Letër e hapur për kryeministrin Haradinaj rreth degradimit të natyrës në Grykën e Deçanit

Pas emisionit të fundit “Jeta në Kosovë”, në të cilin u transmetua hulumtimi “A ka Kosova ujë të mjaftueshëm për hidrocentrale?”, Shpresa Loshaj, një aktiviste e diasporës, e cila punon në Qeverinë kanadeze, i ka drejtuar letër të hapur kryeministrit Ramush Haradinaj.

Letrën e plotë mund ta lexoni më poshtë:

I nderuari z. Kryeministër,

Shpresoj që keni pasë rastin me pa emisionin e mbrëmshëm “A ka Kosova ujë te mjaftueshëm për hidrocentrale?” në emisionin “Jeta ne Kosovë”, i cili shqyrtoi problematikat rreth degradimit të natyrës në Deçan si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve.

Edhe pse, tash e 20 vite jetoj në Kanada, me punë në Qeverinë kanadeze si këshilltare e politikave, unë jam shumë e angazhuar rreth zhvillimeve në Kosovë, së fundi edhe si pjesë e rrjetit të diasporës me organizatën Germin.

Para disa muajsh, kur erdha për vizitë në Kosovë, pata rastin të njihesha për së afërmi me disa nga problemet  e vendlindjes sime dhe tuaj – Deçanit, ndërsa letra që po e nis do të adresojë degradimet që i janë bërë natyrës në Grykën e Deçanit. Më lejoni, që shkurtimisht të shpalos disa nga shqetësimet e shumta që pashë, lexova dhe dëgjova nga bashkëvendësit tanë në lidhje me këtë temë. Po ju drejtohem ju sepse fatkeqësisht institucionet që e kishin për detyrë parandalimin e këtij problemi kanë kontribuar bukur shumë në krijimin e kësaj situate, për çka edhe nevojitet vëmendja juaj.

  1. Kryeministër, që nga viti 2012 e deri tani, Gryka e Deçanit është duke vuajtur shkatërrime të pakthyeshme në emër të kinse zhvillimit ekonomik të Kosovës. Qeveria e atëhershme, duke vazhduar në mënyrë zinxhirore deri tani, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit dhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës në nivele të ndryshme – kanë kryer një varg shkeljesh mbi Grykën e Deçanit, si dhe kanë cenuar dëmshëm mbi integritetin e institucioneve publike gjatë procesit të aprovimit për leje ndërtimi të tri hidrocentraleve në Grykën e Deçanit. Këto leje ndërtimi u janë dhënë kompanisë austriake Kelkos Energy, ndërsa procesi i tenderimit ndodhi në kushte dhe rrethana të errëta – në mënyrë tërësisht jodemokratike. Si për shembull, shkatërrimet në Zallë të Rupës e kanë dëshmuar se që nga faza propozuese ky proces nuk ka qenë i bazuar në evidencë shkencore dhe baza ligjore.

Duke përfituar nga një ambient pa mbikëqyrje dhe llogaridhënie nga ana e institucioneve përgjegjëse, kompania  Kelkos Energy ka shkaktuar dëme të pakthyeshme, madje duke mos publikuar as detajet e kontratave të punës. Vetëm duke ecur Grykës deri në Zallë të Rupës u ballafaqova me shkatërrimet e shumta, disa nga të cilat po i rendis këtu.

