Foto: Kallxo.com

I akuzuari tregon pse e hipotekoi në bankë fabrikën e privatizuar

Në seancën e sotme ne gjykimin ndaj Naser Osmanit dhe të akuzuarve të tjerë që po gjykohen ne lidhje me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë, mbrojtjen e dha i akuzuari Agim Deshishku, i cili ishte blerës i kësaj fabrike.

Deshishku akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Të akuzuar tjerë në këtë rast janë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani, ish-anëtar i bordit të AKP-së; Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi e Agim Deshishku.

Në këtë rast aktakuzën e Prokurorisë Speciale e përfaqëson prokurorja Fikrije Fejzullahu, ndërsa rasti po gjykohet nga kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti dhe dy anëtarët e tjerë Beqir Kalludra e Shadije Gërguri.

Përveç Agim Deshishkut, që është blerës i fabrikës “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Në seancë, Deshishku u pyet nga prokurorja Fejzullahu nëse mund ta shpjegojë biznesin ne baze të asaj marrëveshje qe kishte lidhur me AKP-në, dhe sa ka qenë i suksesshëm ky biznes.

Deshishku u përgjigj se biznesi ishte zhvilluar më shumë se sa e kishte paramenduar.

“Nëse folim me shifra, mundem me tregu edhe me shifra, dhe kemi raportin financiar për vitin 2006, 2007, dhe 2008”, theksoi Deshishku.

Prokurorja e pyeti të Deshishkun se si është e mundur që punëtoret e fabrikës të shprehin pakënaqësi në punë, përderisa ai deklaroi se biznesi ka qenë i suksesshëm, ndërsa i akuzuari u përgjigj se në atë fabrike “kanë kërkuar kontratë 3 vjeçare dhe ajo ka qenë në vitin 2013”.

Arianit Koci, avokat i të akuzuarit, pati vërejtje në pyetjen e prokurores. Ai tha se “në shkresat e lëndës shihet se punëtoret nuk kanë pasur vërejtje, ata kanë dashtë me kanë bashkë pjesëmarrës të fabrikës dhe me marrë fabrikën”.

Më tutje i pyetur se cila ishte arsye që ndërmarrja është hipotekuar në bankën Raiffeissen dhe a ka qene njoftuar AKP-ja, që fabrika pa e kaluar fazën e procedurës së monitorimit hipotekohet ne bankë, Deshishku tha se “ fabrikën e kam lanë hipotekë në vitin 2006 por mbasi ka kaluar faza 2 vjeçare dhe pas fazën dy vjeçare nuk kam pasur ndonjë njoftim që lirohem nga monitorimi deri në vitin 2012”.

“Si e konsideroni të përfunduar çështjen e monitorimit, sepse ju deklaroni se e hipotekuat fabrikën në bankë pa pasur një vendim konkret?”, ishte pyetja tjetër e prokurores.

“Ne bazë te marrëveshjes me AKM-në (tash AKP) pas fazës së monitorimit 2 vjeçar, kam pasur të drejtë në një afat shtesë prej 6 muajve të bëj auditimin dhe pas këtij afati un s’kam qenë i obliguar me pritë krejt jetën AKM-në, deri sa vjen te auditimi”, u përgjigj Agim Deshishku.

Prokurorja Fejzullahu më pas e pyeti se deri në cilën periudhë i ka raportuar raportuar AKP-së, ndërsa i akuzuari Deshishku u përgjigj: “Deri në vitin 2011 i kam raportuar edhe pse s’kam qenë i obliguar në bazë të marrëveshjes dhe ketë e kam bërë me interes me marrë lirimin ma shpejt për arsye se një kontratë me Agjencionin Europian e kam humbur shkaku i atij vendimi”.

Prokuroja më pas e pyeti nëse i duken gjëra kontradiktore dhe si e shpjegon faktin që pas periudhës 2 vjeçare kishte të drejtë të hipotekonte pasuri të privatizuar, duke konsideruar që i kishte kryer obligimet ndaj AKP-së, përderisa në anën tjetër kishte vazhdua të raportojë në AKP për investime tjera në vazhdimësi?

“Nëse nisna në bazë të marrëveshjes, pasi ka kaluar afati dy vjeçar asnjë vendim nuk e kam pasur kur ka qene AKM-ja. Në atë moment për mua është fazë e mbyllur, ndërsa për monitorimin është marrëveshja”, tha Agim Deshishku.

Prokurorja e pyeti të akuzuarin se si u zhvillua veprimtaria e ndërmarrjes dhe për çka edhe ishte destinuar hipotekimi i saj?

“Në vitin 2006 ka qenë diku 3 milionë e gjysmë qarkullim, ndërsa në vitin 2008 ka qenë 8 milionë e gjysmë. Do të thotë çdo vit qarkullimi ka shkuar në rritje”, u përgjigj i  akuzuari.

Gjykatësi Shashivar Hoti e pyeti te akuzuarin se “kontratën për privatizim të cilën e nënshkruat, në mes kujt dhe kush ka qenë palë në atë kontratë, dhe a keni diskutuar për çdo pikë të asaj kontrate dhe çfarë versioni ka qenë kontrata”?

“Me përfaqësuesin special në njërën anë dhe në anën tjetër kam qenë unë. E kam lexu dhe ka qenë në versionin anglisht”, u përgjigj Agim Deshishku.

Pyetja tjetër e gjykatësit ishte nëse në pikat e kësaj kontrate ai kishte njohuri që pasuria e privatizuar mes Përfaqësuesit Special nuk mund të hipotekohet pa pëlqimin e AKP-së.

“Kam njohuri që nuk vendoset në hipotekë deri sa është faza e monitorimit dhe në kontratë shkruan që nëse e vendos në hipotekë AKM-ja ka qenë e obliguar që të bëjë vërejtje lidhur me të”, tha Deshishku.

I pyetur edhe nga përfaqësuesi i AKP-së Përparim Gashi se a kishte bërë kërkesë paraprake në AKP për lejimin e investimeve brenda zonës dhe a i posedon të gjitha transaksionet e shitblerjes, Deshishku u përgjigj: “Nuk kam ba, ndërsa transaksionet për shitblerje i kam të gjitha dhe ato i kanë kontrollua auditorët”.

Në fund te seancës, e akuzuara Melita Ymeraga tha se ka një vërejtje në lidhje me përkthimin për kontratën e privatizimit në atë se cili ligj vlen në rast të kontestit: ai anglez apo kosovar.

Ajo tha se duhet të sqarohet kush e ka bërë përkthimin në gjuhën shqipe të marrëveshjes së zotimit që ndodhen në shkresat e lëndës sepse në marrëveshje të AKP-së nuk eksiton versioni shqip i kësaj marrëveshje.

Ajo i propozoi gjykatës që të bëhet një përkthim i kësaj kontrate.

Trupi gjykues, me shumicë të votave, vendosi që te aprovohet kërkesa e të akuzuarës Melita Ymeraga që të përkthehet kontrata mbi privatizimin nga versioni anglisht në gjuhën shqipe nga një përkthyes zyrtar. Gjykatësi Hoti tha se të gjitha palët në procedurë kanë pasur mospërputhje me këtë version.

https://kallxo.com/i-akuzuari-deshishku-mohon-se-vetes-i-solli-dobi-ne-vlere-5-4-milione-euro/

Seanca e radhës do të mbahet më 12 dhjetor.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.

Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani dyshohen se kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendi  në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.