Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Gjykata e re për krime të luftës në Kosovë "e dënuar të dështojë”

Nisma e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli për të themeluar një gjykatë të mbështetur ndërkombëtarisht për krimet serbe të luftës që do ta dëshmonte Serbinë fajtore për gjenocid është një iniciativë e dështuar me motive të diskutueshme, thonë ekspertë nga shoqëria civile dhe nga partitë politike opozitare.

Ndërsa ecte përmes ekspozitës së fotografit Izedin Krasniqi në Muzeun e Mitrovicës – një dokumentim tronditës i burrave, grave dhe fëmijëve të detyruar të largoheshin nga qyteti në veri të Kosovës si refugjatë në vitet 1998 dhe 1999 – kryetari i Kuvendit i Kuvendit deklaroi se këto foto ishin dëshmi vizuale për një gjenocid që kishte ndodhur në Kosovë.

“Ndërkohë që kriminelët që kanë kryer gjenocid dhe masakra në Kosovë nuk po gjykohen dhe janë lënë të lirë në Serbi, ne vazhdojmë të kujtojmë dhimbjen dhe plagët e hapura,” tha ai të shtunën.

“Ne duhet të veprojmë dhe të formojmë gjykatën ndërkombëtare dhe të sjellim përpara drejtësisë të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer gjenocid dhe krime ç’njerëzore në Kosovë,” shtoi ai.

Kryetari i Kuvendit viziton ekspozitën e Izedin Krasniqit.
Foto: Facebook-u i Kadri Veselit.

Partia politike opozitare Vetëvendosje ka qenë partia e vetme që është deklaruar në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër propozimit të Veselit për të ngritur një gjykatë që do të hetonte më tutje krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë – një nismë që ai është duke shtyrë që nga prilli – duke deklaruar se trajnimi i sistemit kombëtar të drejtësisë në Kosovë që të përpiqet dhe të ndëshkojë krimet e luftës, është më e rëndësishme.

Anëtarë kyç nga shoqëria civile kanë qenë edhe më të zëshëm në kritika. Përpjekjen e Veselit për të klasifikuar aktet gjatë luftës së Kosovës si gjenocid, ata e kanë quajtur si “i projektuar për të dështuar”, duke e dënuar atë që ata e quajnë “oportunizëm të tij politik” dhe duke e akuzuar atë se është duke e bërë “një padrejtësi ndaj viktimave të luftës”.

I projektuar për ‘konsum të përditshëm politik’

Veseli ka nisur një seri iniciativash të ndryshme në javët e fundit, duke përfshirë një rezolutë që vërteton ekzistencën e gjenocidit në Kosovë e të cilën Kuvendi i Kosovës e miratoi ditë më parë muajin e kaluar dhe një projekt-ligj që propozon kriminalizimin e mohimit apo minimizimit të gjenocidit.

Sipas Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, propozimi i tij për të ngritur një gjykatë ka hasur në një rezistencë të madhe, pasi hollësitë vendimtare se si Veseli synon të ngrejë një gjykatë penale ndërkombëtare nuk duken askund në horizont.

Sipas Blakaj, zona e paqartësisë që ka të bëjë me gjenocidin e për të cilin asnjë gjykatë vendase apo ndërkombëtare në lidhje me krimet në Kosovë asnjëherë nuk e ka konfirmuar të ketë ndodhur, ka shkaktuar akuza se Veseli ka motive për të sjellë drejtësi për viktimat e luftës për pavarësi.

“Kjo ka të bëjë më shumë për konsumin e përditshëm të brendshëm, konsumin politik, [pa]ndonjë efekt përtej kufijve të Kosovës dhe pa ndonjë efekt ligjor”, tha Blakaj.

Deputetja nga radhët e Lëvizjës Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se mungesa e vullnetit të mirë politik nga ana e Qeverisë së Kosovës ka rezultuar me pandëshkueshmërinë për krimet e luftës në Kosovë.

