Ilustrim

Gabimet sistematike në kontrollin e brendshëm

Njësitë e auditimit të brendshëm nuk kanë arritur të parandalojnë gabimet sistematike dhe të ndikojnë në përmirësimin e performancës të organizatave buxhetore – në analizën që u është bërë tri ministrive dhe dy ndërmarrjeve publike. Në shumë prej tyre ka munguar ushtrimi i kontrolleve efektive të auditimit të brendshëm, për të siguruar se sistemet e menaxhimit janë në përputhje me parimet e menaxhimit financiar.

Aktiviteti i auditimit supozohet t’u ndihmojë organizatave buxhetore për të qenë llogaridhënëse ndaj publikut, si dhe për të rritur efikasitetin e veprimeve. Por me gjithë përmirësimet nga viti i kaluar, sfidë mbetet niveli jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve dhe mbështetja e dobët për komitetet e auditimit.

Në Ministrinë e Infrastrukturës, nga Njësia e Auditorit të Brendshëm nuk ka pasur auditim në fushën e buxhetit dhe shpenzimeve, as për listat e pagave dhe menaxhimin e pasurisë-ndonëse ishin planifikuar me planin vjetor të auditimit. Madje ky institucion ka aplikuar praktika jo të mira, duke emëruar anëtarë në komitetet e auditimit, nga pjesa ekzekutive.

Në Ministrinë e Shëndetësisë ka munguar auditimi i fushave me rrezikshmëri të lartë, siç janë shpenzimet për barna të Listës Esenciale, avancat e paarsyetuara për udhëtime zyrtare dhe menaxhimi i tërësishëm i pasurisë. Parregullsi janë evidentuar edhe në emërimin e Auditorëve të Brendshëm, ku transferimi i zyrtarëve ligjorë në pozitën e Auditorit të Brendshëm, është bërë në shpërputhje me Rregulloren për Transferin e nëpunësve civilë.

Rendiment të ulët ka dhënë komiteti i auditimit edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor. Ende nuk ka hartuar statutin, siç e kërkon Udhëzimi Administrativ, ndërsa për dy raporte të Auditorit të Brendshëm, njësitë e audituara nuk kishin përgatitur planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve. Gjetje tjetër është diferenca e madhe në paga ndërmjet auditorëve të brendshëm.

Në ndërmarrjet publike, Bordi është kompetent për të angazhuar Auditorin e Brendshëm. Përveç kësaj, Bordi e formon një komitet të auditimit që përbëhet nga tre anëtarë të Bordit të drejtorëve, të cilët i shqyrtojnë raportet e Auditorit të Brendshëm. Në KEK kanë thënë se planifikojnë të bëjnë ristrukturimin e skemës organizative të njësisë së auditimit, avancimin e rolit të Zyrës së Auditorit të Brendshëm, ku nëpërmjet planit vjetor do të iniciohen auditime në fusha të ndryshme të ndërmarrjes. Kjo do të bëhet me qëllim të eliminimit të rreziqeve të identifikuara, si dhe ngritjes së performancës.

Një nga ndërmarrjet më fitimprurëse publike në Kosovë, e cila buxhetit të shtetit i sillte miliona euro çdo vit, Telekomi i Kosovës është zhytur në krizë financiare dhe nuk po mundet t’i mbulojë as shpenzimet e veta. Gjatë vitit 2017, Auditimi i Brendshëm i Telekomit ka ndërmarrë gjithsej 17 angazhime të auditimit me rreth 70 rekomandime.

Fushat me rrezikshmëri të lartë, të paaudituara në Ministrinë e Shëndetësisë

Niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga Ministria e Shëndetësisë ka bërë që problemet e konstatuara në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimet, të përsëriten çdo vit.

Njësia e Auditimit të Brendshëm në Ministrin e Shëndetësisë ka hartuar planin strategjik 2016-2018, si dhe planin vjetor i cili ishte aprovuar nga Ministri dhe Komiteti i Auditimit. Për vitin 2017 ishin planifikuar 17 auditime të rregullta dhe një sipas kërkesës. Ishin realizuar 17 auditime gjithësejt: 14 auditime bazuar në plan, dhe tri tjera janë kryer me kërkesë të menaxhmentit. Po ashtu, në fund të vitit NjAB kishte përgatitur edhe një raport për implementimin e rekomandimeve të dhëna.

Ministria e Shëndetësisë – Foto: KALLXO.com

Gjatë testimit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar një sërë mangësish në menaxhimin e NjAB-së.

