Foto: Kallxo.com

Gjykimi për vrasjen me sëpatë në Pejë, flasin ekspertët mjekësorë

Në gjykimin për vrasjen me sëpatë në kokë në të cilën po akuzohet Fatmir Llonqari, në cilësi të ekspertëve të psikiatrisë u dëgjuan mjekët Ajet Bunjaku dhe Jeton Zogaj.

Fillimisht me kërkesë të mbrojtësit të te akuzuarit Fatmir Llonqari, avokatit Bekë Lajçi, eksperti Jeton Zogaj shpjegoi procedurën e ekzaminimit dhe përpilimit të raportit për të akuzuarin Llonqari.

“Si fillim jemi pajisur me komplet lëndën e kësaj vepre, ekzaminimi është kryer në mënyrë hospitalore, ku i pandehuri ka qëndruar një muaj në “IPFK”. I janë kryer të gjitha ekzaminimet, dhe për përpilimin e raportit merret përvoja e rasteve të ngjashme, literatura dhe analizat tjera laboratoristike”, tha Zogaj.

Tutje Avokati Lajçi, pyeti ekspertin se për realizimin e raportit a ishin njohur me historikun e personalitetit të të akuzuarit Llonqari, por eksperti tha se kjo nuk ka qenë e nevojshme.

“Jo nuk jemi shërbyer për shkak se kemi pas të dhëna të mjaftueshme sa i përket vlerësimit psikiatrik për ditën kritike të te pandehurit”, tha ai.

Ndërsa në cilësi të ekspertit të psikiatrisë për të akuzuarin Ferid Gega u dëgjua Ajet Bunjaku i cili tha se i akuzuari “pasi kishte kuptuar së i është goditur babai të logjikuarit e të akuzuarit dhe kuptimi i pasojave ishin të zvogëluara në ato momente”.

“Në bazë të ekzaminimit dhe vlerësimit të dhënë për të akuzuarin Ferid Gega theksohet se nuk janë gjetur elemente që mund të vërtetojnë një sëmundje mendore të përhershme apo të përkohshme, por te i akuzuari, duke marrë parasysh veprën dhe ecurinë e ngjarjes, kemi konstatuar se në momentin kritik tek ai është shfaqur një çrregullim stresant akut, që do të thotë një shqetësim me lidhje me atë se çka ka parë dhe për ketë shkak i janë shfaqur shqetësimi, hidhërimi dhe frika për pasojat e mundshme për babain e tij e që kanë bërë që të logjikuarit dhe kuptimi i pasojave të jenë të zvogëluara por jo esencialisht”, tha mjeku Ajet Bunjaku.

Pas dëgjimit të eksperteve, mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Llonqari, avokati Bekë Lajqi, kërkoi një ekspertizë të re dhe marrje të raporteve mjekësore para se i pandehuri Llonqari ta privonte nga jeta Idriz Gegajn, mirëpo kërkesat e tij u refuzuan nga gjykata me arsyetimin se ishin të pabaza.

Fatmir Llonqari akuzohet se pas një mosmarrëveshje për disa drunj që i kishin prekur murin e shtëpisë, kishte marrë sëpatën dhe e kishte goditur dy herë në kokë duke e privuar nga jeta tani të ndjerin Idriz Gega.

Ai akuzohet edhe për tentim vrasje të Ferid Geges, djalit të viktimës, për shkak se pasi që Feridi e kishte kuptuar se i ati i tij ishte goditur me sëpatë me kokë dhe kishte shkuar te shtëpia e Fatmirit dhe duke shtënë disa herë me armë.

Aktakuza thotë se edhe Fatmir Llonqari i ishte përgjigjur të shtënave duke shtënë në drejtim të Ferid gegës “me qëllim që ta sprapsë sulmin nga vetja”. Nga këto të shtëna, Ferid Gega kishte  mbetur i plagosur.

Ai po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Llonqari ka pranuar fajin për vrasje dhe armë mbajtje pa leje, ndërsa për tentim vrasje është deklaruar i pafajshëm.

Përveç tij, në këtë proces gjyqësor i akuzuar për tentim vrasje është Ferid Gega, djali i viktimës Idriz Gega.

Ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Ferid Gega është deklaruar i pafajshëm për tentim vrasje, kurse për armëmbajtje pa leje e ka pranuar fajësinë.

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-vrasjen-e-idriz-geges-i-shpreh-ngushellime-familjes-se-viktimes-permes-avokatit/