“Pikërisht ata politikanë që kanë ndihmuar Serbinë të rehabilitohet në skenën ndërkombëtare po përpiqen të shfaqen sikur po kërkojnë ndëshkime ndërkombëtare për krimet”, tha Haxhiu për Prishtina Insight. “Kosova, si vend i pavarur, duhet të gjykojë dhe të dënojë vetë krimet e luftës”.

Aidan Hehir, një studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit në Mbretërinë e Bashkuar, deklaroi se, duke pasur parasysh pamundësinë ligjore të nisjes për themelimin e gjykatës, Veseli nuk ka asnjë qëllim real të shohë propozimin e tij teksa realizohet.

“Ndërkohë që projekt propozimi ka disa merita në letër, është e vështirë të mos e shohësh këtë si diçka më pak për të sjellë drejtësinë dhe më shumë për të përjetësuar një narrativë që e përforcon pozitën e një elite të veçantë brenda Kosovës”, tha Hehir.

“Ata që propozojnë rezolutën kanë demonstruar gatishmërinë për ta përdorur fatin e shumë viktimave vetëm si armë kundër Serbisë ose si një mjet për të shmangur vëmendjen sa më larg nga keqqeverisja e tyre”, shtoi ai.

Themelimi i gjykatës së re, ‘pothuajse, sigurtë se do të jetë dështim’

Ekspertët pajtohen se ka zero mundësi që Kosova të ketë autoritetin ligjor për të përmbushur propozimin e saj brenda kornizës së OKB-së për themelimin e gjykatave penale ndërkombëtare.

“Unë mendoj se kryetari i Kuvendit është i vetëdijshëm se vetëm Kombet e Bashkuara mund të kenë një mandat për të krijuar tribunalet ndërkombëtare”, tha Blakaj.

Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish Jugosllavi, ICTY, u themelua si i tillë në vitin 1993.

“Ideja e propozuar nga Veseli për të themeluar një gjykatë të posaçme është e destinuar të dështojë; çdo tribunal ndërkombëtar do të kërkonte pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili pëlqim do të ishte i paimagjinueshëm duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë “, tha Hehir.

“Është e pamundur të besohet se ai dhe këshilltarët e tij nuk janë të vetëdijshëm për këtë, dhe kështu propozimi është qartazi vetëm një teatër politik”.

Dy pyetje kyçe mbeten pa përgjigje në lidhje me propozimin e Veselit, pavarësisht faktit që po bëhet gati një muaj që kur ai filloi të shtyjë idenë e tij. Sipas Blakajt, kush do të hetohet, dhe për çka do të hetohet, nuk u bë e qartë asnjëherë.

Veseli gjithashtu është kthyer midis deklarimit të parë se ai synon të përcaktojë se shteti i Serbisë është përgjegjës për krimin e gjenocidit në Kosovë dhe pastaj deklaratën se tribnunali i tij do të synojë individët e përfshirë në kryerjen e krimeve.

“Ai nuk i referohet vetëm Serbisë në tërësi, por edhe individëve që përfaqësonin institucionet serbe,” vuri në dukje Blakaj.

“E kam dëgjuar atë në dy ose tre raste ku kishte mesazhe për kryesit e veprave penale në Serbi si:” Ne po vijmë “dhe” Ne do t’ju arrestojmë.” Fillimisht, është çmenduri të mendosh se ai mund të shkojë në Beograd dhe arrestojnë autorët atje. Por është e qartë nga kjo se ai po mendon gjithashtu në rrafshin individual.”

Fillimisht Veseli ka shprehur synimin për të ngritur një gjykatë për të hetuar krimet serbe të luftës në Kosovë, në muajin shkurt. Megjithatë, që nga prilli, qëllimet e tij kanë ndryshuar. Gjatë fjalimeve që shënuan përvjetorët e 20-të të masakrave që ndodhën në Kosovë në vitin 1999, Veseli filloi të thotë se konfirmimi i krimit gjenocidial, në vend të krimeve të luftës, ishte qëllimi kryesor.

Kryetari i Kuvendit vendos një kurorë gjatë 20 vjetorit të masakrës në Poklek në prill.
Foto: Facebook i Kadri Veselit.

