Haradinaj u bën thirrje të ftuarve të Speciales të mos u shmangen drejtësisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për ftesat që Gjykata Speciale ia ka bërë disave nga figurave më të larta të UÇK-së.

Me këtë rast Haradinaj ka thënë se askush nuk guxon t’i shmanget drejtësisë duke shtuar se qeveria e do ti ofrojë mbrojtjen juridike të gjithë luftëtareve të lirisë.

Ftesa e Haradinajt erdhi një ditë pasi një ish-pjesëtar i UÇK-së, Remzi Shala, i ftuar nga Gjykata Speciale, ka thënë se nuk do të dorëzohet.

https://kallxo.com/komandanti-i-uck-se-refuzon-ftesen-e-gjykates-speciale/

“Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë. Qeveria e Kosovës do t’iu qëndrojë afër luftëtarëve të lirisë të të gjitha etapave dhe është gatshme në çdo kohë të ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje juridike” ka shkruar Haradinaj në Facebook

Tutje Haradinaj ka thënë se populli shqiptar shquhet për sakrificat e tij për hire të së drejtës.

“Sakrifica e popullit të Kosovës deri te liria e pavarësia ishte e pashembullt në historinë e re të Evropës. Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e shenjtë dhe kjo është dëshmuar tashmë. Nga ne, janë kërkuar gjithnjë e më shumë sakrifica e përballje me drejtësinë, ndonëse ne ishim viktima të agresionit. Përgjigjja e qytetarëve të Kosovës dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, filtrave të drejtësisë ndërkombëtare ka qenë e menjëhershme dhe pa hezitim” ka shkruar tutje Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka thënë që Gjykata Speciale është një sfidë të cilën Kosova do ta mposhtë dhe do të dalë edhe më e fortë.

“Gjykata Speciale, edhe një dëshmi se sa larg ka shkuar sakrifica jonë për një shtet të së drejtës, është edhe një sfidë në rrugën tonë përpara, të cilën së bashku do ta tejkalojmë dhe nga ajo do të dalim më unikë dhe më të fortë. Siç kemi kaluar shumë vështirësi për të arritur këtu ku jemi, të gjithë duhet ta kuptojnë se si shtet e shoqëri edhe këtë dhembje, pas Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut e EULEX-it, do ta kalojmë faqebardhë së bashku, sepse luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën” ka theksuar Haradinaj.

https://kallxo.com/haradinaj-ftesat-e-speciales-nuk-jane-kijamet/

 

https://kallxo.com/nje-tjeter-komandant-i-uck-se-thirret-nga-gjykata-speciale/