‘Homazhe për lumin e vdekur’, kundërshtohet operimi pa leje i hidrocentraleve në Deçan

Me kurora në duar dhe pankarta që kundërshtonin operimin pa leje, të shtunën në mesditë është protestuar në grykën e maleve të Deçanit kundër hidrocentraleve të kompanisë “KelKos Energy”.

Qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile, Deputetë të Kuvendit të Kosovës e asamblistë të Kuvendit Komunal të Komunës së Deçanit, kërkuan nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë ndërprerjen e punës në dy hidrocentralet, “Bellaja” dhe “Deçan”, që operojnë në grykën e Deçanit pa leje.

Kjo protestë vjen vetëm pak ditë pasi Bordi i ZRrE-së pranoi një kërkesë të operatorit ekonomik “KelKos Energy” për shtyrjen e afatit për kompletimin e dokumenteve edhe për 90 ditë të tjera.

Adriatik Gacaferi, njëri nga organizatorët e protestës tha se protesta do të duhej të ndodhte gjashtë vjet më parë, kur edhe ka nisur punën kompania “KelKos”, por sipas tij, atë kohë ishte prezantuar diçka tjetër nga komunarët e Deçanit.

“Kjo protestë vjen si shenjë e pakënaqësisë të vendimit të ZRrE-së që ia ka lejuar kompanisë “KelKos” që i ka në pronësi hidrocentralet me punu edhe 90 ditë të tjera pa leje. Sikur mos të mjaftonte që ka punuar qe gjashtë vite, tash edhe 90 ditë tjera, vazhdon me punu pa leje. Gjithçka ka nisur gjashtë vjet më parë, dhe ne në fakt u dashtë me protuestu gjashtë vite më parë, por si pasojë e mashtrimeve që kanë ndodhur në komunën e Deçanit, për një projekt 55 milionë duke thënë se këtu do të ndodhin investime, kanë me u punësu qytetarët, qytetarët nuk kanë protestuar në atë kohë”, tha ai para protestuesve të shtunën.

Foto: KALLXO.com

Në protestën e sotme pati qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Ellen Lajçi, nga organizata jo- qeveritare “Era” tha se kanë ardhur nga Peja për t’i përkrahur banorët e komunës së Deçanit.

Ajo tutje tha se nga hidrocentralet pa leje po dëmtohen jo vetëm banorët e Deçanit, por të gjithë Kosovës.

“Ne sot kemi ardhur këtu të ju përkrahim prej Rugovës, ka qenë edhe një grup prej Shtërpcës, krejt komunitetit që janë prekë prej temës së hidrocentraleve, të përkrahim këtë komunitet që është rrezikuar uji, uji për pije dhe uji për ujitje, dhe në fakt në krejt Kosovën. Më shumë se 20 mijë banorë janë pa ujë me një qëllim direkt, dhe dy burime janë shkatërruar, kur janë ndërtuar hidrocentralet. Për neve mjaft është mjaft, boll është boll”, deklaroi amerikania Ellen Lajci, aktiviste e shoqërisë civile.

Simbolika, homazhe për lumin e vdekur

Drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Era”, Fatos Lajçi tha se lumi “Lumbardh” ka vdekur, andaj, sipas tij, sot kanë ardhur këtu që të bëjnë homazhe.

Sipas Lajçit, është zhgënjyese që sot bashkë me qytetarët në protestë nuk janë njerëzit përgjegjës që lejuan operimin e hidrocentraleve pa leje.

Foto: KALLXO.com

“Është shumë zhgënjyese që në vendin tonë është dashtë të jenë Ministria e Mjedisit, Agjecioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Drejtoria e Parkut për Bjeshkët e Nemuna që ta mbrojnë këtë pasuri kombëtare e jo ne. Ne jemi të detyruar që çdo ditë të protestojmë. Mua më vjen keq, lumi veçse është i vdekur, ne kemi ardhur që të ia bëjmë një homazh sot lumit, njëjtë si një dëshmori që ka rënë për lirinë që ne sot e gëzojmë”, deklaroi ai.

Paralajmërohet inicimi i një Komisioni hetimor Parlametar

Në protestë u panë edhe deputet të Kuvendit të Kosovës. Liburn Aliu, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor paralajmëroi se do të iniciohet një Komision hetimor për hidrocentralet pa leje në këtë anë.