Edhe pse kjo njësi ka realizuar numër të konsiderueshëm të raporteve, sipas tyre, nuk ishte fokusuar në kryerjen e auditimeve të sistemeve kyç dhe me rrezik të lartë gjatë 2017-s, siç janë shpenzimet për barna të Listës Esenciale, avancat e paarsyetuara për udhëtime zyrtare dhe menaxhimi i tërësishëm i pasurisë.

Për më tepër, sipas ZKA-së, auditimet e kryera nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme dhe kontribut në përmirësimin e kontrolleve të brendshme, sepse janë audituar vetëm sistemet parciale.

ZKA-ja thotë se menaxhmentit të ministrisë nuk i janë ofruar këshilla për t’i eliminuar gabimet që ndërlidhen me Pasqyrat Financiare Vjetore. Veç kësaj, asnjë njësi e audituar nuk kishte përgatitur plan veprimi për implementimin e rekomandimeve dhe si rezultat, rekomandimet e kësaj njësie nuk ishin zbatuar.

Por Njësia e Auditimit të Brendshëm në MSh ka thënë se nuk janë të sakta konstatimet e Auditorit Kombëtar.

“Opinioni i ZKA-së që NjAB nuk është fokusuar në kryerjen e auditimeve kyç dhe me rrezik të lartë gjatë vitit 2017, siç janë shpenzimet për barna të Listës Esenciale, avancat e paarsyetuara për udhëtime zyrtare apo dhe menaxhimi i tërësishëm i pasurisë, nuk qëndron dhe se nuk ka munguar auditim rreth këtyre çështjeve”, thuhet në përgjigjen e kësaj njësie dhënë gazetës.

Sipas tyre, menaxhimi i barnave të Listës Esenciale, menaxhimi i pasurisë janë fusha të mbuluara mirë, “me çfarë është ofruar siguri e mjaftueshme mbi ekzistencën e kontrolleve dhe funksionimin e tyre dhe njëherësh është dhënë kontributi në përmirësimin e proceseve përmes rekomandimeve të dhëna”.

Nga katër auditimet e përfunduara nga fusha e barnave të Listës Esenciale dhe pasurisë për vitin 2017, sipas kësaj zyre, janë dhënë gjithsej 17 rekomandime për të cilat është arritur pajtueshmëria me zyrtarët përgjegjës në diskutimet e përbashkëta.

Sipas tyre, këto fushëveprime kanë qenë të trajtuara edhe me raportet e vitit 2016.

“Fushëveprime me jo me më pak risk, siç edhe është paraparë në Planin e punës për vitin 2017, por edhe Planin Strategjik (shpeshtësi e paraparë sipas shkallës së riskut), është edhe fusha e prokurimit me theks realizimi i aktiviteteve sipas dinamikës së paraparë dhe menaxhimi i kontratave”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga katër aktivitetet e përfunduara, janë gjithsej 13 rekomandime të dhëna për adresimin e çështjeve.

Sa i përket çështjes së avancave dhe parasë së imët, në MSh kanë thënë se, gjithherë është trajtuar në kuadër të shpenzimeve të organizatës dhe varësisht nga shkalla e gradimit të riskut (që varet ndër të tjera dhe nga gjykimi i auditorit), është paraparë shpeshtësia e rishikimit, “që me këtë rast kemi përfshirje në Planin e vitit 2016 dhe së fundmi në Planin e vitit 2018 të dorëzuar më 26 tetor 2017”.

Sipas NjAB-së, në kuadër të këtyre raporteve, referuar mostrave të marra në rishikim që varësisht nga popullacioni mund të jenë edhe në masën e 100%, nga raportet/informatat financiare të ofruara nga Organizatat Buxhetore sipas detyrimit ligjor që kanë për bashkëpunim dhe saktësi të tyre, janë evidentuar gjetjet dhe janë dhënë rekomandimet përkitazi me to.

“Është e papranueshme që për situatën e krijuar së fundmi me çështjen e avancave që cilësohet sipas mendimit të Auditorit të Brendshëm të MSh-së sfiduese edhe për vetë Ministrinë e Financave – Thesarin (SIMFK), si mekanizëm kontrolli i shpenzimeve të organizatave buxhetore (OB) dhe çështje në mundësinë e rishikimit shumëdimensional nga vetë ZKA-ja (që s’është evidentuar në vite) është cilësuar/adresuar auditim kyç me rrezikshmëri të lartë, duke u rikthyer pas përfundimit të auditimit dhe rimarrjes së mostrave të tjera shtesë për verifikim. Dhe e gjithë kjo pas ndërmarrjes së veprimeve nga ana e Ministrisë dhe inicimit të rastit në organet e hetuesisë me angazhimin e NjAB-së, sipas kërkesës së sekretarit të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e MSh-së. Ky rast është adresuar në organet e hetuesisë.

