Foto: Kallxo.com

Pas aktgjykimit dënues flet avokati i Agim Deshishkut, pronar i fabrikës 'FAN'

Pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtorë dhe e dënoi me një vit e tetë muaj burgim pronarin e Fabrikës “FAN”, Agim Deshishku, mbrojtësi i tij, avokati Granit Vokshi paralajmëroi apelimin e vendimit.

“Po natyrisht që mbrojtja do të paraqes ankesë sepse besojmë që gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetu që aj e ka kryer atë vepër penale për të cilën akuzohet, dhe as nuk mundemi me paramendu mbi çfarë bazash është shpallë fajtorë”, tha avokati Vokshi.

Ai shtoi se pas ankesës pret nga Gjykate e Apelit që ta lirojë Agim Deshishkun nga akuzat.

“Për neve ky vendim është i pa pranueshëm, dhe se presim që Gjykata e Apelit do ta liroj nga akuza ose do ta ktheje në rigjykim”, tha Vokshi.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohej për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

Pos tij në këtë proces gjyqësor akuzoheshin edhe Deputeti Naser Osmani, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendi.

Të gjithë këta me vendim të gjykatës u liruan nga akuzat.

Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Osmani e Shabani akuzohej edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Ndërsa Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendi akuzoheshin së cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm për vete ose blerësit e fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzoheshin se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkoheshin se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

https://kallxo.com/gjykata-vendosi-per-deputetin-naser-osmani-dhe-te-tjeret-denohet-deshishku/

.