Hapet Biblioteka Digjitale

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani” ka hapur Bibliotekën Digjitale. Ceremonia e hapjes së kësaj biblioteke digjitale është bërë sot në kuadër të fillimit të Edicionit të 17-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj biblioteke ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili edhe preu shiritin e hapjes së kësaj biblioteke.

Hapja e kësaj biblioteke në kuadër të BK “Pjetër Bogdani” është cilësuar si një avancim i shërbimeve bibliotekare, duke lehtësuar në masë të madhe përdoruesit bibliotekarë, studentët dhe studiuesit e fushave të ndryshme.

Duke veçuar rëndësinë e kësaj biblioteke por edhe vet Javës së Bibliotekës, kryeparlamentari Vesli ka thënë se me hapjen e Bibliotekës Digjitale studentët dhe përdoruesit e saj i bënë të barabartë me studentë e vendeve të përparuara.

Ai ka thënë se pavarësisht sidave duhet të punohet për forcimin e institucioneve.

“Edhe sot sfidat janë evidente por më të vogla se ato dy tri dekada më herët, prandaj nuk duhet të ndalemi por të punojmë më shumë e më mençur për shtetin pavarësisht sfidave”,  ka thënë ndër të tjerash kryeparlamentar Veseli.

Ndërsa drejtori i BK, “Pjetër Bogdani” Fazli Gajraku, gjatë fjalës së tij ka potencuar se java e bibliotekës është një mundësi për të nxitur dhe vetëdijesimi për rëndësinë që kanë bibliotekat në shoqërinë tonë.

Ndërsa ka thënë se gjatë këtij edicioni të Javës do të zhvillohen shumë aktivitete për bibliotekat dhe biblioteka rinë, por siç ka thënë ai, dy me të rëndësishmet prej tyre janë “Programi kombëtar i arsimimit kombëtar dhe Hapja e Bibliotekës Digjitale”.

“Sot, pas shumë vështirësive BK bënë hapin e parë në arenën digjitale, duke hapur Bibliotekën digjitale, të nivelit kombëtar, në të cilën do të ruhet në aspektin afatgjatë trashëgimia kulturore e Kosovës”, ka thënë drejtori Gajraku.

Ndërsa Kujtim Gashi ministër i Kulturës ka pohuar se Java e Bibliotekës është një mundësi e madhe për zhvillimet bibliotekare në vend.

“Bibliotekat janë një faktorë vendimtar në zhvillimin kombëtar. Në shekullin 21-të institucionet duhet ta njohin këtë faktor me qëllim që informacioni të përdoret si mjet zhvillimi”, ka thënë ministri Gashi

Ndërkaq përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane në Kosovës, Erin Meins ka pohuar SHBA ka dhënë një kontribut për këtë aktivitet në vazhdimësi.

“Edhe këtë edicion Ambasada ka dhënë kontributin e saj në bashkëpunim me BK për zhvillimin e fushën së bibliotekarisë”, ka thënë Meins.

Një fjalë rasti kanë mbajtur edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, të cilët veçuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe mundësitë dhe avancimit të fushës së bibliotekarisë.

Java e bibliotekës në Kosovës, që organizohet nga BK, “Pjetër Bogdani”, këtë vit shënon edicionin e 17-të dhe në vazhdimësi ka kontribuar në zhvillimet bibliotekare në vend, sidomos për funksionimin e bibliotekave në vend.

Në fund janë ndarë mirënjohje për dhuruesit e bibliotekës dhe dy gazetarëve e RTV 21 për përcjellje të aktiviteteve të BK-së.

Një ndihmë me rëndësi që nga fillimi për Javën ka dhënë Ambasada e SHBA-ve në Kosovës, duke mbështetur aftësimin e bibliotekarëve kosovarë, sjelljen ekspertëve nga SHBA-ja si dhe në zhvillimin e projekteve të ndryshme për bibliotekarinë.

Edicioni i sivjetmë i Javës së Bibliotekës realizohet në bashkëpunim edhe Ambasadën e SHBA-ve, Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, Universitetin e Prishtinës, me kontributin bibliotekave të qyteteve të Kosovës dhe e ndihmuar edhe nga MKRS.