Në gjykatat ndërkombëtare, disa denime të suksesshme të individëve për gjenocid, tashmë kanë ndodhur. Është shumë e vështirë të dëshmohet e vërteta. Dënimi i parë është dhënë në lidhje me vrasjet masive në Ruandë në vitin 1994 dhe i dyti ishte për vrasjen e boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995, nga ICTY.

Tash vonë, Nuon Chea dhe Khieu Samphan u dënuan në nëntor të vitit 2018 për kryerjen e gjenocidit në Kamboxhia për periudhën kohore 1975 deri në 1979.

Jashtë gjykatës së krimeve të luftës të ngritur nga OKB, përpjekjet për të vërtetuar se shteti serb ishte përgjegjës për gjenocid, kanë pasur rezultate të përziera në Ballkan.

Edhe Bosnja dhe Hercegovina, edhe Kroacia kanë filluar procedurat para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke pretenduar se Serbia ka shkelur Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, por vetëm Bosnja ishte e suksesshme.

Në vitin 2007, GJND-ja përcaktoi se Serbia nuk kishte arritur të parandalonte gjenocidin që ndodhi në Srebrenicë më 1995.

BIRN ka kontaktuar zyrën e kryetarit të Kuvendit për të kërkuar vendndodhjen, financimin dhe juridiksionin e propozuar të gjykatës, por nuk mori ndonjë përgjigje.

Dënimet për gjenocid marrin shumë kohë

Pasi u themelua në 1993, ICTY mori më shumë se 1.000 dëshmi nga dëshmitarët dhe, nëntë vjet para se të shpallë dënimin e parë në vitin 2001 për krime gjenocidiale kundër një individi, Radisllav Krstic.

Ndërsa Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka mbledhur provat dhe dëshmitë e mbi 17,000 individëve dëshmitarë gjatë luftës së Kosovës – dhe ndërsa Blakaj beson se elementet e krimit të gjenocidit ishin të pranishëm – ai nuk është i bindur se gjenocidi mund të njihet përkundër provave të Fondit për të Drejtën Humanitare.

“Asnjë gjykatë apo vendim nuk ka konfirmuar se gjenocidi [ndodhi] në Kosovë, as edhe një gjykatë vendase, as në Serbi ose në Tribunalin e Hagës,” tha ai.

“Nuk e di nëse kanë ndonjë plan që të na angazhojnë në këtë komision, por për mua është e qartë se edhe nëse na ftojnë, ne nuk do të bëhemi pjesë e diçkaje që është e projektuar të dështojë”, shtoi ai.

“Ne kemi dokumentuar pothuajse çdo viktimë, dhe ndonjëherë ju keni ato elemente [të krimeve gjenocidiale]; krimet janë kryer me plan dhe në mënyrë sistematike, ishte një shembull i saktë i krimeve – civilët u detyruan të largoheshin nga fshatrat, burrat u ndanë nga gratë, u vranë, trupat e tyre u zhdukën, u detyruan të largohen nga Kosova dhe u detyruan ta lënë identitetin e tyre kosovar prapa. Nuk e di nëse kjo mund të jetë e mjaftueshme, është shumë e vështirë të dokumentosh të gjitha”.

Kuvendi nuk është vendi i duhur për t’u marrë me gjenocid

Gjatë një seance të Kuvendit, ditën e hënë ku debatohej për propozimin e tribunalit të Veselit, ky i fundit propozoi që një komision kombëtar i përbërë nga politikanët dhe shoqëria civile të mbledhin dëshmi para fillimit të tribunalit, por dha pak detaje mbi natyrën e informacionit që do të mblidhej.

Deputetët opozitarë nga Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, u larguan nga salla e Kuvendit gjatë debatit, në shenjë proteste ndaj deputetes Flora Brovina e cila shfaqi për media një fotografi të falsifikuar të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë gjatë seancës së mëhershme të Kuvendit. Kjo shtyri partitë opozitare dhe shoqërinë civile të kërkojnë dorëheqjen e saj duke e akuzuar atë se po përdorë vuajtjet e viktimave për përfitime politike.