Sipas MSh-së, politikat menaxhuese të zbatuara për përgatitjen e Pasqyrave Financiare Vjetore janë më gjithëpërfshirëse sa i përket llogaridhënies, “duke emëruar Komision profesional në përbërjen e të cilit përfshihen zyrtarët financiarë nga njësitë vartëse dhe zyrtari kryesor financiar – MSh”. Sipas tyre, pavarësisht kësaj aktiviteti i auditimit të brendshëm ka qenë dhe është në mbështetje të zhvillimeve në çdo fushë sipas kërkesave për bashkëpunim dhe këshillim.

Sa i përket plotësimit të Planit të veprimit, detyrim ky i njësive të audituara, në MSh kanë insistuar se nuk bëhet fjalë për të gjitha njësitë, “pasi që ka prej tyre që kanë qenë të përgjegjshme në këtë drejtim”. “Pavarësisht kësaj, nuk është ndikuar monitorimi i progresit në implementimin e rekomandimeve të dhëna çka mund të dëshmohet me raportin për implementim në fundvit dhe përcjellja në tremujor për çështje të cilësuara si të vonuara në zbatim, për shkak të afateve kohore. Nga menaxhmenti i MSh-së, për më saktë ZKA-ja në MSh janë marrë veprimet për të rritur përgjegjësinë në drejtim të plotësimit të PVM-së për implementim dhe përgjegjshmërinë e plotë drejt zbatimit tyre”, thuhet në përgjigjen e MSh-së dhënë gazetës.

Por Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se i pazbatuar ka mbetur rekomandimi për Ministrinë e Shëndetësisë, që të sigurojë një rishikim të veprimeve të ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet e auditimit të brendshëm. Ministrit i është kërkuar bashkëpunim më i ngushtë dhe një komunikim më efektiv në mes të kësaj njësie dhe menaxhmentit, si dhe “të ndikojë në parandalimin/eliminimin e dobësive të shumta që po e përcjellin këtë ministri”.

Parregullsi janë evidentuar edhe në emërimin e auditorëve të brendshëm. Kësisoj, transferimi i zyrtarit ligjor në pozitën e Auditorit të Brendshëm, sipas ZKA-së, është bërë në shpërputhje me rregulloren për transferin e nëpunësve civilë, ngase grada dhe paga nuk ishin të njëjta. Për më tepër zyrtari, i transferuar deri në muajin nëntor 2017, ka ushtruar pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm.

Rendimet i ulët është konstatuar edhe sa u përket takimeve që ka mbajtur komiteti i auditimit. Vetëm tri takime të mbajtura. Ndërsa tre muajt e fundit komiteti i auditimit nuk ka qenë funksional, për shkak të largimit të dy anëtarëve.

“Sa i përket funksionimit të komitetit të auditimit nga ZMSh-ja janë marrë veprimet për funksionalizimin e tij, duke bërë plotësimin e vendimit me anëtarët që kanë paraqitur konflikt interesi dhe se sipas afateve ligjore janë mbajtur takimet e nevojshme për shqyrtimin e raporteve në tremujor”, shkruan në përgjigjen e Zyrës së Auditorit të Brendshëm.

Si përfundim, ata kanë thënë se, Plani i angazhimit të NJAB i hartuar mbi Planin vjetor të punës nuk mund të jetë i diskutueshëm në gjykimin e të tjerëve, duke e arsyetuar me atë se kalon nëpër filtra diskutimi në nivel komiteti dhe menaxhmentit të lartë, si dhe prioriteteve në interes për rishikim nga vetë menaxherët përkatës.

“Kontributi i AB-së ka qenë dhe është në vazhdimësi në ofrimin e bashkëpunimit të ngushtë për parandalim dhe eliminim të dobësive dhe forcimin e kontrolleve të brendshme në organizatë”, përfundon përgjigja e MSh-së.

Ministria e Infrastrukturës, mungesë auditimi në buxhet dhe shpenzime

Edhe në ministrin e Infrastrukturës ka telashe me Njësin e Auditimit të Brendshëm (NjAB). Mos-mbulueshmëria e periudhës aktuale me auditime nga NjAB, është dobësia që vazhdon të përsëritet në Ministrinë e Infrastrukturës. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, auditimet e brendshme të realizuar në vitin 2017 kryesisht kanë qenë të fokusuara në aktivitetet e vitit 2016.

