Të zhdukurit në Ballkan: Familjet vuajnë ndërsa kërkimet vazhdojnë

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, të afërmit e atyre që u zhdukën në Bosnje, Kroaci, Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftërave të viteve 1990 apo gjatë regjimit komunist përshkruajnë agoninë e dekadave të pritjes për të zbuluar fatin e të afërmve të tyre.

Dhjetëra mijëra njerëz u zhdukën gjatë luftrave të viteve 1990 në Ballkan, dhe eshtrat e disa mijëra prej tyre ende nuk janë gjetur. Nën regjimin komunist të Shqipërisë, mijëra njerëz u zhdukën dhe vendvarrimet e tyre nuk janë gjetur ende dekada më pas.

Këto zhdukje të pazgjidhura i lënë të dashurit e personit të zhdukur në një gjendje pasigurie të vazhdueshme – me shpresën se do të dalin lajme për vendndodhjen e tyre, për vit pas viti.

Ndërsa të enjten përkujtohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, të afërmit e pikëlluar të disa prej të zhdukurve në Ballkan shpjegojnë se si këto trauma të pazgjidhura kanë ndikuar në jetën e tyre.

Bosnje: “Nuk na tregojnë as ku janë trupat”

Hasiba Zlatarac. Foto: BIRN/Admir Muslimovic

Hasiba Zlatarac, e cila jeton në periferi të Vogoscës në Sarajevë, ende po kërkon për eshtrat e djalit të saj Nedzad, i cili ishte 22 vjeç kur u zhduk gjatë luftës, ato të bashkëshortit të saj Huso, i cili ishte 53 vjeç dhe të vëllait Fikret që ishte 42 vjeç.

Të tre ata, sipas Zlatarac, u morën nga forcat serbe boshnjake dhe u mbajtën në objektin e paraburgimit të Planjina Kuça në Vogosca në pranverën e vitit 1992.

“Në qershor të vitit 1992 ata u hoqën nga Planjina Kuca… Nuk e di për ku… Askush nuk e di… Deri sot nuk kam dëgjuar ndonjë fjalë apo gjurmë… Asgjë”, tha Zlataraç për BIRN.

Ajo thotë se beson se një zyrtar i kohës së luftës, i quajtur Jovo Tintor,  këshilltari i presidentit serb të Bosnjës gjatë luftës Radovan Karaxhiq dhe kreu i Partisë Demokratike Serbe të Karaxhiq në Vogosca e di se ku janë çuar të afërmit e saj.

Tintor, ish-presidenti i Komisionit të Krizave në komunën e Vogoscës, u dënua të enjten në Bosnjë për disa akuza përfshirë burgimet në Planjina Kuça.

Zlatarac akuzoi autoritetet boshnjake, politikanët dhe vendimmarrësit se kanë “harruar” familjet e personave të zhdukur.

“Jam e hidhëruar. Jam e zemëruar me qeverinë dhe të gjithë ata… Kanë kaluar 22 vjet që nga fundi i luftës dhe nuk mund të na thonë se ku janë eshtrat, që të mund të gjejmë të dashurit tanë dhe t’i lëmë ata të pushojnë. Pastaj mund të pushoja dhe unë,” shpjegoi ajo.

“I kam kontaktuar të gjithë, Kryqin e Kuq, Institutin për Personat e Zhdukur, por kurrë nuk kam marrë ndonjë informacion… Ky vend është i tillë saqë askush nuk ka ndonjë ide,” shtoi ajo.

Zlatarac pohon se politikanët shpesh përmendin familjet e njerëzve të vrarë në luftë, por rrallë përpiqen të ndihmojnë.

“Ata flasin për ne, por askush nuk na pyet se si jetojmë. Nuk kam nevojë për ndonjë gjë, por do të ishte e drejtë nëse do të vinin të shihnin se si jemi dhe se si jetojmë”, tha ajo.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur në vend, më shumë se 30,000 njerëz u konsideruan të zhdukur në Bosnje-Hercegovinë pas përfundimit të konfliktit dhe eshtrat e më shumë se 7,000 prej tyre po kërkohen ende.

Kroacia: “Nuk shpresoj më ta gjej trupin”

Drazhenka Kosiq. Foto kortezi Drazhenka Kosiq.

Për më shumë se 26 vjet, Drazhenka Kosiq ka kërkuar eshtrat e babait të saj Nikola, një serb i cili u zhduk në shkurt të vitit 1992 në qytetin kroat të Slatinës pasi u mor nga policët ushtarakë kroatë.

