Ramush Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj takon ambasadorët e Quint-it, u thotë se taksa 100% mbetet në fuqi - FOTO

Pas rritjes së taksës 100%, Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të Quintit. Në këtë takim ai u ka thënë ambasadorëve të akredituar në Kosovë se vendimi i Qeverisë do  të mbetet në fuqi.

“Kryeministri Haradinaj falënderoi ambasadorët e Quintit për përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset dhe i ka ftuar ata që të jenë objektiv sa i përket vlerësimit të situatës në vend, duke ritheksuar edhe njëherë se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të mbetet në fuqi, deri në realizimin e objektivave të Qeverisë”, thuhet në komunikatën e ekzekutivit.

Prezent në këtë takim ishin e ambasadorët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, e ngarkuara me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në  Kosovë, dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Haradinaj u ka treguar ambasadorëve se qytetarëve të vendit, pa dallim vendi apo përkatësie etnike nuk do ju mungojë asnjë produkt bazik ushqimor dhe mjekësor dhe se deklaratat e politikanëve serb janë veçse një veprim tjetër propagandues, i pavërtetë dhe i papranueshëm për realitetin në vend.

“Po ashtu, kryeministri Haradinaj, i ka siguruar ambasadorët e Quintit se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe qeveria e Kosovës është e përkushtuar të ruaj rendin dhe qetësinë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke demantuar dezinformatat për ashtuquajtur krizë humanitare në Veri të Vendit”, thuhet në komunikatë..

Tutje thuhet se Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të sigurojë paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe fton të gjithë qytetarët e saj dhe përfaqësuesit institucional, subjektet politike, kryetarët e komunave posaçërisht ata në veri dhe organet e tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit”.