Kjo praktikë, sipas ZAP-it, ka ndikuar në zvogëlimin e sigurisë që i ofrohet menaxhmentit në lidhje me funksionimin e sistemeve financiare. Për më tepër, siç ka tërhequr vërejtjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo mund të rezultojë me dobësi të paidentifikuara dhe me vazhdimin e praktikave joefektive, që mund të përfundojnë me humbje financiare për Ministrinë.

Ministria e Infrastrukturës

Megjithatë, vlerësimi i ZKA-së është se raportet e NjAB-së janë të mira dhe me rekomandime konkrete, për përmirësim të mëtutjeshëm. ZKA-ja ka rekomanduar veprimet që duhet t’i ndërmarrë ministri, në bashkëpunim me komitetin e auditimit. Është kërkuar të bëhet rishikim kritik i planeve të auditimit të brendshëm, për t’u siguruar se ato bazohen në proceset e vitit aktual dhe menaxhmentit t’i ofrojnë sigurinë e kërkuar.

Njësia e auditimit të brendshëm për 2017 kishte planifikuar nëntë auditime si dhe katër auditime me kërkesë. Në vitin 2017, kjo njësi ka realizuar 13 auditime. Ministria e Infrastrukturës ka përgatitur edhe plan për zbatimin e rekomandimeve të NjAB-it, dhe është në proces të implementimit të tyre. Gjithashtu, NjAB-i ka përgatitur raporte tremujore për aktivitetet e saj në Njësia Qendrore për harmonizimin e auditimit të brendshëm në Ministrinë e Financave.

Njësia e auditimit të brendshëm në MI përbëhet nga drejtori i njësisë së auditimit të brendshëm (NjAB) dhe tre auditorë.

Ngecje më të mëdha në funksionimin e kësaj njësie janë evidentuar në vitin 2016. Nuk ka pasur auditim në fushën e buxhetit dhe financave/shpenzimeve, as për listat e pagave dhe menaxhimin e pasurisë, ndonëse ishin planifikuar me planin vjetor të auditimit. Po ashtu, menaxhimi i të hyrave dhe llogarive të arkëtueshme nuk ishte përfshirë në planin vjetor të auditimit. As rekomandimet e auditimit të brendshëm për nivelin menaxherial nuk janë zbatuar.

Ministria e Infrastrukturës ka aplikuar një praktikë jo të mirë edhe në emërimin e përbërjes së komitetit të auditimit, ku një anëtar i tij ishte edhe shefe e divizionit për buxhet e financa. Komiteti i auditimit me anëtar nga ekzekutivi mund të mos jetë objektiv në trajtimin çështjeve të ngritura rreth aktiviteteve të ekzekutivit në raportet e auditimit të brendshëm.

“Komiteti i auditimit duhet të jetë më objektiv, të sigurohet se përbërja e anëtarëve të komitetit të mos përfshijë personel që janë të angazhuar në punët ekzekutive nga fusha e buxhetit dhe financave. Gjithashtu, të rishikohen veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të auditimit të brendshëm”, thotë raporti.

Sipas vlerësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, këto rezultate pasqyrojnë mungesën e gatishmërisë së menaxhmentit në njohjen dhe maksimizimin e përfitimit të auditimit të brendshëm, për të kërkuar

siguri për funksionimin efektiv të kontrolleve. Kjo gjithashtu tregon për nevojën e një planifikimi dhe menaxhimi më të mirë të planit të auditimit të brendshëm.

“Një program jo i plotë i auditimit, i cili nuk përfshin rreziqet e hasura në menaxhimin e të hyrave dhe shpenzimeve ndikon në mosidentifikimin dhe mosadresimin e dobësive në kontrolle, duke rezultuar në joefikasitet operativ dhe humbje financiare”, shkruan në raport. Referuar vlerësimit për vitin 2017, disa prej rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit, i ka zbatuar Ministria e Infrastrukturës.

Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës rreth funksionimit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm dhe Komitetit të Auditimit.

Mungesë kontributi i Komitetit të Auditimit në Ministrinë e Mjedisit

Kontribut të ulët ka dhënë Komiteti i Auditimit edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Njësia e Auditimit të Brendshëm në këtë dikaster operon me tre anëtarë të stafit-drejtorin dhe dy auditorë. NjAB-i ka të aprovuar planin vjetor të auditimit nga ministri dhe Komiteti i Auditimit. Për vitin 2017 kishte planifikuar të kryente shtatë auditime që i përkisnin fushave me rrezik të lartë dhe të mesëm. Deri në fund të vitit ia kishte dalë t’i kryejë të gjitha auditimet e planifikuara. Me gjithë këtë, plani i tyre i auditimit është me numër dukshëm më të vogël të auditimeve krahasuar me ministritë e tjera.

