Haradinaj i flet studentëve ndërkombëtarë për bashkëjetesën mes komuniteteve në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim një delegacion prej 56 studentësh të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme.

Edhe në këtë takim, kryeministri nuk e la pa përmendur çështjen e kufijve në kuadër të një marrëveshje eventuale me Serbinë.

Haradinaj tha se marrëveshja duhet të përfshijë njohjen në kufijtë ekzistues.

“Është gjë shumë e mirë për ta bërë vizitën këtu në Kosovë. Për ne është shumë e rëndësishme e gjithë bota të dinë se kush jemi dhe çka prezantojmë. Kemi shumë sfida përpara, ekonomia ka qenë e shkatërruar, po mungojnë vendet e punës. Kosova është e pavarur, tash e 11 vite. Ne jemi shtet multietnik. Ky është kombi jonë, ne i ndajmë së bashku të gjitha”, tha ai

Ai tha së sundimi i ligjit në Kosovë ka shënuar progres në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Haradinaj u pyet edhe për kushtet që ka plotësuar Kosova për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Ai mes tjerash potencoi procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët, të cilën thotë së nga shtatori shpreson që Kosova të hyjë në agjendë.

“Ne po negociojmë për liberalizimin e vizave, i kemi plotësuar kriteret, në fakt që një vit jemi duke pritur një vendim. Por që zgjedhjet në parlamentin europian e kanë shtyrë këtë proces. Shpresojmë që nga shtatori Kosova të hyjë në agjendë”, deklaroi ai.