Kolegjit “ISPE” i refuzohet akreditimi i programeve të reja për vitin e ri akademik

Nëse vendimi fillestar i Këshillit Shtetëror i Cilësisë mbetet në fuqi, Kolegji ‘ISPE’ nuk mund të fillojë punën në shtatë programe studimi që i kishte propozuar për akreditim për vitin akademik 2019/20.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i cili u mblodh me 15 dhe 16 janar të këtij viti, monitoroi programet të cilat tashmë kishin akreditim dhe vlerësoi programet e reja me të cilat kolegjet private kishin aplikuar për akreditim.

Faza e parë e vlerësimit dhe kontrollit të cilësisë, ishte konfirmimi nëse programet e reja kishin doktorë të fushës së ngushtë.

Këtë kriter sipas KShC-së nuk arriti ta përmbushë Kolegji ‘ISPE’, në shtatë programet me të cilat kishte aplikuar për akreditim.

Për secilin program studimi të nivelit Bachelor, duhet pasur tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence, ndërsa për studimet e doktoratës për secilin program duhen tre profesorë të asocuar.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të kolegjeve private, të cilat në disa programe kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo këto vendime nuk janë përfundimtare dhe mund të hyjnë në fuqi vetëm pas mbylljes së procesit të ankimimit.

Programet që nuk arritën të marrin akreditimin janë; ‘Studime evropiane’ në nivelin Master, ‘Studime të integruara evropiane’ në nivelin Bachelor, ‘Studime të sigurisë’ në nivelin Bachelor, ‘Ekonomik’ në nivelin Bachelor, ‘Psikologji’, ‘Gazetari’ dhe ‘Infermieri’.

Pas vlerësimit të programeve të reja, Këshilli Shtetëror i Cilësisë kërkoi që t’i dërgohet një letër Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për çështjen e doktoraturës së ish-drejtorit të këtij kolegji, Avni Mazreku, i cili tashmë është ligjërues dhe ishte propozuar nga kolegji si bartës programi.

Universiteti i Bremenit i kishte revokuar titullin e doktoraturës së Avni Mazrekut, pasi “Gazeta Jeta në Kosovë” kishte kontaktuar universitetin për ta pyetur për dyshimet e ngritura se një pjesë e temës së doktoraturës së Mazrekut ishte plagjiaturë.

Hetimi kishte nisur pas publikimit fillestar të ueb-faqes “Vroniplag” për numrin e faqeve të temës së doktoratës që dyshohet se janë plagjiaturë.

Vendimi për revokimin e titullit të doktorit është konfirmuar për “Gazeta Jeta në Kosovë” nga Lorenz Kahler, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit në Gjermani, aty ku u doktorua Mazrreku.

Kryetari i KShC-së, Gazmend Luboteni ka thënë për KALLXO.com se letra i është dërguar MAShT-it pas mbledhjes së 61-të përmes të cilës kanë kërkuar një përgjigje nga këta të fundit, rreth pretendimeve apo dyshimeve për plagjiaturë.

“Letra është dërguar në MASHT pas mbledhjes së KShC-së për rastin e z. Avni Mazreku, mirëpo ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje.”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me MAShT-in për ta konfirmuar nëse kanë pranuar një letër të tillë përmes të cilës KShC i kërkon atyre që të verifikojnë këto dyshime, mirëpo këshilltari politik i ministrit, Valmir Gashi ka deklaruar se ministri Shyqiri Bytyqi nuk ka pranuar një letër të tillë.

“Ministri Bytyqi nuk ka pranuar asnjë shkresë të tillë.”, ka thënë Gashi.

Përmes telefonit dhe adresës elektronike zyrtare, KALLXO.com ka kontaktuar me 26 shkurt dhe 11 mars të këtij viti, edhe me Avni Mazrekun dhe Kolegjin ISPE, për të marrë një qëndrim të tyre rreth këtyre çështjeve, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private.

Në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, Kolegjit ISPE iu refuzua akreditimi për të gjitha programet e propozuara.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti apo Kolegji mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Sa programe nuk iu akredituan Kolegjit ‘Iliria’?

Programet e Kolegjit “Universum” që dështuan të akreditohen

Lista e programeve që nuk u akredituan në UBT

Universiteti i Prizrenit me minus nëntë drejtime

Universitetit të Ferizajt i mbyllen mbi 50 për qind të programeve të studimeve

Universiteti publik i Gjakovës mbetet pa Fakultetin e Edukimit

Programet e studimit që i humbi Universiteti  i Gjilanit

Mitrovicasit mbesin pa Fakultetin Juridik dhe të Edukimit

Afër 50 për qind e drejtimeve në Universitetin e Pejës do mbyllen

 

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

 

 

 

 

 

 

 

ETIKETA

12 Mars 2019 - 10:28

Liridona Ademaj 12/03/2019 - 10:28
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Kolegjit “ISPE” i refuzohet akreditimi i programeve të reja për vitin e ri akademik

by Liridona Ademaj
NA NDIQNI

Send this to a friend