Por Auditori i Jashtëm ka konstatuar se gjetja konsiston në funksionimin e dobët të Komitetit të Auditimit. Gjatë vitit 2017, kishte mbajtur vetëm dy takime pune, nga katër që kërkohen sipas udhëzimit administrativ 11/2010 për themelimin dhe funksionimin e Komitetit të Auditimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se nga procesverbalet e takimeve vërehet se është shqyrtuar puna e NjAB-së, mirëpo ato janë të përgjithësuara. Komiteti i Auditimit, po ashtu, ende nuk e ka hartuar statutin e saj, siç e kërkon Udhëzimi Administrativ 11/2010 neni 4, pika 1.14 për themelimin dhe funksionimin e këtij Komiteti në subjektet e sektorit. Ndërsa për dy raporte të Auditorit të Brendshëm, njësitë e audituara nuk kishin përgatitur planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që Komiteti t’i rishikojë rezultatet e auditimit të brendshëm dhe veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti, në lidhje me rekomandimet e dhëna. Gjithashtu, është kërkuar të sigurohet se janë përgatitur të gjitha planet e veprimit për zbatim të rekomandimeve.

“Mungesa e kontributit nga Komiteti i Auditimit (KA) zvogëlon efikasitetin e Sistemit të Auditimit të brendshëm si tërësi. Po ashtu, moshartimi i statutit të KA-së bën që të mos definohen qartë detyrat, autoriteti dhe procedurat e raportimit në mënyrë që të ofrojë mbështetje për menaxhmentin. Më tej, mungesa e planit të veprimit për zbatim të rekomandimeve nga njësitë e audituara mund të rezultojë me vazhdimin e dobësive të identifikuara”, konstaton raporti i Auditorit të Përgjithshëm.

Dobësitë të shumta janë konstatuar edhe në raportin e vitit 2016. Vetëm 43 nga 62 rekomandimet e dhëna nga NjAB ishin zbatuar plotësisht nga menaxhmenti.

Për më tepër, ekziston një diferencë e theksuar ndërmjet pagave të auditorëve të brendshëm. Njëri auditor paguhet me koeficientin 16, ndërsa tjetri me koeficientin 7.

Sipas ZKA-ja, këto mangësi në sistemin e auditimit të brendshëm rezultojnë në mos-adresimin e dobësive në kontrolle duke rezultuar në mungesë të efikasitetit operativ dhe humbje potenciale financiare për MMPH-në. Për të shmangur këtë, Auditori i Përgjithshëm i ka rekomanduar ministrit që të sigurojë një komunikim efektiv me Komitetin e Auditimit, për të arritur përfitimin maksimal nga aktiviteti i auditimit të brendshëm. Ndërkaq nga Komiteti i Auditimit është kërkuar, të rishikojë në mënyrë kritike planet, për të konfirmuar se ato bazohen në rrezik dhe t’i ofrojë sigurinë e kërkuar menaxhmentit. Rishikim është kërkuar edhe për arsyet që kanë çuar në dallim në paga të auditorëve.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës rreth funksionimit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm.

Auditimi i Brendshëm në KEK, i orientuar në tri drejtime

Njësia e Auditorit të Brendshëm në KEK funksionon në bazë të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike dhe Ligjit për Kontroll të Brendshëm të Financave Publike, ku Komisioni i Auditimit ka kompetenca ekskluzive mbi Zyrën e Auditorit të Brendshëm (ZAB) dhe i njëjti është në shërbim të Komisionit të Auditimit. Atë e përbëjnë tre anëtarë të Bordit të Drejtorëve, që janë të emëruar nga aksionari, këtë rast- Qeveria e Republikës së Kosovës. Komisioni i Auditimit përbëhet nga Fllanza Beqiri Hoxha – kryesuese , Gjelosh Vataj – anëtar, Izet Ibrahimi – anëtar. Kryesuesja Hoxha ka treguar për mënyrën si funksionon kjo njësi dhe veprimet e ndërmarra në dy vjetët e fundit. Ajo ka thënë se Njësia e Auditorit të Brendshëm në KEK funksionon si divizion, ku në skemën e vet ka tri nivele- Zyrtari i Auditimit të Brendshëm (Drejtori), auditorët kryesorë (Menaxherë) dhe Auditorët e Lartë.

