Gjykimi i Naser Osmanit dhe të tjerëve - Foto: KALLXO.com

I akuzuari Deshishku mohon se vetes i solli dobi në vlerë 5.4 milionë euro

Në gjykimin ndaj Naser Osmanit dhe të akuzuarve të tjerë që po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë, mbrojtjen ka filluar ta japë i akuzuari Agim Deshishku, blerësi i kësaj fabrike.

Agim Deshishku akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Së bashku me Naser Osmanin të akuzuar janë edhe Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi e Agim Deshishku.

Në këtë rast aktakuzën e Prokurorisë Speciale e përfaqëson prokurorja Fikrije Fejzullahu ndërsa rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Shashivar Hoti kryetar dhe dy anëtarët e tjerë Beqir Kalludra e Shadije Gërguri.

Përveç Agim Deshishkut, që është blerës i fabrikës “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

I akuzuari Deshishku gjatë marrjes në pyetje nga i mbrojturi i tij, avokati Arianit Koci, u pyet për secilën pikë të aktakuzës veç e veç, për të cilat Prokuroria Speciale e akuzon Deshishkun se me ato veprime ka vepruar në kundërshtim me ligjin, akuza të cilat në tërësi i mohoi i akuzuari.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Koci, i akuzuari Deshishku tha se fabrika “FAN” është privatizuar me 23 mars 2006 dhe se sipas marrëveshjes së zotimeve, obligimi i tij ka qenë që në afat prej dy vitesh të investojë 2 milionë e 800 mijë euro ndërsa numri i punëtoreve në vitin e parë  është dashur të jetë 120 e në vitin e dytë 236, kritere për të cilat tha se i ka plotësuar.

Ai më tej deklaroi se me rastin e privatizimit të fabrikës “FAN”, fabrika nuk kishte qenë në gjendje shumë të mirë, prandaj ishte dashur që të  investohej në të.

I pyetur nga mbrojtësi i tij, lidhur me vlerën e investimeve të realizuara në fabrikë, i akuzuari tha se sipas raportit të kompanisë “Grant Thornton”, vlera e investimeve ka qenë 4 milionë e 553 mijë euro të cilat investime tha se i ka realizuar në periudhën dyvjeçare dhe të njëjtat i ka raportuar në AKM.

“Në aktakuzë prokuroria pretendon se vetës i keni sjellë dobi pasurore në vlerë prej 5 milionë e 400 mijë euro. A mund të na shpjegosh se si është e mundur kjo?”, e pyeti të akuzuarin, avokati Arianit Koci.

“Që katër vite e gjysmë që bisedoj me të gjithë financierët dhe askush nuk po e di se nga ka ardhur kjo shifër. Kisha pasur dëshirë prokurorja me e shpjegu. Unë po mendoj që prokuroria e ka marrë shumën 2 milionë e 800 euro investime dhe 2 milionë e 600 mijë euro kredi dhe i ka mbledhë i ka bashku dhe ka dalë shuma”, sqaroi i akuzuari.

Më tej Deshishku tregoi se ai së bashku me kompaninë Rexha sh.p.k, kishte bërë marrëveshje për ndërtimin e një depoje në hapësirat e ndërmarrjes “FAN”. Depo e cila tha se është e ndërtuar dhe ekziston fizikisht edhe sot, hapësira e të cilës është 583.93 m2.

Për këtë depo ai tha se është ndërtuar me materialin ndërtimor nga kompania Rexha sh.p.k, ndërsa punët ndërtimore i kanë kryer punëtoret e fabrikës.

Në lidhje me ndërtimin e kësaj depoje, Deshishku deklaroi se kompania “ Grant Thornton”,e kishte regjistruar si investim pasi që e kishte vërtetuar fizikisht duke e vizituar objektin.

Avokati Arianit Koci e pyeti të mbrojturin e tij edhe për arsyen se pse e kishte lënë në hipotekë ndërmarrjen “FAN”.

“Pse keni bërë hipotekimin e fabrikës “FAN”?, e pyeti të akuzuarin, avokati Koci.

“Kemi pasur nevojë për mjete qarkulluese. Për blerjen e sasive më të mëdha të lëndës së parë dhe me e rritë kapacitetin prodhues. Kur nuk ke mjete te mjaftueshme atëherë je i obliguar me marrë kredi”, u përgjigj i akuzuari.

Ndërsa për arsyen e mosmarrjes së pëlqimit të AKM-së lidhur me këtë vendim, Deshishku tha se nuk ka marrë pëlqimin e AKM-së lidhur me hipotekimin e ndërmarrjes pasi që kishte kaluar afati i monitorimit.

Në fund avokati Koci, klientin e tij e pyeti edhe lidhur me arsyet e protestave të punëtorëve.

Në lidhje me këtë i akuzuari tregoi se arsyeja e protestës së punëtoreve kishte qenë kërkesa e tyre për kontrata me kohëzgjatje tre vjeçare, për çka tha se nuk ka qenë i obliguar t’i sigurojë pasi që “nuk e ka ditë as vetë se si do të shkojë veprimtaria”.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.

Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani dyshohen se kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendi  në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.