Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës. Foto: kallxo.com

Haradinaj tregon pse i mbylli mikrofonat gjatë diskutimit për Termocentralin 'Kosova e Re’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është justifikuar pas mbledhjes së qeverisë pse i ndali mikrofonat në momentin kur në mbledhje filloi një diskutim për çështjen e investimeve në Termocentralin “Kosova e Re”.

I pyetur nga KALLXO.com për veprimin e tij gjatë mbledhjes kur i mbylli mikrofonat në një diskutim mes anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, Haradinaj tha se e ka bërë këtë për shkak të mos-ndërhyrjes në procesin e investimeve në këtë projekt.

“Ne morëm një informatë nga minsitri Lluka për proceset e investimeve. Ka në disa raste të dhëna që mund të ndërhyjmë në të drejtën në garë për mos me paragjyku dhe për këtë arsye ndodh që nuk bëjmë publikime për shkak se ne ndërhyjmë në procdedurat e garimit për investime. Por morëm informata bazike se në çfarë faze është procesi i investimeve. Në disa raste jemi të obliguar për shkak të palëve të treta, jo për shkak tonin”, tha Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë.

15:02

Qeveria e Kosovës është duke mbajtur një mbledhje në të cilën janë vënë në diskutim 13 pika të rendit të ditës.

Si praktikë, mbledhjet e qeverisë së Kosovës xhirohen dhe mediat e interesuara mund t’i transmetojnë ato drejtpërdrejt me lidhje mbi monitorin i cili është i vendosur në sallën ku qëndrojnë gazetarët.

https://kallxo.com/qeveria-ndal-mikrofonat-ne-muhabetin-per-termocentralin-kosova-e-re/

Por mikrofonat u ndalën kur kabineti qeveritar filloi diskutimin për një informatë lidhur me çështjen e investimeve të Contour Global për realizimin e projektit të ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se Qeveria e Kosovës është duke vazhduar përmbushjen e obligimeve të marra sipas marrëveshjes dhe “tashmë kemi përmbushur pjesën më të madh të obligimeve”

“Bashkë me investitorët jemi në fazën e vlerësimit të ofertave për përzgjedhjen e kompanisë”, tha ministri Lluka.

“Faza e parë tashmë është përmbyllur dhe në fund të marsit do ta pranojmë një raport të detajuar”, shtoi ai.

“Brenda muajit prill do bëhet përzgjedhja e ndërtuesit të Kosova e Re”, tha ministri

Pikërisht në pikën kur po diskutohej për investimin e Contour Global në Termocentralin Kosova e Re, kabineti qeveritar u përkujdes që të ndalë mikrofonin.

Ishte ministri Lluka ai i cili dha disa informata, deri sa kryeministri iu drejtua me pyetje por paraprakisht e ndali mikrofonin.

Përderisa zëri i debutuesve nuk depërtonte nga kjo mbledhje, në debat u pa të jenë përfshirë kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe ministrat Valdrin Lluka, Besim Beqaj e Bedri Hamza.