“Më 19 shkurt ai u mor nga dy anëtarë të policisë ushtarake, Luka Perak dhe Damir Hokal, nga Virovitica. Më vonë, mësuam se nuk kishte asnjë urdhër për këtë. Atë ditë, ne raportuam zhdukjen e tij; të paktën kështu mendoj se bëmë, mamaja punoi deri pasdite dhe kur erdhi nga puna, shkoi në stacionin e policisë”, tha për BIRN Drazhenka Kosiq, tani 49 vjeç.

Policët ushtarakë thanë se babai i saj po shkonte me ta për ta marrë në pyetje.

“Ajo që ishte specifike në rastin tonë ishte se pas disa ditësh [pas zhdukjes së Nikolla Kosiq] ata [policët] na thirrën dhe na kërkuan 40.000 marka gjermane për të, të cilat i mblodhëm dhe i lamë në mbeturina pranë qendrës shëndetësore [vendase],” shpjegoi ajo.

Por ai nuk u kthye te familja e tij dhe trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Kosiq kujton se pastaj motra e saj, e cila ndodhej në shtëpinë kur babai u mor, u fut në një dhomë me Luka Perak ku u pyet nëse ai ishte personi që e mori atë.

“Nuk kishte xhama përtej siç shihen në filma, ata [policia] thjesht e ulën atë përballë të dyshuarit Perak. Ajo tha se ai ishte një nga ata që e morën babanë. Kur telefonova [policinë] në Zagreb, për t’i pyetur nëse ky ishte kërcënim, ata më thanë të mbushesha”, tha ajo.

Hetimi vërtetoi se Nikola Kosiq u vra nga një polic tjetër ushtarak, Dinko Mijatoviq, ditën kur u mor dhe trupi i tij u hodh në lumin Drava në kufi me Hungarinë.

Më vonë, një gjykatë ushtarake në Osijek dënoi Perak dhe Hokal me një vit dhe një vit e gjysmë burg – por jo për pjesëmarrje në vrasje, edhe pse ishin të pranishëm kur Mijatoviq vrau Kosiqin. Mijatoviq mori një dënim prej katër vjet e gjysmë, por kreu vetëm dy muaj në paraburgim sepse shteti i dha atij amnisti.

Ata që mund të kenë urdhëruar vrasjen nuk u përmendën asnjëherë.

Kosiq u përpoq për vite të tëra të gjejë eshtrat e babait të saj dhe arriti të bindë zyrën kroate për personat e burgosur dhe të zhdukur që të kërkojë në një vend në brigjet e lumit Drava afër qytetit të Donji Miholjac disa vjet më parë.

“Sipas asaj që e di, vepruan shumë keq, ata dolën në terren, por nuk ndoqën udhëzimet e varrëmihësit por gërmuan në vende të tjera. Gjetën eshtrat e dikujt, por jo të babait tim,” tha ajo.

Kroacia ende po kërkon për 1,509 qytetarë të zhdukur nga lufta e viteve 1990. 414 persona të tjerë dihet se kanë vdekur, por eshtrat e tyre ende nuk janë gjetur.

Ministria kroate e veteranëve të luftës thotë se 1,131 njerëz u zhdukën nga 1991-1992, nga të cilët rreth 85-90 për qind ishin kroatë dhe 794 janë zhdukur në 1995, prej të cilëve rreth 95 për qind janë serbë që u zhdukën pas operacioneve ushtarake kroate ‘Flash’ dhe ‘Stuhia’.

Kosiq beson se shteti kroat nuk është i gatshëm të zgjidhë çështjen e serbëve të humbur të Kroacisë. “Nuk kam më shpresë të gjej trupin, apo se krimi do të ndëshkohet ndonjëherë. Përkundrazi,” tha ajo.

“Jetoj në një vend që mohon krimet që ka bërë. Nuk po flas vetëm për babin tim, por edhe për shumë të tjerë.”

Kosovë: “Lutem për çdo lajm, të mirë a të keq”

Halil Ujkani. Foto: BIRN/Serbeze Haxhiaj.

Halil Ujkani lutet që të jetë ende gjallë kur Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Kjo është shpresa e tij e fundit dhe e vetme për të mësuar fatin e tre bijve të tij që u zhdukën në pranverën e vitit 1999.

Në mbrëmjen e 16 prillit 1999, tre djemtë e tij, Shaip, Nahit dhe Nazmi, u larguan nga shtëpia dhe u nisën për në Mal të Zi, në përpjekje për t’i shpëtuar luftës. Djali më i madh ishte 29 vjeç dhe më i riu 19.

