozitën zyrtarë të gjendjes civile.

Prokuroria ngarkonte të njëjtit se kanë shfrytëzuar detyrat dhe autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit për të akuzuarin tjetër, Tefik Vitia, për të cilin prokuroria pretendon se ka bashkëpunuar me Krasniqin e Sallahun me qëllim që t’i sigurojnë dokumente zyrtare, ku këto dokumente janë plotësuar më pas sipas nevojave të klientëve dhe të njëjtit janë përdorur si origjinalë.

Ndërkaq, tre të tjerët, Nazmi Luta, Ersin Bushra dhe Ramadan Rukovci, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë shërbyer si ndërmjetësues për gjetjen e klientëve për të akuzuarin Tefik Vitia.

Para se të bëhej rikualifikimi i veprës penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës, këta të tre ngarkoheshin vetëm me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Përveç kësaj vepre penale, Bushra ngarkohej edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, për të cilën e ka pranuar fajësinë.

Tefik Vitia, akuzohej për kryerje të veprës penale mashtrim, kurse Selman Krasniqi për falsifikim të dokumenteve, vepër kjo e cila tani më është parashkruar.

Për këtë vepër, Selmani akuzohej se më 6 janar të vitit 2011 ka falsifikuar dhe përpiluar dokumentin zyrtar, Deklaratën e bashkësisë familjare në emër të të akuzuarit tjetër Ersin Bushrës, të lëshuar kinse nga Zyra e Gjendjes Civile në Bashkësinë lokale në Matiqan, të nënshkruar nga ai.

Prokuroria pretendonte se pas verifikimit të vërtetësisë së këtij dokumenti, ka dalë që ky dokument nuk është lëshuar nga zyra e lartcekur, por sipas njoftimit të Agjencionit të Regjistrimit Civil (ARC) ka rezultuar se ky dokument nuk ekziston me numër serik në Programin e Gjendjes Civile, por me këtë numër ekziston një person tjetër në komunën e Vushtrrisë, çka nënkupton se dokumenti është falsifikuar nga ana e të akuzuarit Krasniqi.

 

Ish-Ofiqari i Akuzuar: Nuk Përfitova nga Vitia, Përveç Ndonjë Mëngjesi

28 Shkurt 2019 - 09:09

Shyhrete Maliqi 28/02/2019 - 09:09
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend