Pamje nga një seancë e Asamblesë Komunale të Drenasit - Foto: Facebook

Shkeljet e komunës së Drenasit në realizimin e projekteve infrastrukturore

Komuna e Drenasit ka probleme të shumta me lidhjen e kontratave. Sipas Auditorit në lidhje me kontrata ka vonesa në zbatimin dhe menaxhim të tyre.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur dhjetëra kontrata të tilla në komunën e Drenasit për vitin 2017.

Sipas Auditorit, janë nëntë raste që janë verifikuar, ku drejtori i drejtorisë së Urbanizimit ishte emëruar menaxher i kontratave për projektet kapitale në drejtorinë e tij përderisa ishte edhe autorizues i pagesave.

“Autorizimi i pagesave nga menaxheret e kontratave, paraqet konflikt në ndarjen e detyrave, dhe pagesat për punë të pakryera rezultojnë me pagesa të parregullta. Mos azhurnimi i planit për menaxhimin e kontratës pamundëson pasqyrimin e një gjendje reale të realizimit të kontratës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ky institucion ka vlerësuar se në komunën e Drenasit ka munguar monitorimi i rregullt i kontratave dhe plotësimi i informatave sipas ecurisë së realizimit të kontratave.

Nga ekzaminimet fizike kemi evidentuar një projekt kapital për të cilin ishin kryer pagesa për punë të pa realizuara në vlerë prej 1 mijë 470 euro. Kjo ishte si pasojë e monitorimit të dobët nga ana e organit mbikëqyrës dhe menaxherit të kontratës”, thuhet në vlerësim të Zyrës Kombëtare të Auditorit.

Përveç mangësive në planet për menaxhimin e kontratave, Auditori ka gjetur se komuna e Drenasit ka pasur edhe vonesa në realizimin e kontratave.

“Nga testimi i pagesave kemi evidentuar pesë pagesa me vlerë 432 mijë e 861 euro në të cilat kishte vonesa në realizimin e kontratave. Vonesat ishin nga 13 deri në 100 ditë pune. Tri kontrata të cilat sipas planit dinamik është dashur të përfundoheshin brenda vitit 2017 ende (prill 2018) nuk janë përfunduar. Është asfaltimi i rrugës në fshatin Llapushnik – Drenas, në vlerë prej 252 mijë e 236 euro, kanalizimi i ujërave të zeza në fshatin Baicë, në vlerë prej 56 mijë e 49 euro dhe kanalizimi i ujërave të zeza në fshatin Gradicë, Qikatovë e Vjetër, Kishnarekë dhe ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Polluzhë, në vlerë prej 83 mijë e 981 euro ku ka patur vonesa”, potencon raporti.

Sipas Auditorit vonesat në realizimin e kontratave kryesisht ishin për shkak të problemeve me banorët lokal, mungesës së menaxhimit adekuat, mungesës së projekteve ekzekutive, kushteve atmosferike dhe specifikave të punëve.

Komuna e Drenasit poashtu, ka pasur edhe devijime apo ndryshime në paramasën dhe parallogarinë e kontraktuar në tri raste.

Sipas Auditorit te kontrata për “Asfaltimin e rrugëve në fshatin Llapushnik, lagja Sopi dhe lagja Tahiraj-Haxhijaj” në vlerë prej 35 mijë e 982 euro, organi mbikëqyrës me aprovim të menaxherit të kontratës kanë bërë modifikimin e paramasës së kontraktuar.

Poashtu, edhe  kontrata për “Kanalizimin e ujërave të zeza në fshatin Shtuticë”, në vlerë prej 45 mijë e 185 euro, sipas Auditorit është ndryshuar me kërkesën e drejtorit të urbanizmit dhe aprovim të menaxherit të kontratës duke u ndryshuar gypat e betonit me diametër fi 1000 në gypa me diametër 800, si dhe kapakët e metalit janë zëvendësuar me kapak betoni për arsye të mos vjedhjes së tyre.

Ndërsa, rasti i tretë sipas Auditorit është kontrata për “Rregullimin e fushave sportive në fshatin Damanek, Komoran dhe Polluzhë”, në vlerë prej 85 mijë e 373 euro, ku me kërkesën e komitetit të fshatit dhe aprovimin e Drejtorisë së Urbanizmit janë bërë ndryshimet në pikat gjeodezike për ndërtimin e fushës.

“Ndryshimi i paramasës dhe parallogarisë së kontraktuar pa aprovimin e zyrës së prokurimit dhe zyrtarit kryesor administrativ shpërfaq dobësitë në kontrollet e ushtruara nga menaxhmenti i lartë dhe rrezikon të rezultojë me kosto shtesë”, thuhet në raportin e Auditimit.

Auditori ka gjetur që komuna e Drenasit ka bërë lidhje të kontratave me zotime të pamjaftueshme.

“Në kontratën për asfaltimin e rrugës në fshatin Zabel i Ulët, Komoran II dhe Nekoc, në vlerë prej 85 mijë e 223 euro kemi vërejtur se zotimi i fondeve për projektin në fshatin Nekoc ishte 19 mijë e 424 euro, ndërsa vlera e paramasës së kontraktuar 22 mijë e 231 euro.  Gjithashtu te kontrata “Rregullimi i fushave sportive në fshatrat Damanek, Komoran dhe Polluzhë në vlerë prej 85 mijë e 373 euro, zotimi i fondeve për projektin në fshatin Polluzhë ishte 20 mijë euro, ndërsa vlera e paramasës së kontraktuar 22 mijë e 279 euro. Diferenca për 2 mijë e 279 euro për pjesën që s’ka pas zotim ka mbetur pa u paguar, edhe pse projekti tashmë kishte përfunduar”, thuhet në raport.

Poashtu, Auditori ka gjetur se në projektin dy vjeçar i cili ishte bashkëfinancim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për “Asfaltimin e rrugës në fshatin Godanc” në vlerë prej 151 mijë e 979 euro për shkak të pengesave të shkaktuara nga banorët lokal, komuna e Drenasit ka pasur ndryshime në projekt të cilat kanë rezultuar me aneks kontratë në vlerë prej 15 mijë e198 euro, e cila është lidhur në mungesë të zotimit.

Të gjetura nga Auditori ka pasur edhe në ndërrimin e kodit të projektit me rastin e pagesave në disa projekte të komunës së Drenasit.

“Për projektin dy vjeçar në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës për “Asfaltimin e rrugës fshatin Baicë – Tërsteniku II dhe ndërtimi i rrugës në fshatin Baicë – lagja Kiqina, dhe Zariqi” në vlerë totale prej 250 mijë e 684 euro kemi evidentuar se pagesa në vlerë prej 36 mijë e 512 euro (me aprovim të kryetarit) është realizuar nga kodi i projektit (44750) lagjja Kiqina dhe Zariqi, ndërsa është dashur të paguhej nga MI kodi (15309) asfaltimi i rrugës në Baicë – Tërstenik”, thuhet në raport të Auditorit, duke theksuar se menaxher i kësaj kontrate ka qenë drejtori i Urbanizmit.

Auditori ka përmendur edhe projektin e dytë  “Renovimin e SHFMU në fshatin Bytyq dhe ndërtimin e rrethojës në SHFMU Fshatin Gllanasellë”, në vlerë prej 3 mijë e 883 euro, pagesa totale është bërë nga projekti “Rregullimi i rrethojës SHFMU Gllanasellë”.