Ilustrimi: Trembelat

Bordi i Politizuar i Telekomit

Qeveria sot ka zgjedhur gjashtë anëtarët e bordit të Telekomit. Katër nga gjashtë anëtarët e zgjedhur kanë lidhje shoqërore apo të kaluar politike me partitë në pushtet.

Të zgjedhurit nga ekzekutivi janë: Besa Shatri, Skender hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Kransiqi, Suzana Andjelkovic.

Përzgjedhja e tyre është bërë para syve të britanikëve, të cilët e kanë monitoruar procesin e rekrutimit.

Gazeta “Jeta në Kosovë” ka gjetur se Qeveria e Kosovës nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e britanikëve.

Vetëm tre nga anëtarët e rinj të bordit të Telekomit kanë marrë pikë të mjaftueshme për të hyrë në rrethin e ngushtë, sipas vlerësimit të britanikëve.

Por, edhe ata nuk kanë qenë më të poentuarit.

Një listë me emra të propozuar është dorëzuar edhe nga Komisioni i caktuar nga Qeveria e Kosovës. Edhe ky komision i kishte propozuar 12 emra fillimisht, por e njëjta ishte ndryshuar në rrethana të pasqaruara, duke i shtuar edhe 6 emra të tjerë.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar sqarime nga kryeministri i Kosovës për këtë rritje të numrit të listës së ngushtë, por ai ka thënë se atij i kanë ardhur vetëm 6 emra.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka gjetur lidhje politike të anëtarëve të bordit të ri të Telekomit të Kosovës. Në mesin e tyre është një anëtar i zgjedhur i bordit, Skender Hoti, i cili nuk ka qenë në listën fillestare, por nuk është as në listën e emrave të rekomanduar nga Ambasada britanike.

Dy komisionet në vlerësimin fillestar nuk e kishin futur atë në listën e ngushtë.

Shoku i zëvendëskryeministrit me më së paku poena 

Skender Hoti,  është anëtar tjetër i zgjedhur në bordin e Telekomit.

Ai nuk ishte në listën fillestare të komisionit, por pas ‘zgjatjes’ së saj në 18 emra, emri i tij, i cili ishte i renditur i fundit në listë me më së paku pikë. Përkundër që hyri me vështirësi në listën e ngushtë, ai arriti të emërohet si anëtar bordi. Hoti nuk ishte fare në listën e ngushtë të rekomanduar nga Ambasada britanike.

Skënder Hoti ishte bashkëluftëtar me Fatmir Limajn dhe dëshmitar në rastin Bellanica. Ai e ka pranuar për “Gazeten Jeta në Kosovë” se ka shoqëri me kreun e Nismës, por e ka mohuar që është pjesë e Nismës.

“Po kam qenë dëshmitar në rastin Bellanica. E njoh [Fatmirin], i kam dosta të luftës krejt ata që kanë qenë në luftë”, tha ai për JNK.

Skender Hoti afër Demir Limajt || Foto: Facebook

Ai thotë se ka aplikuar për herë të parë për anëtar bordi.

“Jo atëherë s’kam apliku. Se pasna ditë. Jam punëtor i postës e tekekomit që 7 vite, kam përvojë”, tha ai.

Hoti ka foto me kreun e Nismës dhe anëtarë të kësaj partie edhe në rrjetin social në Facebook. Fotot janë shpërndarë nga Demir Limaj, vëllai i kreut të Nismës Socialdemokrate.

Gruaja e Deputetit të AAK-së

Besa Shatri Berisha, është gruaja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha. Ajo kishte qenë në listën e ngushtë tek komisioni dhe britanikët, madje ishte njëra nga më të poentuarat. E renditur sipas pikëve në procesin e rekrutimit, në listën që e ka dorëzuar komisioni në kuvend ajo është e para, ndërsa në rekomandimet e britanikëve figuron e katërta.

Por, Qeveria e Kosovës në rastin e bordit të Telekomit dhe bordeve të tjera nuk i ka përzgjedhur personat më të poentuar. Ajo thotë posti i burrit të saj nuk ka ndikuar në përzgjedhje. Ajo tha se kishte aplikuar për anëtare të bordit edhe në konkursin e kaluar kur në qeveri ishin LDK e PDK, konkurs që ishte anuluar.

“E vetmja arsye që kam apliku është se kanë qenë britanikët në proces, se përndryshe nuk kisha apliku”, tha ajo. Por, Gazeta JnK ka gjetur se lista e propozuar nga britanikët nuk është respektuar nga qeveria e Kosovës as me rastin e përzgjedhjes së bordit të Telekomit të Kosovës.

Tutje Shatri Berisha tha se po të votohej bordi nga Kuvendi, ku burri i saj është deputet do të ishte konflikt interesi, por meqë kjo është kompetencë e qeverisë kjo nuk paraqet konflikt.