Struktura e tillë përmban dy nivele të kontrollit të cilësisë së raporteve. Auditorët e Lartë janë përpilues të raporteve të auditimit, ku gjithmonë angazhohen dy të tillë në një rast të auditimit. Sipas kryesueses Beqiri-Hoxha, auditorët kryesorë kontrollojnë raportin e tyre, dhe pas aprovimit nga ta e dërgojnë tek Zyrtari i Auditimit të Brendshëm për aprovim. Zyrtari i Auditimit të Brendshëm kontrollon raportin dhe pas aprovimit e kthen përsëri tek auditorët, për delegim tek njësia e audituar, për takim pajtues.

“Duke pasur parasysh nevojat e kompanisë, njëherësh edhe vetë strukturën e Auditimit të Brendshëm, e cila u është përshtatur këtyre nevojave, e gjithë Njësia e Auditimit është e fokusuar në tri drejtime kryesore – operativ, financiar dhe përputhshmëri”, ka thënë Hoxha.

Komiteti i Auditimit ka filluar punën në dhjetor 2017, dhe që nga kjo kohë, siç ka thënë Hoxha, ka mbajtur gjithsej 17 takime, duke përfshirë edhe takimet e jashtëzakonshme.

Njësia e Auditimit të Brendshëm gjatë dy vjetëve të fundit ka realizuar 92 auditime në fusha të ndryshme në KEK. Hoxha ka thënë se, për të gjitha këto auditime janë përpiluar raporte të cilat tutje janë adresuar tek menaxhmenti.

“Në bazë të praktikes çdo auditim që iniciohet rezulton me një Raport. Raporti dërgohet për takim pajtues tek menaxhmenti. Ne takim pajtues adresohen rekomandimet ku me nënshkrimin e raportit nga menaxhmenti përpilohet edhe plani i veprimit me afate kohore për implementim të rekomandimeve”, ka theksuar kryesuesja e Bordit.

Ajo ka shtuar se më herët monitorimi i implementimit të rekomandimeve është bërë çdo fundvit kalendarik, “ndërsa tani kemi ndryshuar praktikën ku monitorimi i implementimit të rekomandimeve bëhet në vazhdimësi, varësisht nga afatet që janë përcaktuar me rastin e takimit pajtues”.

“Gjatë monitorimit merret informata kthyese në lidhje me implementimin e rekomandimeve. Si rezultat i kësaj praktike të re është vërejtur një avancim i shtuar në implementimin e rekomandimeve”, ka thënë ajo.

Si udhëheqëse e Komisionit të Auditimit, Fllanza Beqiri-Hoxha, ka deklaruar se planifikojnë të bëjnë ristrukturimin e skemës organizative të Njësisë së Auditimit, avancimin e rolit të ZAB-së në ndërmarrje, ku përmes aprovimit të Planit vjetor do të iniciohen auditime në fusha të ndryshme të ndërmarrjes.

“Kjo do të bëhet me qëllim të eliminimit të rrisqeve të identifikuara si dhe ngritjes së performancës së ndërmarrjes”, ka theksuar ajo, duke shtuar se do të vazhdojnë që të monitorojnë me shumë kujdes implementimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Auditorit të Brendshëm. Po ashtu, ka paralajmëruar që nëpërmjet Bordit të Drejtorëve do të kërkojnë nga menaxhmenti i lartë i KEK-ut përgjegjësi për mosimplementim ose vonesat në implementim të rekomandimeve.

“Prioritet është që në vazhdimësi të garantojë pavarësinë e ZAB-së që të kryhen auditime të pavarura në fusha të ndryshme në kuadër të ndërmarrjes”, ka përfunduar Hoxha.

KEK-u është ndër kompanitë që më së shumti shpenzon paratë publike nëpërmjet aktiviteteve të prokurimit publik. Për këtë arsye, ka qenë kërkesë e vazhdueshme edhe e organizatave të shoqërisë civile që pasqyrat financiare të KEK-ut të auditohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZAK).

Mosauditimin e financave në KEK, më herët ZKA-ja e pati arsyetuar me mungesën e burimeve njerëzore. Megjithatë kjo zyre, ka në plan që brenda tre vjetëve të ardhshëm, të bëjë auditimin e ndërmarrjeve publike.

Ndërkaq Raporti i Auditorit të Pavarur për vitin e përfunduar 31 dhjetor 2017, një përshkrim të shkurtë i bënë edhe kontrolleve të brendshme, por nuk ka dhënë opinion për efikasitetin e tyre.

“I kuptojmë kontrollet e brendshme relevante për auditim me qëllim të hartimit të procedurave të auditimit që janë të përshtatshme për rrethanat, por jo për qëllim të shprehjes së një opinioni mbi efektivitetin e kontrolleve të brendshme të kompanisë”, shkruan në raport.

