Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për krim të organizuar, dëshmitari: Deklaratat i kam dhënë nën ndikimin e alkoolit

Në gjykimin për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve me të cilat akuza po përballen Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, ka dëshmuar Hasan Hasani.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores së Prokurorisë Speciale, Merita Bina-Rugova se a e kishte njohur Ismail Osdautajn dhe çfarë dinte për të, dëshmitari tha se Ismailin e kishte shok dhe se dinte për një rast me toka.

“Ismailin e kam pasë shok, e mbante një lokal ku ne gjithmonë rrijshim aty. E ka pasë një rast, u bojke fjalë për do toka por ka kalu kohë e gjatë e nuk më kujtohet“, tha dëshmitari.

Tutje prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e vitit 2016 të dhënë në Polici, në të cilën ai pati deklaruar si në vijim: “Kam qenë në lokal, ka ardhë personi Arben Bashota me dy persona, janë ulë në tavolinë dhe njëri nga ta më ka thënë: pasi jeni shokë me Ismailin,  pse s’po na e kryen ai qat punë. Unë u kam thënë: s’di çka keni mes veti ju. Pastaj më kanë thënë se nëse nuk e kryen do t’ia kidnapojmë djalin e vogël”.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet kjo pjesë pasi ka qenë nën ndikim të alkoolit.

Prokurorja më pas e ballafaqoi edhe me deklaratën e dhënë në Polici në vitin 2004, në të cilin kishte deklaruar po thuajse në mënyrë të njëjtë me deklaratën e vitit 2016, ndërsa dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohej dëshmia e tillë.

Ndërsa në pyetjet e të dëmtuarit Hysen Shahini se a ka qenë edhe gjatë deklaratës së vitit 2004 i dehur, dëshmitari u përgjigj se alkoolin e ka konsumuar çdo ditë.

“Unë që 50 vite e pi alkoolin rregullisht, e kam pi çdo ditë, kam pi rakia ma të lira e ma të forta“, tha dëshmitari Hasan Hasani.

Pas dëshmisë së tij, trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Arben Hoti, Suzana Çerkini, Shpresa Hasaj Hyseni, në cilësi të dëshmitares e ftoi përfaqësuesen e AKP-së, Vjollca Halitin.

Haliti tha se i bashkëngjitet ndjekës penale të Prokurorisë dhe se parashtron kërkesën pasurore juridike.

Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, po akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.

Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.