Për tri ditë, ata qëndruan në fshatra pranë kufirit Kosovë-Serbi para se të ndaleshin nga forcat e armatosura serbe.

“Ushtria serbe i kapi në mbrëmjen e 19 prillit në fshatin serb të rrethuar nga Dreth. Një plakë serbe që po kujdesej për lopët tha se ajo dëshmoi momentin kur u ndaluan nga ushtria. Nuk kishte vrasje apo të shtëna atë ditë,” tha Ujkani për BIRN.

Tre ditë më vonë, dy nga 24 personat që ishin në grupin e civilëve që u ndalën nga forcat serbe me djemtë e tij, u kthyen në Mitrovicë pasi humbën në rrugët malore dhe nuk e gjetën pjesën tjetër të grupit pa arritur territorin e Malit të Zi.

“Më 22 prill, fqinjët e mi serbë në veri të Mitrovicës e panë djalin tim dhe disa të tjerë ndërsa ushtria serbe i mori ato në një kamion ushtarak… Fqinji im, Bogoljub Aleksiq, dëgjoi se po i çonin në Pozharevc [në Serbi],” tha Ujkani.

Ashtu si tre djemtë e tij, dy nga nipërit e tij ishin mes atyre që u zhdukën.

Ujkani, një ish-punëtor miniere që tani është 84 vjeç, tha se 19 vitet që ai ka shpenzuar për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me bijtë e tij kanë qenë një kapitull i gjatë dhe i dhimbshëm në jetën e tij.

“I kam kërkuar midis të gjallëve dhe të vdekurve. Çdo ditë imagjinoj sikur po i gjej,” tha ai.

Për gati dy dekada, ai është zgjuar çdo mëngjes me shpresën se do të marrë ndonjë lajm nga ata.

“Festimet janë momentet më të vështira për t’u përjetuar. Nuk ka asgjë për të festuar. Shtëpia jonë është gjithmonë e zbrazur dhe në pikëllim të vazhdueshëm”, tha ai.

“Unë dhe gruaja ime lutemi për çdo lajm, të mirë apo të keq. Është e rëndësishme që të paktën të gjejnë eshtrat e tyre”.

Autoritetet e Kosovës thonë se 1,658 njerëz janë ende të zhdukur si rezultat i luftës, 561 prej të cilëve serbë.

Çështja e personave të zhdukur deri më tani nuk është trajtuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila filloi në vitin 2011.

Ujkani tha se djemtë e tij ishin marrë nga forcat e rregullta ushtarake serbe dhe beson se qeveria serbe mund të hedhë dritë mbi fatin e tyre.

“Nëse nuk ka marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, nuk ka shpresë për ne. Nëse gjërat vazhdojnë kështu, unë kurrë nuk do të gjej paqe,” tha ai.

Serbi: “Nuk ka gjurmë të babait tim”

Natasha Shqepanoviq. Foto: BIRN/Filip Rudic.

Kur Natasha Shqepanoviq u largua nga qyteti i Istogut me bashkëshortin dhe fëmijët e saj në fund të qershorit 1999, prindërit e saj vendosën të qëndronin në shtëpinë e tyre. Kjo ishte hera e fundit që ajo i pa ata.

“Të gjithë ata që morën vendimin të mos largoheshin nga shtëpitë e tyre, si prindërit e mi, patën të njëjtin fat “, tha Shqepanoviq për BIRN.

Pas një jave në Serbi, në fund të qershorit dhe fillim të korrikut 1999, Shqepanoviq tha se dëgjoi se persona të armatosur në uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin filluar të sulmonin njerëz në Istog.

“Dëgjuam se babi u mor nga apartamenti im – ishte atje për ta ruajtur nga zaptues. Ai u mor dhe nuk u gjet asnjë gjurmë prej tij”, tha ajo.

Ajo shtoi se disa ditë më vonë, nëna e saj u mor nga shtëpia e tyre së bashku me një të moshuar serbe që kishte kaluar të jetonte te ajo. Trupi i babait të Shqepanoviq u identifikua në vitin 2003, por nëna e saj ende radhitet si e zhdukur.

Shqepanoviq, e cila tani kryeson Shoqatën e Viktimave të Kërçovës, tha se familjet që kërkojnë të dashurit e tyre vazhdojnë të bashkëpunojnë me organizatat ndërkombëtare, por se ajo nuk ka marrë ndonjë informacion të ri për një kohë të gjatë.