“Krimet gjenocidale të Serbisë nuk mund të mbeten të pandëshkuara, por gjykatat ndërkombëtare janë themeluar vetëm në raste të specifikuara qartë dhe nuk mund të iniciohen sipas kërkesës sonë”, tha Haxhiu. “Ne besojmë se gjyqësori i Kosovës mund të trajnohet, kjo është madje e nevojshme, për të gjykuar dhe për të ndëshkuar krimet e luftës”.

Blakaj tha se Kuvendi nuk është vendi i duhur për t’u marrë me çështjen e ekzistencës së gjenocidit në Kosovë.

Prishtina Insight poashtu ka kontaktuar zyrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigjje për pozicionin e qartë të LDK-së rreth idesë së Veselit.

“Unë nuk mendoj se Kuvendi është organi i duhur apo organi më profesional për të konkluduar se gjenocidi ka ndodhur,” tha Blakaj. “Kuvendi nuk është ai organ; duhet të jetë një gjykatë ose një komision ndërkombëtar “.

Veton Surroi, ish politikan dhe publicist, ndanë të njejtin mendim duke e dënuar gjithashtu dështimin e Kosovës për trajtimin e çështjes së krimeve të luftës nëpërmjet platformave të qëndrueshme që nga fillimi i dialogut BE-Serbi në Bruksel.

“Të mos harrojmë se gjatë 4000 ditëve që Kosova dhe Serbia kanë qenë të angazhuara në dialog, ne nuk kemi ndarë as edhe një ditë të vetme për të diskutuar çështjen e personave të zhdukur, dhunës seksuale apo përgjegjësisë së shtetit të Serbisë në atë kohë, për shkatërrimin që kishte shkaktuar”, tha Surroi.

Ndërsa Veseli po provon ta përfshijë tribunalin në ndonjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ekipi negociues i Kosovës për dialogun, i cili e ka përfshirë këtë propozim në platformën e vet, akoma nuk është angazhuar në bisedimet lidhur me dialogun, pavarësisht se ky ekip u formua gati pesë muaj më parë.

Po ashtu janë shfaqur spekulime se propozimi është i lidhur me ftesën që ka marrë Veseli për të dëshmuar para Dhomave të Specializuara të Prokurorisë Speciale të Kosovës me qendër në Hagë, apo edhe për të shmangur pretendimet e tij për mashtrim.

“Nuk e di nëse kjo ka të bëjë në lidhje me thashethemet se ai ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara për të dhënë dëshmi apo jo, por unë nuk mund të shoh ndonjë arsye tjetër”, tha Blakaj. “Ndoshta ai është duke u përpjekur të e ndalojë punën e Dhomave të Specializuara, por këto janë vetëm thashetheme.”

Asnjë shenjë e mbështetjes ndërkombëtare

Veseli gjithashtu ka mohuar pretendimet se bashkësia ndërkombëtare nuk do ta mbështesë krijimin e një tribunali.

“Nëse do të ishin kundër, a nuk mendoni se ata do të kishin dale me një deklaratë?” tha ai në një intervistë për programin televiziv të BIRN, Jeta në Kosovë.

“Unë kam mbështetjen dhe gjykata ndërkombëtare do të ndodhë; lejeni skepticizmin me një anë. Do të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vendorët”.

Ky pretendim duket i dyshimtë. Përveç ambasadës britanike, e cila e ka kritikuar këtë ide si oportuniste, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë e ka injoruar tërësisht iniciativën e Veselit.

Në fund të muajit maj, ambasadori britanik Ruari O’Connell doli kundër. “Kosova nuk mund të formojë një tribunal ndërkombëtar. Kosova ka gjykatat e saj që duhet të gjykojnë krimet e luftës”, tha ai përmes llogarisë së tij në Facebook.

Samuel Paice, nga ambasada britanike, më tutje tha për BIRN: “Është e rëndësishme që akuzat për krime të rënda gjatë konfliktit të hetohen nga institucionet e duhura, në një mënyrë që, para se gjithash, të prioritizojë drejtësinë dhe mbështetjen për të mbijetuarit, viktimat dhe familjet e tyre”, tha ai.