Kontrollet e brendshme në Telekomin e Kosovës

Departamenti i Auditimit të Brendshëm në PTK është themeluar në vitin 2005 me vendim të Bordit të drejtorëve. Gjate vitit 2017, kjo ndërmarrje ka funksionuar pa Bord të drejtorëve, meqenëse në fund të Dhjetorit 2016, Drejtorëve të Bordit u ka skaduar mandati. Aksionari (Qeveria e Republikës së Kosovës) deri në vitin 2018 nuk e ka bërë përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të drejtorëve.

Zëdhënësi i Telekomit, Arsim Bilalli, ka thënë se Auditimi i Brendshëm është një aktivitet, “i cili jep siguri të arsyeshme të pavarur, objektive dhe aktivitet këshillues i dizajnuar për të shtuar vlerën dhe përmirësuar operacionet”. Gjate vitit 2017, Auditimi i Brendshëm i TK-së ka ndërmarrë gjithsej 17 angazhime të auditimit të cilat përmbajnë rreth shtatëdhjetë 70 rekomandime.

Duke folur për Misionin e Departamentit të Auditimit të Brendshëm, Bilalli, ka thënë se ai konsiston në ofrimin e ndihmës TK-në për realizimin e objektivave të saj të menaxhimit, “duke sjellë një qasje sistematike dhe të disiplinuar për të vlerësuar dhe përmirësuar efektivitetin e menaxhimit të rrezikut, kontrollit të brendshëm dhe proceseve të ndryshme të menaxhimit”.

Ai ka listuar angazhimet e Auditimit të Brendshëm në disa kategori kryesore të aktiviteteve.

“Auditimet janë shqyrtime gjithëpërfshirëse të kontrolleve dhe procedurave që përfshijnë testet e transaksioneve. Pas çdo Auditimi të kryer lëshohet raporti i Auditimit të Brendshëm. Raportet e Auditimit të Brendshëm përmbajnë gjetjet, rreziqet dhe rekomandimet. Rishikimet janë më pak formale se auditimet, rishikimet përfshijnë përcjelljen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të Auditimit të Brendshëm. Projektet & Analizat në përgjithësi përfshijnë punën që nuk rezulton me mendimet ose sugjerimet për përmirësim, rezultatet e punës së kryer mund ose nuk mund të rezultojë në një raport me shkrim”, ka thënë Bilalli.

Sipas tij, për të gjitha konstatimet, vërejtjet dhe rekomandimet që dalin gjatë aktiviteteve të auditimit, raportohet tek njësia që është subjekt i auditimit, tek menaxhmenti ekzekutiv dhe tek komiteti i auditimit.

“Raportet e auditimit diskutohen në detaje në mbledhjet e Komisionit të Auditimit. Zbatimi i rekomandimeve kërkohet vazhdimisht në mbledhjet e menaxhmentit ekzekutiv, në të cilat zyrtari i Auditimit të Brendshëm merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit”.

Sipas Bilallit, raportet financiare të kompanisë analizohen nga Komisioni i Auditimit në baza mujore, tremujore dhe vjetore.

“Vërejtjet dhe rekomandimet që dalin nga këto analiza i përcillen menaxhmentit ekzekutiv”, ka thënë Bilalli.

Telekomi i Kosovës është një shoqëri aksionare e koorporatizuar, ku aktivitetet e biznesit të kompanisë përbëjnë ofrimin e shërbimeve të telekomunikimit, të telefonisë mobile dhe fikse, shërbimeve postare dhe shërbimeve të internetit.

Por një nga ndërmarrjet më fitimprurëse publike në Kosovë, e cila buxhetit të shtetit i sillte miliona euro çdo vit, tash nuk po mundet t’i mbulojë as shpenzimet e veta.

Në vitin 2011, atëherë PTK-ja kishte paguar 80 milionë euro dividendë në buxhetin e Kosovës. Më 2012, nga kjo kompani janë paguar 45 milionë euro dividendë. 40 milionë euro janë paguar në vitin 2013, ndërsa në vitet 2014 dhe 2015 janë paguar nga 15 milionë euro.

Që nga kjo kohë Telekomi nuk ka derdhur para në buxhetin e shtetit, derisa vitin 2017 e ka mbyllur me humbje. Shpenzimet e ndërmarrjes kanë qenë 85 milionë euro, ndërsa të hyrat 71 milionë. Barrën më të madhe Telekomi i Kosovës e ka koston për punëtorët e saj. 26 milionë euro në vit, apo 30 për qind të shpenzimeve, shkojnë për pagat e 2300 punonjësve të ndërmarrjes.

Ndërkaq 16 milionë euro janë shpenzime operative, ku përfshihen qiratë për objektet që i shfrytëzon.

