Krimet me Kravatë të Haradinajt

Kur më 2006 gazetarët e pyetën kryeministrin e atëhershëm Agim Çeku përse barte kravatën e njëjtë thuajse çdo ditë, ai u përgjigj se ishte shprehi e një ushtaraku të mësuar me uniformë. Por, bashkëluftëtari i tij dhe kryeministri aktual Ramush Haradinaj ka një qëndrim tjetër ndaj kravatave. Kur në dhjetor të vitit 2017 kryeministri Haradinaj votoi për dyfishimin e rrogës së tij, u arsyetua se Kryeministri duhet me pas pare me ble kravata. Gazeta “Jeta në Kosovë” përpiloi një kolazh të të gjitha kravatave të Kryeministrit në 90 ditët e para të punës së tij, ku shihet se nuk kishte vënë asnjëherë kravatën e njëjtë dy ditë radhazi.

Por, në nëntë muajt e tij si kryeministër, shkeljet ligjore të qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj janë dukshëm më të shpeshta se sa kravatat që ai ndërron. Krimet e jakëbardhëve apo krimet me kravatë konsiderohen ato krime jo të dhunshme nga zyrtarët qeveritarë dhe punonjës të zyrave, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me keqpërdorime financiare. Sipas një raporti të FBI, i cili citohet nga profesori Dan Ariely, në vitin 2004, krimet e zyrës apo krimet e jakëbardhëve në SHBA kapnin vlerën e 600 miliardë dollarëve. Për të njëjtën periudhë, të gjitha krimet tjera ordinere nuk e tejkalonin dëmin prej 16 miliardë dollarësh.

Njësoj, edhe krimet financiare të Qeverisë Haradinaj tejkalojnë shumëfish dëmet financiare që mund  të shkaktohen nga hajnat ordinerë. Të listojmë me radhë disa nga krimet më të mëdha financiare në këtë mandat qeverisës:

  1. Në qershor, Qeveria Haradinaj mori vendim që t’i ndajë 1 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, me arsyetimin se Qeveria duhet të paguaj këtë dënim për shkak të vonesave në pagesa. Edhe pse çdo vit me buxhetin e Kosovës u zotuan mjete sipas kontratës, qeveria aktuale dhe ajo paraprake nuk kanë alokuar mjetet tek punëkryesi. Pak ditë pas marrjes së mandatit, Qeveria Haradinaj nënshkroi një aneks kontratë me punëkryesin, aneks i cili do t’i kushtoj buxhetit të shtetit 53.1 milionë euro. Qeveria aktuale akuzon atë paraardhëse për neglizhencë, por askush askënd nuk e ka paditur në Prokurori për të hetuar këto humbje financiare. Kjo dëshmon se zyrtarët qeveritarë të të gjitha qeverive mbrojnë njëri-tjetrin edhe për këtë nivel keqpërdorimesh.
  2. Qeveria Haradinaj po e zvarrit aprovimin e raportit përfundimtar me listat e veteranëve të luftës së UÇK. Mos aprovimi përfundimtar i listave shtyn hyrjen në fuqi të ndryshimeve të bëra në Ligjin për veteranët e UÇK, ndryshime të cilat u aprovuan nga Kuvendi në dhjetor 2016. Me ndryshimet në ligj, u përcaktua se shuma totale e pensioneve për veteranët nuk mund të kaloj 0.7% të GDP në vit. Kësisoj, Qeveria mund të përfshinte me dhjetëra mijëra në lista të veteranëve, por buxheti nuk do duhej të rritej. Për të ju shmangur këtij kufizimi të imponuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Qeveria Haradinaj nuk po e aprovon raportin përfundimtar. Në muajin e kaluar pension të veteranit morën afër 40 mijë persona. Buxheti vjetor për pensionet e veteranëve është rritur nga 25 milionë euro sa ishte më 2016, në 64 milionë euro më 2017. Nëse vazhdohet me të njëjtin trend të marrjes së pensioneve, buxheti për pensionet e veteranëve do të arrij mbi 80 milionë euro për vitin 2018. Në rast se do të aprovohej raporti përfundimtar i Komisionit për verifikimin e veteranëve, atëherë buxheti vjetor për pensionet e veteranëve të UÇK nuk do duhej të kalonte mbi 44 milionë euro në vit. Duke mos aprovuar raportin, Qeveria Haradinaj dëmton buxhetin për së paku 37 milionë euro.
  3. Në prill 2018, Qeveria Haradinaj aprovoi Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve ’90. Sipas Projektligjit, secili qytetar i Kosovës i cili ka së paku një vit përvojë pune në arsimin paralel gjatë viteve të okupimit ka të drejtë të marr pension mujorë. Qeveria e aprovoi këtë Projektligj edhe pse u kundërshtua nga Ministria e Financave me arsyetimin se nuk kishte buxhet për zbatimin e tij. Vlerësimi i ndikimit financiar që ju bë projektligjit ishte i mangët, duke fshehur koston reale të tij. Sipas një analize të Institutit GAP, e cila pastaj u konfirmua edhe nga Ministria e Financave, kostoja vjetore e këtij ligji do të shkoj deri në 25 milionë euro në vit. Në 30 vitet e ardhshme, për zbatimin e këtij ligji do të nevojiten së paku 650 milionë euro.
  4. Nga shtatori 2017 e deri në mars 2018 Ramush Haradinaj ka nënshkruar mbi 80 vendime për emërim të zëvendësministrave. Sipas deklarimeve në Agjencinë Kundër Korrupsion, vetëm në Ministrinë e Arsimit janë emëruar shtatë zëvendësministra. E tërë Qeveria ka mbi 170 këshilltarë politik, ku prapë MASHT mban rekordin me nëntë këshilltarë, ani pse Rregullorja për organizimin e punës së Qeverisë nuk lejon angazhimin e më shumë se shtatë këshilltarëve për ministri. Qeveria Haradinaj është qeveria më e madhe për nga numri i ministrave, zëvendësministrave e këshilltarëve politik. Për krahasim, Qeveria aktuale ka tre zëvendëskryeministra, katër ministra dhe 61 zëvendësministra më shumë se sa përbërja qeveritare e 2008.
  5. Në dhjetor 2017 Qeveria Haradinaj mori vendim për rritjen e pagave për Kryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politik, shefat e kabineteve dhe një pjese të shërbyesve civil në Zyrën e Kryeministrit. Agjencia Kundër Korrupsion vlerësoi se vendimi bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe si i tillë duhej të anulohej. Pasi Qeveria nuk dha shenja se do të respektoj opinionin e AKK, deputetët e opozitës e dërguan rastin në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja deklaroi se vendimi ishte konform Kushtetutës, por se nuk ishte e thirrur që të vlerësoj konfliktin e interesit. Kësisoj, kabinetit qeveritar iu hap rruga që në mënyrë retroaktive të marr rrogat me rritje. Me këto rritje, pagat vjetore të kabinetit të Qeverisë kalojnë shifrën e 5 milionë eurove në vit. Për krahasim, pagat e kabinetit qeveritarë më 2008 silleshin rreth një milion euro.
  6. Një zëvendëskryeministër, tre ministra, shtatë zëvendësministra, të gjithë nga Lista Serbe, kanë ngrirë pozitat e tyre në Qeveri që nga fundi i marsit të këtij viti në shenjë proteste ndaj arrestimit të një zyrtari të Qeverisë së Serbisë nga Policia e Kosovës. Ky rast tregon më së miri lojalitetin e një pjese të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë së Serbisë. Të gjithë këta që kanë ngrirë pozitat e tyre vazhdojnë të marrin pagë nga buxheti i Kosovës. Për mos punën e tyre Qeveria do të paguaj së paku 50 mijë euro për këta tre muaj dhe do vazhdoj të paguaj deri në fund të mandatit.
  7. Pasi u tejngop Qeveria me ministra e zëvendësministra, Qeveria Haradinaj shpiku një pozitë të re: atë të koordinatorëve nacionalë. Deri më tani janë emëruar katër koordinatorë nacionalë, të cilët mbulojnë portofolio të njëjta me ministritë: Koordinatori nacional për gjeneratën e re, Koordinatori nacional për reformë shtetërore, Koordinatori nacional për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit, Koordinatori nacional për kulturë, rini dhe sport. Të gjithë këta marrin pagë të barazvlefshme me atë të ministrit, 2.000 euro në muaj. Qeverisë Haradinaj nuk i mjaftuan pesë zëvendësministra në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por emëroi edhe dy koordinatorë në nivel ministri, indirekt duke emëruar tre ministra për një ministri. Po ashtu, nuk mjaftuan pesë zëvendësministra në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por u dashtë të emërohet edhe një koordinator. Për katër koordinatorët e emëruar deri më tani do të shpenzohen kot 96 mijë euro në vit vetëm për paga, pa llogaritur shpenzimet tjera të mëditjeve, zyreve, drekave, telefonave.
