Kuvendi Komunal i Pejës, Pejë, 04 qershor 2015 Photo: Atdhe Mulla

Ish-asamblistët përvetësojnë laptopët e Komunës së Pejës

Tridhjetë asamblistë nga mandati i kaluar në Kuvendin Komunal të Pejës, nuk i kanë kthyer laptopët, të cilët komuna ua kishte dhënë në shfrytëzim.

Nga 35 ish-asamblistët e Pejës, vetëm pesë prej tyre i kanë kthyer laptopët. Ata janë blerë me para të Komunës dhe konsiderohen pasuri e komunale/

Nëntë (9) nga tridhjetë e pesë (35) asamblistet e mandatit të kaluar janë rizgjedhur për këtë mandat. Tre asamblistët e rizgjedhur përveç që nuk e kanë kthyer laptopin e vjetër, kanë marrë edhe laptopin e ri, tre e kanë kthyer të vjetrin dhe kanë marrë të riun. Janë vetëm tre asamblistë të rizgjedhur që kanë vazhduar me përdorimin e laptopit të vjetër pa e marrë të riun.

Menaxheri i prokurimit në Komunën e Pejës, Xhemë Berisha ka sqaruar për gazetën Jeta në Kosovë se në vitin 2013 komuna ka blerë dy lloje të laptopëve për asamblistët.

“Faturat shkruajnë që 30 copa janë marrë 320 euro edhe 5 copa 640 euro. Këta i kanë marrë qysh kanë dashtë, nuk e di unë pse janë dy lloje. Janë dy fatura”, ka treguar Berisha.

Taksat e qytetarëve të Pejës, kanë paguar gjithsej 12 mijë e 800 euro për laptopët e asamblistëve të mandatit të kaluar.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me 35 asamblistët e mandatit të kaluar, për t’i pyetur rreth arsyes së moskthimit të laptopit, mirëpo deri tani kemi pranuar përgjigje vetëm prej shtatë prej tyre.

Prej tre asamblistëve e rizgjedhur dhe që kanë marrë përsëri laptop, vetëm njëra prej tyre ka treguar arsyen e pranimit të kësaj pajisje edhe për këtë mandat.

Asamblistja Drita Krasniqi nga AAK, ka treguar për gazetën se laptopin e vjetër nuk e ka kthyer në komunë për arsye se ia ka dhuruar një organizate dhe se nuk ka qenë e informuar se duhet ta kthejë.

Sipas rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizata buxhetore, në Nenin 2, pika 3.2. sqarohet klasifikimi i pasurisë jo financiare nga aspekti i menaxhimit ku mund të thuhet se në këtë rast, pasuri e komunës cilësohet “Pasuria e cila është në përdorim dhe që është në pronësi të organizatës buxhetore, pavarësisht nga vendndodhja e tyre (në përdorim të personelit, brenda hapësirës punuese të organizatës buxhetore apo në hapësirën e ndonjë organizate tjetër buxhetore)”.

Në kapitullin e dytë tek ‘Regjistrimi i pasurisë jo financiare dhe dokumentimi i lëvizjes së tyre” në Nenin 5, në pikën 1.8. për klasifikimin e përgjithshëm të pasurive jo financiare kapitale përfshihen edhe “Pajisje të teknologjisë informative”, ku tek pika 2.4. për mobiliet dhe pajisjet klasifikohen edhe “Kompjuterët” apo laptopët.

Gjithashtu, në nenin 3, të pikës 3 thuhet se të gjitha pasuritë jofinanciare materiale dhe jomateriale i takojnë organizatës buxhetore, në këtë rast Komuna e Pejës.

“Pasuri jokapitale – nënkupton të gjitha pasuritë jofinanciare materiale dhe jomateriale: (a) që kanë afat të përdorimit më shumë se një vit: (b) që kanë vlerë financiare më pak se 1.000 €: dhe (c) pronësia dhe kontrolli i përfitimeve mbetet te organizata buxhetore”, thuhet në këtë nen.

Shuma totale e çmimit për blerjen e laptopëve nga Komuna e Pejës, kap vlerën prej 12 mijë e 800 eurove, kontratë kjo e cila kishte filluar me 17 dhjetor të vitit 2013 dhe kishte përfunduar me 18 dhjetor të vitit 2015.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Pejë, Islam Husaj ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se në fillim të mandatit, asamblistët janë pajisur me laptopë në mënyrë që të mos shpenzojnë letër sepse sipas tij, ‘llogaria në fund ka qenë më e shtrenjtë për letër se sa për materiale të tjera si laptopë’.

Ai tha se moskthimin e laptopëve, ish-asamblistët po e arsyetojnë si material shpenzues duke thënë se materialet për secilën mbledhje ‘mos të na i kishin dhënë laptopët do të ishte dashur të na i dërgoni me letër’.

