Gjykimi i deputetit | Foto: KALLXO.com

Gjykata vendosi për deputetin Naser Osmani dhe të tjerët, dënohet Deshishku

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani së bashku me Bahri Shabanin, Shkëlzen Llukën, Naim Avdiun, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendin u liruan nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë proces gjyqësor vetëm Agim Deshishku u shpallë fajtorë. Deshishkut me vendim të gjykatës iu shqiptuan 1 vit e 8 muaj burgim.

Gjykimi për privatizimin e fabrikës “FAN” është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Sipas aktakuzës, Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkoheshin se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.4 milionë euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.

Osmani e Shabani akuzoheshin edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime Prokuroria pretendonte se Osmani e Shabani dyshohen se kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, dhe Ardian Kelmendi  në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzoheshin si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm për vete ose blerësit e fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzoheshin se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkoheshin se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohej se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohej për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces.

Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.