  8. Në dhjetor 2017, Haradinaj dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik nënshkruan kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet prej 500 MW. Sipas Institutit GAP dhe vlerësimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji termocentrali i ri do të rrit faturat e energjisë prej së paku 50%. Përveç kësaj, në rast të mos kryerjes së obligimeve ndaj kontratës, Qeveria e Kosovës obligohet t’i paguaj kompanisë private minimum 19 milionë euro dëmshpërblim që në ditët e para. Ndaj kontratës reagoi edhe Komuniteti Evropian i Energjisë, sipas së cilëve kontrata shkel rregullat e tregut ngase i garanton prodhuesit blerjen e tërë energjisë nga Qeveria, kësisoj duke favorizuar atë në krahasim me operatorët tjerë në treg.
  9. Qeveria Haradinaj ndau 290 mijë euro për familjarët e pjesëtarëve të vrarë dhe të dënuar për terrorizëm në konfliktin e Kumanovës më 2015. Disa nga pjesëmarrësit e konfliktit të Kumanovës ishin persona që kishin rënë disa herë ndesh me ligjin edhe në Kosovë, njëri prej tyre duke sulmuar stacionin e Policisë së Kosovës në Prizren.
  10. Në dy vendime të ndara Qeveria Haradinaj ka ndarë mbi 626 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta për pushimet verore dhe rehabilitim. Kjo Qeveri nuk është e para që merr vendime të kësaj natyre. Që nga 2008 të gjitha qeveritë kanë marr vendime të tilla, duke ndarë në total 5.8 milionë euro. Këto mjete gjithnjë ndahen nga kategoria e ‘shpenzimeve të paparashikuara’, edhe pse tashmë janë bërë të rregullta çdo vit. Ajo çfarë është shqetësuese me ndarjen e këtyre miliona eurove është se në momentin e transferimit të tyre tek shoqatat e dala nga lufta, nuk ka asnjë kontroll të mëtejmë se si po shfrytëzohen ato dhe nëse përnjëmend të gjitha këto mjete shkojnë për rehabilitim të kategorive të dala nga lufta. Duke parë se si është menaxhuar procesi i verifikimit të veteranëve të luftës, shumë dyshoj në keqpërdorime të mëdha edhe në këto miliona euro të ndara çdo vit.
  11. Në mars të këtij viti Qeveria ndau një milion euro për humbjet e energjisë elektrike në veri të vendit për shkak të mos gatishmërisë së qytetarëve nga komuniteti serb për të paguar rrymën e shpenzuar. Deri më tani, humbjet e energjisë elektrike në veri, së bashku me humbjet tjera teknike e komerciale, i faturoheshin konsumatorëve të rregullt. Por, pas raportit të Ombudespersonit se kjo është në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të cilët kërkuan pezullimin e kësaj praktike, Qeveria filloi të financoj humbjet përmes buxhetit të shtetit, kësisoj indirekt duke financuar sërish energjinë e humbur me paratë e taksapaguesve. Deri në fund të vitit pritet që Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) të ketë humbje vjetore deri në 10 milionë euro. Qeveria nuk është përpjekur të gjej zgjidhje për këtë problem, por po vazhdon avazin e shuarjes së problemeve përmes ndarjeve buxhetore.
  12. Qeveria Haradinaj ka vazhduar të trashë monopolin në fushën e kontrollit dhe homologimit të automjeteve. Në vitin 2009, në një proces të mbyllur dhe të pa konkurrencë, Qeveria Thaçi kishte nënshkruar një marrëveshje për homologim me një kompani private të cilës i garantoi ekskluzivitet 10 vjeçar. Tani që po afrohet koha kur kjo marrëveshje duhet të skadojë, Ministria e Infrastrukturës ka aprovuar një udhëzim administrativ i cili i siguron kësaj kompanie që të mbajë monopolin edhe pas vitit 2019. Përkundër se përmbajta e udhëzimit administrativ është kundërshtuar nga ana e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ministria nuk e ka respektuar opinionin e këtij Autoriteti.
  13. Me logjikën “na duhet ky aty”, ashtu siç deklaronte ish shefi i grupit parlamentar të PDK Adem Grabovci në përgjimet e bëra publike dy vite më parë kur vendoste njerëz të partisë nëpër borde të institucioneve të pavarura, njësoj ka vazhduar edhe Qeveria Haradinaj që nga ditët e para të mandatit. Përkundër asaj se Kryeministri ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ambasadën Britanike për rekrutimin e personave profesionist në borde dhe në drejtimin e agjencioneve të pavarura dhe institucioneve kyçe të administratës shtetërore, ky memorandum nuk është duke u respektuar. Në një shkallë të paparë më herët, Qeveria Haradinaj ka politizuar telekomin, korporatën energjetike, Bankën Qendrore, bordin e Trepçës, Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, postet e sekretarëve nëpër ministri, e shumë e shumë pozita tjera të shërbimit civil. Tani vetëm se ka filluar edhe transferimi i zëvendësministrave në drejtor departamentesh. Dy muaj pas emërimit si zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dugolli u transferua si drejtor i departamentit në kuadër të kësaj ministrie, duke siguruar një post të përhershëm në shërbimin civil.

Për t’i arritur këto e shumë tjera shkelje, Haradinaj është në shoqëri të mirë. Katër nga 21 ministrat e tij janë nën aktakuzë, të dyshuar për shkelje të ligjeve në fuqi, duke filluar nga gjuajta ilegale me armë e deri tek mashtrimi në privatizim. Fatkeqësisht prokuroria dhe gjykatat nuk ka ngritur akuza edhe për keqpërdorimet e lartcekura, ngase lista e të akuzuarve dhe dënuarve do të duhej të ishte edhe shumë më e gjatë.

Qeveria Haradinaj ende nuk ka mbushur ‘vetëm’ nëntë muaj mandat dhe pakkush beson se mandati i kësaj qeverie do të zgjas katër vjet, deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta, por dëmet financiare, kapja e institucioneve të pavarura dhe skemat e asistencës financiare për kategori të caktuara do të lënë pasoja në 30 vjetët e ardhshme.