“Kosova ka një plan nga viti 1985, i cili ka qenë plan afat gjatë, për menaxhimin e resurseve ujore dhe në bazë të atij plani, një hidrocentrali si ky nuk parashihet, ne kemi bazë që të dyshojmë mbi mënyrën sesi është dhënë pëlqimi mjedisor, pëlqimi ujor për këtë hidrocentral. Dhe konsiderojmë që është e domosdoshme që sa më shpejt të filloi një Komision Hetimor që t’i shqyrtojmë të gjitha ato allaborate dhe ato leje mjedisore”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Sipas tij, me vazhdimin e afatit nga ana e Bordit të ZRrE-së për kompaninë “KelKos”, duhet të merret Prokuroria e shtetit.

“Unë mendoj që e tërë kjo kohë e punës së këtij hidrocentrali pa leje pune, është shkelje ligjore, dhe kjo shtyrje e këtij afati, vazhdon prapë të jetë shkelje ligjore, unë mendoj që e gjithë kjo duhet të hetohet dhe mendoj që ka hapësirë për prokurorinë”, tha Aliu.

Foto: KALLXO.com

Ndërsa, zëdhënsia e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, kërkoi nga ZRrE që sa më shpejt të veproj ndaj kompanisë “KelKos” që po operon pa leje.

“Mobilizimi qytetarë në ditë si kjo është shumë i rëndësishëm, do të duhej të ndodhte tash e më shumë se pesë vite, ky nuk është shfrytëzim i energjisë së ripërtritshme, është shkelej e ligjeve të Kosovës fillimisht, sepse “KelKos” dhe hidrocentralet këtu po veprojnë pa leje mjedisore dhe ZRrE duhet të reagoj sa më shpejt në ndalimin e operimit të jashtëligjshëm”, deklaroi Kuçi.

Bordi i Rregullatorit për Energji në mbledhjen e shtatë për vitin 2019 vendosi që dy Hidrocentralet e kompanisë “KelKos Energy” në grykën e komunës së Deçanit, “Bellaja” dhe “Deçan”, të operojnë pa leje edhe për 90 ditë të tjera.

Një vendim i datës 28 mars i këtij viti, obligonte kompaninë “KelKos Energy” që brenda 90 dite të pajiset me Certifikatë të Përdorimit dhe Leje Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë në mënyrë që të pajiset me Licencë për prodhimin e rrymës elektrike.

Por, ky vendim nuk është respektuar nga operatori ekonomik “KelKos Energy”.

Kjo kompani ka bërë një kërkesë në drejtim të ZRrE-së për të kërkuar shtyrjen e afatit kohor prej tre muajve për kompletimin e dokumenteve për tri Hidrocentralet, “Bellaja”, “Deçan” dhe “Lumbardh II”.

Bordi i ZRrE-së votoi unanimisht për dy hidrocentralet, “Bellaja” dhe “Decan” që të shtyhet afati edhe për tre muaj, ndërsa për Hidrocentralin e tretë, “Lumbardh II” anëtarët e Bordit votuan me nga dy vota pro dhe dy kundër.

Bordi i ZRrE-së ishte i përbërë nga Arsim Janova, kryesues, Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj anëtarë.

Operimi pa leje

Siç thuhet në vendimin e ZRrE-së të datës 28 mars, e të cilin e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, “KelKos Energy” me datë 24 shkurt të vitit 2016 kishte bërë një kërkesë për marrjen e licencës për prodhimin e energjisë elektrike. Pas shqyrtimit të kërkesës, ZRrE kishte vërejtur se kompanisë i kishte munguar leja mjedisore, e cila lëshohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe siç thuhet në vendim, nga ajo kohë deri më tani, “KelKos Energy” nuk e ka dërguar lejen mjedisore në ZRrE.

Lumbardhi në Deçan

ZRrE ishte njoftuar zyrtarisht me datë 22 janar 2019 nga MMPH se kompania “KelKos Energy” nuk kishte aplikuar në këtë Ministri për leje Mjedisore për prodhim të rrymës elektrike.

Ndërsa, më 1 mars të këtij viti, vetë ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kishte njoftuar ZRrE-në se operatori ekonomik “KelKos Energy” nuk i kishte plotësuar të gjitha kushtet administrative për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh të Deçanit, dhe si rrjedhojë Ministria kishte vlerësuar se nuk janë plotësuar kriteret ligjore për operim.

Ndonëse, “KelKos Energy” nuk i kishte plotësuar kushtet dhe dokumentet e nevojshme, operimi në dy hidrocentralet, “Bellaja” dhe “Deçan”, ishte lejuar me kushtin që brenda 90 ditëve kompania t’i plotësojë dokumentet e nevojshme, por ky afat është vazhduar edhe për tre muaj të tjerë.

Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale

 

www.kallxo.com