“Si të zgjedhur të popullit unë nuk kam mekanizëm detyrues që t’i detyrojë ata që t’i kthejnë. Shkresën ua kam dërgu, kërkesën e kam bërë. Këta që janë përsëri anëtarë të Kuvendit, kësaj radhe kur kanë ardh me i pranu të rinjtë, kam kërkuar që t’i kthejnë të vjetrit dhe nuk i kanë sjellë”, ka thënë Husaj.

Foto: KALLXO.com

Në listën e siguruar nga gazeta JnK, kryesuesi i asamblesë komunale Islam Husaj nga LDK, ka kthyer laptopin e vjetër në maj të vitit 2018, asamblisti i LDK-së Milazim Shala dhe asamblisti i AAK-së Nazmi Krasniqi nuk e kanë marrë laptopin e ri, por kanë vazhduar punën me të vjetrit.

Asamblistët që kanë kthyer laptopin e mandatit të kaluar janë; Gëzim Devolli nga LDK, Bekim Morina nga LDK me 22 janar të vitit 2019, Mevlyde Idrizi nga VV me 15 nëntor të vitit 2018 dhe Muhedin Sylqa nga PD me 22 shkurt të vitit 2019.

Ish asamblisti nga radhët e AAK-së, Musa Nikqi ka thënë për gazetën se laptopin e ofruar nga komuna e Pejës, e kishte shfrytëzuar në vend të materialeve të shtypura.

“Kam qenë anëtar i Komisionit për emërimin e “Rrugëve dhe shesheve”, për komunën e Pejës. Prandaj, konsideroj se pas pesë viteve shërbim intensiv me të, mendoj se është shpenzuar në tërësi si teknologji.”, ka deklaruar Nikçi.

I pari i Kuvendit Komunal tutje ka ritheksuar se ish-asamblistët po konsiderojnë që laptopi për mandatin e kaluar katërvjeçar, është një material harxhues dhe nuk është më i vlefshëm për ta shfrytëzuar.

“Megjithatë nuk ka ndonjë rregull brenda për brenda komunës që anëtarit të kuvendit të detyrohet që ta kthejë, kam kërkuar edhe nga zyra ligjore dhe administrata që të japin informatë se si duhet të veprojë në këtë rast.”, ka deklaruar më tej Husaj për gazetën.

Asamblistja Drita Krasniqi e cila përfaqëson AAK-në, ka thënë për gazetën se laptopin e mandatit të kaluar, e kishte dhuruar për organizatën joqeveritare “KMDLNJ” në Pejë, ‘për ta përkrahur meqenëse ka nevojë’.

“Në fillim na është thënë se nuk ka nevojë të kthehen sepse laptopët dhe kompjuterët hyjnë në kategorinë e materialeve shpenzuese të komunës. Po nëse është nevoja e kthej të riun pa asnjë problem, ja kam bërë me dije edhe kryesuesit.”, ka thënë Krasniqi.

Mirëpo sipas rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizata buxhetore, Neni 9, pika 1 thotë se “Tjetërsimi i pasurisë financiare bëhet në bazë të vendimit të aprovuar nga Zyrtari Kryesor Administrativ. Vendimi duhet të bazohet në rekomandimet e pranuara nga Komisioni për Vlerësim të Pasurisë jo Financiare, i bazuar në vërejtjet e shënuara nga Komisioni për Inventarizimin e Pasurisë jo Financiare. Arsyeshmëria e tjetërsimit të pasurisë duhet të bazohet në faktin që pasuria është e pa përdorshme dhe jashtë funksionit të organizatës buxhetore”.

Ndërkaq pika 3.3. për tjetërsimin e pasurisë thotë se ai mund të ndodhë edhe në rast të “Dhënies në formë të dhurimit apo transferit”. Pika 8 tutje thotë se “Dhënia në formë të dhuratës apo transferit te individët dhe shoqatat jo qeveritare të pasurisë jo financiare duhet të arsyetohet duke përshkruar qëllimin e dhënies së dhuratës apo transferit”.

Gëzim Devolli nga radhët e LDK-së, i cili ka qenë asamblist në mandatin e kaluar dhe është rizgjedhur, ka thënë se laptopin që ka pranuar nga komuna në mandatin e kaluar, e ka dorëzuar tek sekretari i Kuvendit Komunal.

“Laptopin e marrë nga KK Pejë, e kam kthyer në sekretarinë e KK Pejë. Mund ta verifikoni në sekretari.”, është përgjigjur shkurt asamblisti Devolli.

Ish-asamblisti i AAK-së, Blerim Nikçi në një përgjigje përmes adresës elektronike, i ka thënë gazetës se nuk e ka kthyer laptopin, sepse nuk i është kërkuar nga komuna dhe siç deklaron ai, nuk ka besuar se kjo pajisje mund t’i shërbejë dikujt tjetër pas katër vitesh përdorim.

