Pamje nga takimi i sotëm mes kryeministrit Haradinaj dhe banorëve të Hades Foto ZKM
Haradinaj Siguron Banorët e Hades dhe Shipitullës për Shpronësimet
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar edhe sot përfaqësues të banorëve të fshatit Hade të Obiliqit.
Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri Haradinaj edhe sot i ka siguruar banorët e Hades se procesi i shpronësimeve dhe kompensimit në Shipitullë dhe Hade do të përmbyllet me sukses të plotë.
Sipas komunikatës, përfaqësuesit e banorëve të Hades e kanë përgëzuar kryeministrin për rëndësinë që po i jep këtij procesi të interesit të përgjithshëm.
Një muaj më parë, kryeministri Haradinaj kishte arritur marrëveshje me banorët e këtyre dy fshatrave, të prekura nga mihjet e KEK-ut.
Sipas marrëveshjes, zgjidhja konsistonte në aplikimin e modelit dhe praktikës së mëhershme në rastin e fshatit Hade.
Sipas banorëve që ende jetojnë pranë mihjes sipërfaqësore të thëngjillit, këta ekskavatorë nxorën thëngjill në zonën 120 metra larg shtëpive, ndërsa sipas tyre, ata duhet të punojnë në zonën e sigurisë prej 250 metrash.
Protesta kishte të bënte edhe me shpronësimin e pronave të këtyre banorëve për shfrytëzimin e thëngjillit nën shtëpitë e tyre dhe në zonën përreth.
Më 30 gusht Qeveria në detyrë miratoi shpronësimin e 17 pronave të Shipitullës.