  • Së pari, Kelkosi me pretekst se po ndërton pendë ujitëse në Zallë të Rupës, çrrënjosi karakteristikat e rralla të lumit të egër që ishte një ndër të fundit të këtij lloji në Ballkan. Pasi që lumi shtrihej mbi një tokë zallore, Kelkosi plaçkiti tonelata zallë dhe la pas vete vetëm gropa të mbushura me ujë që rrezikojnë jetën e kalimtarëve dhe bjeshkatarëve që jetojnë e punojnë aty. Kur zalli i hapësirës së gropuar nuk iu desh më, Kelkosi ka dalë me konstatimin se Zalli i Rupës nuk qenka terren i përshtatshëm për ndërtimin e pendës ujitëse, gjë që është dashur të dihet që në fazën propozuese.
  • Së dyti, Kelkosi gjithashtu ka shkelur kontratën me Kosovën pikërisht gjatë ndërtimit të hidrocentraleve, pasi që nuk i ka mbrojtur burimet e vogla që ishin përgjatë lumit, gjë që ishte e obliguar me ligj. Gjatë bisedave me zyrtarë të komunës së Deçanit rreth kësaj çështjeje, ata jozyrtarisht konfirmuan këtë, mirëpo kontrata nuk është bërë publike asnjëherë.
  • Së treti,sipas ligjit, hidrocentralet e ndërtuara nga Kelkosi ende nuk e kanë lejen për prodhimin e rrymës ngase nuk e kanë përfunduar studimin mbi ndikimin në natyrë, por siç e pashë kjo nuk e ndal Kelkosin. Ata jo vetëm që prodhojnë rrymë pa leje, por e bëjnë këtë në mënyrën më degraduese të mundshme. Ligji kërkon që gjithmonë minimumi prej 30% e ujit duhet të qëndrojë në shtrat të lumit. Përkundrazi, siç shihet ne foto dhe video më lartë, Kelkosi e lë shtratin e lumit të zbrazur duke futur 100% të ujit në gypa, gjë qe rezulton ne vdekjen e biodiversitetit dhe shterjen e lumit.
  • Dhe së fundi, si  kusht për leje të ndërtimit, Kelkosi duhej të ndërtonte në Deçan një park me investime prej 1M Euro. Parku, që është ndërtuar është më shumë një sipërfaqe e mbuluar me gurë dhe cement dhe nuk duhej të ishin shpenzuar as 1% e buxhetit të premtuar. Përpos që e shohim si mashtrim në buxhet, ky park është edhe fyerje për Deçanasit, duke na e prishur natyrën.
  1. Kryeministër, edhe pse këto ishin shkelje ligji nga Kelkosi, shumica e vendimeve për këtë ose kanë ardhë drejtpërdrejt prej institucioneve publike, ose zyrtarët përgjegjës kanë vendosur t’i mbyllin sytë. Si pasojë e kësaj papërgjegjësie dhe pa konsideratë për ligj, ata i dhanë dritën e gjelbër edhe Kelkosit të veprojë jashtë kornizave ligjore pa patur frikën e ndëshkimit të mundshëm. Veprime të tilla janë të dëmshme për mundësinë e tërheqjes së investitorëve të besueshëm dhe për rrugën drejt së cilës po shkon e ardhmja e Kosovës.

Pas këtyre informatave, janë dy zgjidhje të mundshme: të mos bëni asgjë, sikur paraardhësit tuaj, apo të merrni guximin që të ballafaqoheni me realitetin e krijuar. Duke besuar se do zgjedhësh të dytën, ju sugjeroj që t’i ndërmerrni dy hapa të rëndësishëm që po i cek në vijim.

1) Të thirren organet përkatëse që të fillojnë një hetim të pavarur në procesin e vendimmarrjes për lejet e hidrocentraleve në Deçan, duke përfshirë të gjithë akterët e involvuar në këtë çështje, edhe atë joformal. Ky hetim duhet të sjellë jo vetëm drejtësi por edhe mekanizma sigurues për shmangien e situatave të tilla në të ardhmen. Llogaridhënia është themeli i demokracisë, dhe e vetmja mënyrë demokratike për të adresuar këtë çështje dhe kthyer integritetin institucioneve publike është që të ndriçohet roli i çdo kujt që mori pjesë në këtë proces dhe të japë llogari për veprimet e veta.

2) Edhe pse mediat lokale kanë raportuar më 2016 se Komuna e Deçanit e ka paditur Kelkosin për shkeljet e përmendura më lartë, deri më tani nuk shihet të ketë evidencë se një gjë e tillë është në proces. Prandaj është më se urgjente që të publikohen detajet e kontratës me Kelkosin dhe qe organet përkatëse të fillojnë procesin që të kërkohet drejtësi dhe dëmshpërblim për të gjitha dëmet dhe mashtrimet që u janë bërë banorëve të Deçanit. Ky veprim ka rëndësi tejet të veçantë jo vetëm për të sjellë drejtësi, por gjithashtu të dërgojmë mesazh sigurues te investitorët që duan të punojnë sipas rregullave – se në Kosovë mund t’i besoni ligjit dhe drejtësisë.

  1. Kryeministër, pas kritikave të mësipërme ju mund të mendoni se unë jam më shumë kritikuese se sa mbështetëse e Qeverisë dhe institucioneve te Kosovës. Por kjo nuk është ashtu, sepse mua më dha shpresë fakti se ish-ministrja Albena Reshitaj pezulloi propozimet për ndërtime të hidrocentraleve në Grykë të Lloqanit, dhe unë po ju shkruaj nga shpresa se edhe ju do të tregoni guximin tënd për të marrë vendime jo të lehta, por vendimtare për të sjellë drejtësi tek banorët e Deçanit, në mbrojtje të integritetit të institucioneve publike.

Dështimet në Grykë janë mësim i hidhur për ne Deçanasit që po mbesim pa ujë se si duhet te mbrojmë atë që ka mbetë, pasi vonë e kemi kuptuar se nuk mund të llogarisim në institucionet publike për mbrojte të interesave tona. Shpresoj se tash e tutje Deçanasit do te kenë mbështetjen tënde dhe institucioneve përkatëse në kërkim të drejtësisë lidhur me këtë çështje. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë proces.

Me nderime,

Shpresa Loshaj

(Autorja është këshilltare në Qeverinë kanadeze dhe anëtare e Rrjetit të Diasporës me organizatën “Germin”)