Mirëpo Nikçi tutje ka shtuar se në momentin që do t’i kërkohet nga komuna që ta kthejë këtë pajisje, ai do ta bëj.

“Sigurisht që do ta kthej edhe pse unë nuk kam hequr dorë nga politika dhe nga jeta publike (që ka qenë qëllimi edhe pse na janë dhënë që të na shërbejnë për këto qëllime). Po më gëzon fakti që gjërat qe kanë rregullu deri në këtë masë sa të kërkohet një pajisje elektronike pas 5 vjetësh përdorim”, ka thënë tutje ai.

Ndërkohë, asamblistja Xhenet Syka-Kelmendi që mandatin e kaluar përfaqësonte AAK-në dhe në mandatin aktual është pjesë e LDK-së, ka thënë për Gazeten JnK se pas emërimit të saj në pozitën e drejtoreshës për Zhvillim Ekonomik, ka dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistes.

“Laptopin që më është dhënë në shfrytëzim nga mandati i kaluar 2013-2017 si asambleiste, e kam në zyrën time dhe vazhdoj ta përdori zyrtarisht pasi që nuk e kam porositur një të tillë për detyrën e re! Gjithsesi se laptopi është aset i Komunës së Pejës dhe ashtu do të mbetet! Në mandatin 2017-2021 ndonëse përsëri jam zgjedhur asambleiste nuk e kam marr fare laptopin e ri!”, ka deklaruar Syka-Kelmendi.

Asamblisti i AAK-së, Naim Sahiti ka thënë për gazetën se asnjëherë nuk i është kërkuar kthimi i laptopit, pas përfundimit të mandatit të tij.

“Në momentin e parë që më kontakton dikush nga personat zyrtar se duhet të kthehet ai llaptop menjëherë do ta kthej se nuk kam asnjë arsye ta mbaj nëse duhet të kthehen”, është përgjigjur Sahiti përmes adresës elektronike.

Rreth deklaratave të këtyre asamblistëve se asnjëherë nuk iu është kërkuar që ta kthejnë laptopin, gazeta JnK ka siguruar një komunikim zyrtar të cilin kryesuesi i Kuvendit Komunal, Islam Husaj ua kishte dërguar asamblistëve me 31 maj të vitit 2018, përmes të cilit u është kërkuar që të kthejnë këto pajisje.

“Kuvendi Komunal në mandatin e kaluar duke respektuar të gjitha procedurat ligjore, ka bërë pajisjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit me laptopë, në mënyrë që t’i keni materialet e Kuvendit dhe KPF-së në formë elektronike. Këta laptopë janë asete të Komunës së Pejës dhe janë të regjistruar në regjistrin e pasurisë së Komunës, prandaj ju lutem që këta laptopë t’i ktheni dhe t’i dorëzoni tek zyrtari i Kuvendit të Komunës z. Avni Gashi i cili do t’i procedoj më tej tek Komisioni për Çështje Materiale. Kemi obligim ligjor që të respektojmë këtë kërkesë në mënyrë që të mos bëjmë shkelje të rregullave të cilat janë në fuqi për pasurinë e Komunës”, thuhet në kërkesën drejtuar asamblistëve të mandatit të kaluar.

Asamblistët e mandatit të kaluar të cilët nuk i kanë kthyer laptopët, sipas listës zyrtare që gazeta ka siguruar janë: Gyltene Zeka nga LDK, Naser Gega nga LDK, Mentor Bajri nga LDK, Arton Ahmetaj nga LDK, Shpresa Lukaj nga LDK, Kosovare Kastrati nga LDK, Genc Beqiri nga AAK, Musa Nikçi nga AAK, Blerim Nikçi nga AAK, Naim Sahiti nga AAK, Arzen Bytyqi nga AAK, Galdim Krasniqi nga AAK, Drita Krasniqi nga AAK, Ilirjana Gafuri nga AAK, Muhamet Halitaj nga PDK, Besim Qelaj nga PDK, Gazmend Shabaj nga PDK, Shaban Kuçi nga PDK, Drita Haxhijaj nga PDK, Sovrane Bujupi nga PDK, Avdi Shkreli nga VV, Luljeta Kelmendi-Rexhepi nga PD, Burim Basha nga AKR, Elbert Krasniqi nga IRDK, Milos Dimitrijeviq nga GIS, Senad Daçiq nga SDA, Rustem Nurkoviq nga VAKAT. Të gjithë këta janë kontaktuar përmes emailit, mirëpo gazeta nuk ka pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit.

Në anën tjetër, ata që kanë qenë asamblist mandatin e kaluar dhe që janë zgjedhur edhe këtë mandat, e që kanë marrë laptopë të ri pa e kthyer atë të vjetrin, sipas listës zyrtare që gazeta JnK ka siguruar janë: Naser Gega nga LDK, Drita Krasniqi nga AAK dhe Muhamet Halitaj nga PDK.