Për t’i shpëtuar falimentimit, Kuvendi i Kosovës më 12 korrik të këtij viti ka miratuar rezolutë me një

varg masash për Qeverinë. Por shumë pak veprime janë ndërmarrë. Me rezolutë kërkohet nga Qeveria që të fillojë nga zbatimi i të gjitha detyrimeve nga Ligji për ndërmarrjet publike duke anuluar çdo vendim tjetër që bie ndesh me këtë ligj. Përveçqë është e obliguar të ngrejë shtabin e menaxhimit të krizës, sipas rezolutës, Qeveria obligohet që të bëjë ngrirjen e të gjitha pozitave udhëheqëse në Telekom. Ndërkaq nga Zyra Kombëtare e Auditimit është kërkuar që të bëjë auditim në këtë ndërmarrje.

Kërkesë tjetër ka qenë që Qeveria e Kosovës si aksionari kryesor të tërhiqet nga “marrëveshja abuzive” e ish-drejtorit të Telekomit me kompaninë “Z-Mobile”.

Gjendja e rëndë në ndërmarrjen e Telekomit konstatohet edhe në Raportin e performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2016, në të cilën thuhet se Telekomi ka mbyllur vitin me 31 milionë euro humbje.

Kjo ndërmarrje auditohet edhe nga një Auditor i Pavarur. Por në raportin e fundit për pasqyrat Financiare, nuk jepet ndonjë vlerësim për auditimin e brendshëm.

“I kuptojmë kontrollet e brendshme relevante për auditim me qëllim të hartimit të procedurave të auditimit që janë të përshtatshme për rrethanat, por jo për qëllim të shprehjes së një opinioni mbi efektivitetin e kontrolleve të brendshme të kompanisë”, shkruan në raportin e Auditorit për periudhën që ka përfunduar më 31 dhjetor 2017. Por aty flitet për humbjet që kompania ka pësuar në vlerë prej 13.904 mijë euro. Ndërkaq humbjet e akumuluara janë në vlerë prej 18,448 mijë euro. Përveç kësaj, më 31 dhjetor 2017 detyrimet rrjedhëse tejkalojnë pasuritë aktuale për shumën prej 39.671 mijë euro, derisa në vitin 2016 prej 38.553 mijë euro. Pjesa më e madhe e humbjeve të ndodhura gjatë vitit 2017 vjen nga trendi në rënien e të hyrave.

Sipas raportit, këto çështje tregojnë një pasiguri materiale që mund të hedhë dyshime të konsiderueshme për aftësinë e kompanisë për të përmbushur parimin e vijimësisë.

“Bazuar në këto ngjarje dhe kushte, ekziston një pasiguri materiale që mund të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e kompanisë për të vazhduar me parimin e vazhdimësisë dhe si rrjedhojë, që ajo të mos jetë në gjendje të realizojë pasuritë e saj dhe të kryejë detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit”, thotë raporti i Auditorit.

Duke pasur parasysh gjendjen financiare, Bordi i Drejtorëve pati përgatitur një plan strategjik dhe me datë 7 qershor 2018 ka prezantuar edhe një dokument gjithëpërfshirës për aksionarin- Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Aty janë shpalosur masat e propozuara, fillimisht duke përfshirë nevojën emergjente për Ristrukturim të Kompanisë, Investimet kapitale emergjente, planin e veprimit për përmirësim të inkasimit të borxheve ndaj kompanisë, si dhe uljen e shpenzimeve në disa kategori.

Sigurimi i financimit të investimeve kapitale do të bëhej përmes kredisë prej 30 milionë euro, të cilat mjete do të orientohen në implementimin e kodit +383. Sipas raportit, zbatimi i këtyre masave emergjente do të ketë efekt të menjëhershëm në uljen e shpenzimeve të mirëmbajtjes, rritjen e të hyrave si dhe ofrimin e produkteve dhe shërbimeve me kualitet të lartë.

Në strategjinë dalëse është përfshirë edhe ulja e shpenzimeve operative në rreth 7.1 milionë euro. Gjatë procesit të privatizimit nga PTK-ja janë krijuar dy ndërmarrje, Telekomi dhe Posta e Kosovës. Kjo e fundit si ndërmarrje e re publike (themeluar me datë 21 dhjetor 2011, me vendimin e Qeverisë numër 16/53), do të vazhdojë të mbetet në pronësi publike, ndërsa Telekomi i Kosovës (që përfshin sektorët e telefonisë fikse dhe mobile) do të privatizohen. Megjithatë, procesi i privatizimit kishte dështuar.