“Kjo duhet të bëhet bazuar në ligj dhe nuk duhet të nxitet nga oportunizmi i ngushtë politik”, shtoi ai.

BIRN ka kontaktuar ambasadat amerikane, franceze dhe gjermane për qëndrimet e tyre rreth idesë së Veselit, por asnjëra prej tyre nuk u përgjigj në kohën e publikimit.

Sipas Blakajt, Veseli ka provuar të nxisë parlamentet në Evropë të nxjerrin rezoluta në mbështetje të shpalljes së akteve të kryera gjatë luftës së Kosovës, si gjenocid.

Ai ka frikë se kjo mund të jetë kundërproduktive. “Kjo mund të ketë konotacione negative për Kosovën,” paralajmëroi ai.

“Nëse këto vende nuk fillojnë ndonjë lloj debati në parlamentet e tyre, ose, edhe më keq, ata e fillojnë me debat dhe pastaj nuk miratohen nga ato parlamente, Serbia do ta përdorë këtë duke thënë se nuk janë bërë krime”.

Përmirësimi i të dhënave për gjykatën për krime të luftës në Kosovë

“Ka shumë raste të vrasjeve, përdhunimeve, burgosjeve të rreme dhe spastrimeve etnike që thuhet se janë kryer nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës që ende nuk janë ndjekur në mënyrë adekuate nëpër gjykata”, tha Hehir. “Se diçka duhet bërë për të korrigjuar padrejtësinë, nuk ka ndonjë dyshim”.

Blakaj thotë se rritja e kapaciteteve të departamentit të krimeve të luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës do të ishte mënyra më efektive për të vazhduar me kërkimin e drejtësisë.

“Unë nuk shoh një mënyrë tjetër për t’i shtyrë përpara proceset për t’i gjykuar krimet e luftës. Si do ta bënin këtë? Nuk ka asnjë shans për të pasur edhe një gjykatë tjetër të OKB-së “, tha Blakaj. “OKB i ka mbyllur dyert e Tribunalit të Hagës [i ka skaduar mandati], pse do të duhej të kishte një gjykatë tjetër?”

Sipas Haxhiut, ka një sërë zgjidhjesh të brendshme që Qeveria mund të ndërmarrë për të lehtësuar hetimin dhe ndjekjen penale të individëve për krime lufte, duke filluar me reformën legjislative.

“Ne duhet të votojmë propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që të mundësohet gjykimi në mungesë i kriminelëve të luftës”, tha Haxhiu.

Haxhiu gjithashtu propozoi themelimin e një Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës përmes Ministrisë së Drejtësisë, ngritjen e kapaciteteve për një prokurori të specializuar për krimet e luftës dhe njësive të specializuara brenda Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Forenzikë si metoda për të përmirësuar të dhënat e Kosovës për trajtimin e krimeve të luftës.

Pasi që departamenti i prokurorisë brenda Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, u mbyll në vitin 2018, të gjitha rastet e pazgjidhura për krimet e luftës janë transferuar në Prokurorinë e Kosovës, duke rezultuar me rritje të numrit të lëndëve të pazgjidhura.

Mungesa e shkëmbimit të provave, refuzimi për të bashkëpunuar me kërkesat për ekstradim për të akuzuarit dhe dështimet për bashkëpunim gjyqësor midis Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të pengojnë ecurinë e gjykatës vendase për krime të luftës në Kosovë, tha Blakaj.

Sipas prokurorisë së Kosovës, më shumë se 900 raste të krimeve të luftës janë në pritje për procesim në Kosovë.

“Përkundër kësaj, Blakaj pohon se gjykatat e Kosovës mbeten opsioni më realist. “Problemi është se ata nuk mund të fillojnë një rast nëse nuk kanë persona të dyshuar në paraburgim,” tha ai. “Kështu që, e vetmja mënyrë për të vazhduar më shpejt është bashkëpunimi [me Serbinë].

Përndryshe, ata do të duhet të lëshonin urdhër-arrest dhe të presin me vite të tëra që dikush të arrestohet jashtë Serbisë. Kjo është përshtypja jonë – vetëm bashkëpunimi mund të ndihmojë.”