“Unë si ju e kam marrë vesh prej mediave, kështu zyrtarisht hala s’kam njoftim. Po është hera e dytë që aplikoj, herën e parë kam qenë e para në listë, e tash s’jam e sigurtë po në media e kam pa që jam e dyta”, tha Shatri-Berisha për Gazetën JNK.

Besa Shatri-Berisha është menaxhere e kontabilitetit në KEK qe 10 vite. Po ashtu punon në komapninë ‘Audit Conto’ me orar jo të plotë dhe është këshilltare për financa një një OJQ vendore KRCT. Por tha se nuk do të jap dorëheqje nga asnjë pozitë, do t’i mbajë të gjitha punët.

“Nuk ka pasë kritere për mu dhanë dorëheqje, trijat i kam afatgjate. Po muj mi përballu, kur kam apliku e kam matë vetën. Nëse zgjidhem [në bord] ka me qenë sfiduese në fillim”.

Me zgjedhjen e saj si anëtare e bordit të Telekomit, Berisha-Shatri numëron 4 vende pune.

Sipas formularit të deklarimit të pasurisë së Bekë Berishës në Agjencinë Kundër Korrupsion, Besa Shatri Berisha të hyra vjetore ka deklaruar 71 mijë e 120 euro.

Shoku i Deputetit Mërgim Lushtakut

Sead Ujkani, është anëtari tjetër i bordit të Telekomit. Ai është mik i deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, djali i ish-kryetarit të Skenderajt.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me Sead Ujkanin, i cili e ka pranuar që është mikë me deputetin Mërgim Lushtaku. Por, thotë se ai nuk ka ndikuar që të bëhet anëtar i bordit të Telekomit.

I pyetur nga Gazeta se a ka ndikuar miqësia me djalin e Sami Lushtakut në përzgjedhjen e tij në borin e Telekomit, ai thotë që këtë miqësi e ka prej kohësh, por nuk mund të ndërlidhet me punën.

“Sa i përket pyetjes suaj për raportin me deputetin z. Mergim Lushtaku dhe ndërlidhjen e mundshme me përzgjedhjen time në këtë pozitë, ju konfirmoj që kemi njohje nga koha e studimeve si dhe ruajmë raport shoqëror dhe respekt të ndërsjellë, mirëpo angazhimet tona janë të ndara dhe gjithashtu ju konfirmoj që ky proces është i ndarë nga ky raport”, ka thënë Ujkani.

Gazeta disa herë e ka kontaktuar Mërgim Lushtakun, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe as pyetjeve të dërguara përmes SMS-ve.

Ai thotë që ka qenë kandidati i vetëm me përgatitje specifike.

“Një mbështetje e tillë nga mbikëqyrësit anglez, konsideroj që ka ardhur duke u bazuar në specializimit tim për PhD në fushën e kontabilitetit dhe auditimit në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin Staffordshire në Angli, duke qenë gjithashtu kandidati i vetëm me këtë përgatitje specifike”, ka thënë ai.

Ai është aktualisht asistent profesor në Fakultetin Ekonomik, ndërsa referuar CV-së së dërguar është kryesues i Bordit të Autobusëve në Mitrovicë.

Ujkani ishte i renditur i 4-ti në listën e komisionit vlerësues, ndërsa i 9-ti në listën e britanikëve.

Sead Ujkani, afër Mërgim Lushtakut

Përforcimi i AAK-së në bordin e Telekomit 

Fidel Krasniqi, është anëtari tjetër i bordit të ri të Telekomit. Në një postim të AAK-së në vitin 2013 në Facebook, thuhet se Krasniqi bashkuar kësaj partie si ekspert.

Ai ka thënë Gazetës që në AAK ka qenë i angazhuar vetëm si ekspert i jashtëm në kohën kur Besnik Tahiri kandidonte për Prishtinë.

“Unë kam punu në fushatën e Besnikut si ekspert i jashtëm në 2013. Jo s’jam marrë ma me politikë, s’i jam bashku AAK-së”, ka thënë ai për JNK.

Por, në postimet e tij në ‘Facebook’ ai ka shpërndarë foto të Daut Haradinajt dhe ka bërë thirrje të votohet AAK-ja.

I pyetur për afërsinë dhe simpatinë ndaj AAK-së, ai thotë se kjo është pyetje personale.

“Kjo është pyetje personale smuj me u përgjegj, kam simpati edhe për anëtarë e figura të ndryshme politike, është personale”.

Ai thotë se nuk ka aplikuar në konkursin e parë për anëtar bordi në këtë ndërmarrje.

“Absolutisht nuk më intereson nëse nuk zgjedhna dhe qeveria nuk më zgjedh. Nuk qon peshë kjo, a zgjedhna a nuk zgjedhna”. Por, ai u zgjodh.

Osman Ejupi, i cili ishte anëtar bordi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Suzana Andjelkovic janë dy anëtarët e fundit që plotësojnë Bordin e Telekomit.

Prej muajit dhjetor të vitit 2016, Telekomi i Kosovës ishte pa Bord të Drejtorëve.