“Nga të gjitha ato institucione, administratorë dhe misione – [Forca e NATO-s në Kosovë] KFOR-i, [Misioni i OKB-së në Kosovë] UNMIK, [misioni i BE-së për sundimin e ligjit] EULEX – gjithmonë kemi marrë premtime se do të bëjnë gjithçka kanë në dorë,” ajo tha.

Komisioni i Qeverisë serbe për Personat e Zhdukur po kërkon 570 serbë dhe joshqiptarë të zhdukur nga lufta e Kosovës 1998-99. Komisioni thotë se po kërkon gjithashtu 97 persona në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe 1,746 në Kroaci.

Megjithatë, OJQ-ja Qendra për të Drejtën Humanitare (HLC) paralajmëron se qasja e Serbisë për çështjen e personave të zhdukur që kërkohen nga vendet e tjera të ish-Jugosllavisë ka shumë të meta.

Sipas raportit të HLC-së për qershorin, masat e zbatuara nga strategjia kombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës nuk përmirësuan dukshëm kërkimin e personave të zhdukur.

HLC-ja hartoi propozime për të ndihmuar në kërkimin e personave të zhdukur, të cilat përfshijnë kërkimet e “depolitizuara”, miratimin e një ligji për personat e zhdukur, krijimin e një liste rajonale të të gjithë personave të zhdukur nga ish Jugosllavia dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

“Është e nevojshme të përmirësohen kapacitetet e të gjitha institucioneve serbe që janë kompetente për të kërkuar për personat e zhdukur”, tha për BIRN analistja ligjore e HLC, Visnja Sijaçiq.

Sijaçiq tha se për të bërë kërkimin e personave të zhdukur në mënyrë efikase, procesi duhet të konsiderohet si humanitar dhe i pavarur nga politika.

Shqipëri: “Fusha qe plot me eshtra njerëzish”

Hamza Kazazi shfaq foto dhe harta të vendeve ku ai beson se babai i tij mund të jetë varrosur. Foto: Fatjona Mejdini

Hamza Kazazi, tani 77 vjeç, e përshkruan babain e tij Jup Kazazin si një njeri të guximshëm, të ndershëm dhe një patriot. Ai ishte vetëm pesë vjeç kur babai i tij vrau veten në qytetin e Shkodrës që të mos i dorëzohej komunistëve, pasi u identifikuan si një nga liderët e revoltës në Postribë, që synonte rrëzimin e regjimit të sapokrijuar në Shqipëri.

Trupi i Jup Kazazit u shfaq në Shkodër dhe u fotografua nga komunistët për të treguar se regjimi do të godiste çdo përpjekje kundër tij, pastaj ai u mor për t’u varrosur në një vend të cilin familja nuk ka mundur ta gjejë.

Për Hamzën Kazazin, gjetja e eshtrave të babait të tij ka qenë një mision jete, që ai e ka vazhduar që nga rënia e komunizmit.

“Në vitin 1994, së bashku me të afërmit, shkuam të gërmojmë në zonën afër varrezës katolike në Shkodër, ku njerëzit besojnë se panë që komunistët varrosën babanë dhe të afërmit e mi që morën pjesë në revoltën Postribë”, tha Kazazi për BIRN.

Hamza u trondit kur gjeti në një thellësi të madhe eshtrat e një prifti katolik, të cilin ai e njohu veshja e zezë dhe aty ndaloi menjëherë gërmimin.

“Nuk mund të vazhdoja pasi fusha ishte plot me eshtra njerëzore dhe nuk mund të rrezikoja dëmtimin e tjerëve për të gjetur ato të babait tim”, tha ai.

Tani pas viteve pritje që shteti të drejtojë procesin e gjetjes së atyre që u zhdukën nën regjimin komunist, Hamza shpreson se më në fund mund të bëhet diçka.

Më 18 korrik, Shqipëria – pas tetë vjet bisedimesh – nënshkroi një marrëveshje për gjetjen e eshtrave me ndihmën e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Në shtator, parlamenti pritet të ratifikojë marrëveshjen për t’i hapur rrugë zhvarrimeve.

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve këtë vit, Autoriteti Shqiptar për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, po lanson një shërbim online për të shkëmbyer informacione për të zhdukurit.

Familjet do të mund të paraqesin informacion rreth rasteve të tyre dhe të kontrollojnë statusin e kërkimit. Do të ketë gjithashtu një seksion për vendet e varrimit, ku njerëzit mund të raportojnë dhe të marrin informacion anonim.

Numri i të zhdukurve gjatë komunizmit në Shqipëri mbetet i paqartë, edhe pse institucionet besojnë se 4,000 deri në 5,000 njerëz të vrarë gjatë asaj kohe nuk janë varrosur siç duhet.