Gjykimi per krime lufte/FOTO KALLXO

I akuzuari për krime lufte: Nuk kam qenë në Kosovë gjatë luftës

Skender Bislmi, i cili akuzohet se ka kryer krime ndaj civilëve shqiptarë gjatë dëbimit të banoreve të Fushë Kosovës, i ka mohuar akuzat për krime lufte të cilat i vihen në barrë

Ai gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se me datën 26 mars 1999 në ditën kur pretendohet se ka ndodhur rasti, nuk ka qenë në Fushë Kosovë.

Madje ai tha se ka qenë jashtë shtetit të Kosovës, në qytetin Gorni Millanovac në Serbi.

Ai e mohoi edhe akuzën se ndonjëherë ka qenë pjesë e ndonjë force ushtarake, për faktin se deklaroi se ai nuk di shkrim e lexim dhe se asnjëherë nuk ka qenë në shkollë apo në ndonjë shërbim ushtarak.

I akuzuari Skender Bislimi, duke u përgjigjur në pyetjet të cilat i parashtroheshin nga mbrojtësi i tij avokati Miro Delloviq, tha se ai asnjëherë nuk ka bartur uniformë ushtarake dhe as nuk ka bartur ndonjë armë, pasi që tha se nuk di as se si përdoret arma.

Ai ndër të tjera deklaroi se gjatë kohës sa kishte jetuar në Fushë Kosovë asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë konflikt me shqiptarët.

I akuzuari deklaroi se tre muaj para se të fillonte lufta në Kosovë, kishte shkuar në Serbi në qytetin Gorni Millanovac.

Ndërsa, në momentin kur është arrestuar tha se kishte qenë duke shkuar të një i afërt i tij në qytetin Mostar, i cili ndodhet në kufi me Bosnjën.

Kurse prokurorja e çështjes Drita Hajdari, të akuzuarin e pyeti se gjatë kohës sa kishte jetuar në Fushë Kosovë, fqinjët e tij a kishin qenë shqiptar apo serb.

Në lidhje me këtë i akuzuari tha se ai në fqinjësi kishte pasur shqiptarë dhe se asnjëherë nuk kishin pasur ndonjë konflikt në mes vete.

“Po kanë jetuar edhe shqiptarët në fqinjësi, kemi jetuar edhe ne, por kurrë nuk kemi pasur konflikte”, tha i akuzuari.

Ndër fqinjët e tij deklaroi se kishte qenë edhe familja Bajrami, prej së cilës familje tha se e kishte njohur vetëm Hasime Bajramin, ndërsa për anëtarët e tjerë të familjes për të cilët e pyeti prokurorja, i akuzuari tha se nuk i njihte pasi që i njëjti gjatë gjithë kohës kishte punuar dhe shumë pak kishte qenë në shtëpi.

Ai e mohoi ta kishte njohur ndonjëherë edhe Ivan Radivojeviq.

Prokurorja speciale të akuzuarin e pyeti edhe për ngjarjen e cila kishte ndodhur në mars të vitit 1999 në qytetin e Fushë Kosovës.

“Për ngjarjet e 26 marsit 1999 te stacioni i autobusëve në Fushë Kosovë ju thoni se nuk keni marr pjesë, por a ke njohuri se disa dëshmitar të kanë identifikuar si person që ke marrë pjesë”, i tha prokurorja të akuzuarit.

Por një gjë të tillë e mohoi i akuzuari.

“Jo nuk është e saktë”, u përgjigj i akuzuari.

“A është e vërtetë që me datën 26 mars të vitit 1999 ke qenë te rrethi në Fushë Kosovë”, e pyeti të akuzuarin, anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shpresa Hasaj Hyseni.

Gjë të cilën e mohoi i akuzuari.

Ai i mohoi edhe pretendimet e prokurorisë se në vendin dhe datën e njëjtë, i akuzuari i kishte thënë Bujar Bajramit: “Ju më mirë largohuni nga ky vend ose ne do të ju vrasim të gjithëve”.

I akuzuari tha se ai nuk kishte marrë pjesë në rrahjen e burrave shqiptar në Fushë Kosovë, pasi që në atë kohë nuk kishte qenë në shtetin e Kosovës pasi që tre muaj para se të fillonte lufta, së bashku me familjen e tij kishin shkuar në qytetin Gorni Millanovac.

Gjatë kohës sa kishte jetuar në Fushë Kosovë tha se ka punuar me shitje dhe blerje te fshesave, ndërsa kur kishte shkuar në Gorni Millanovac, tha se kishte kërkuar nëpër kontejnerë të mbeturinave në mënyrë që të mbijetonte.

“Pse shkove në Gorni Millanovac kur e pate punën këtu, e shkove atje me lyp nëpër kanta”, e pyeti të akuzuarin, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

“Kur kam shkuar në Gorni Millanovac sa kam pasur pare kam ble pak fshisa e kam shitë pastaj s’kam pas më dhe kemi mbijetuar duke mbledhur hekurishte nëpër kanta”, u përgjigj i akuzuari.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 26 shtator me ç’rast pritet që të jepet fjala përfundimtare.

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.

Prokurori pretendon se ka prova të mjaftueshme se Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur u arrestuan Bujar e Haki Bajrami.

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në Dragodan pas luftës.

Skender Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës është deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ai ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

Skender Bislimi është ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi para disa muajsh.

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person, Ivan Radivojeviq, me 8 vjet burgim për këto ngjarje.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.