Fadil Ismajli zgjidhet kryeshef i NKEK pas ndërhyrjes së amerikanëve

Monitoruesi i USAID në procesin e rekrutimit të kryeshefit të Ndërmarrjes së Re Energjetike ka qenë vendimtar në përcaktimin e fatit të konkursit.

William Trigg, përfaqësuesi i USAID, e ka kundërshtuar vlerësimin e kandidatëve për kryeshef të Ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës (NKEK) që është bërë nga komisioni vendor, pra bordi i NKEK dhe dy anëtarët e kompanisë BDO të angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë teknike në rekrutimin e pozitave të larta qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Në garë për kryeshef të NKEK kanë qenë Fadil Ismajli dhe Gjelosh Vataj. Të dy komisionet e kanë poentuar më shumë Vatajn, ndërsa Ismajli ishte renditur i dyti. Komisioni vendor e ka vlerësuar Fadil Ismajlin me 26 pikë, ndërsa Gjelosh Vataj i ka marrë 30.2 pikë. Kurse, dy anëtarët e kompanisë BDO ia kanë dhënë Vatajt 28.5 pikë, ndërsa Fadil Ismajlit vetëm 20 pikë.

Pas prezantimit të rezultateve përfundimtare nga të dy komisionet (Komisioni vendor dhe përfaqësuesit e BDO), përfaqësuesi i USAID, William Trigg, që ishte vetëm në cilësi të monitoruesit, reagoi duke e cilësuar vlerësimin e Komisionit dhe përfaqësuesve të BDO-së, si të pasaktë.

Sipas këtij përfaqësuesi, kandidati Fadil Ismajli ishte më i përgatitur për pozitën për të cilën po intervistohej se sa kandidati Gjelosh Vataj. Ai ka mbajtur një fjalim para dy komisioneve që ka zgjatur rreth 5-6 minuta.

Sipas tij, në përgjigjet e ofruara në intervistë, Fadil Ismajli kishte treguar dukshëm më shumë kompetencë se sa Gjelosh Vataj, ndërsa komisionet e kishin vlerësuar të kundërtën.

Duke i shkuar pikë për pikë pyetjeve të komisionit dhe përgjigjeve të kandidatëve, William Trigg e kontestonte përzgjedhjen eventuale të Vatajt para Fadil Ismajlit.

Në fund të fjalimit  të tij, William Trigg tha se qëndrimi i prezantuar nga ai është qëndrim “direkt prej ambasadës amerikane”. Trigg është zëvendësdrejtor i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në USAID.

Pas fjalimit, Trigg është larguar nga salla e takimit. Pas kësaj ndërhyrjeje, nga salla është përjashtuar fillimisht monitoruesi i BIRN-it. Disa minuta më vonë edhe dy përfaqësuesit e BDO-së kanë dal nga takimi. Takimi më dyer të mbyllura i bordit të NKEK ka vazhduar për tri orë të tëra.

E në takimin me dyer të mbyllura disa herë kanë hyrë edhe Shkumbin Asllani (sekretariat i bordit) dhe William Trigg.

Pas tri orëve pritje (18:00- 21:00), Bordi/Komisioni i ka ftuar në takim vetëm përfaqësuesit e kompanisë BDO, ndërsa monitoruesit prej BIRN-it i është kërkuar të presin ende jashtë. Pas disa minutave sa ka zgjatur takimi i bordit dhe kompanisë BDO, është ftuar në takim edhe monitoruesi i BIRN-it.

Pas fillimit të takimit, me të gjithë personat prezentë, kryesuesi i Bordit/Komisionit ka njoftuar në lidhje me vendimin e Bordit për konkursin për Kryeshef Ekzekutiv.

Sipas vendimit, Bordi ka anuluar procesin e rekrutimit, duke kthyer procesin në pikën zero. Arsyetimi i Bordit, i prezantuar nga kryesuesi i Bordit, Ferit Idrizi ishte: “Raporti i pikëve mes kandidatëve ka qenë shumë i përafërt dhe [Bordi] nuk kemi pasë siguri të vendosim”.

Pas prezantimit të vendimit të bordit për anulim të konkursit, përfaqësuesi i USAID, William Trigg, ka shprehur pakënaqësinë e tij me vendimin e Bordit, duke u thënë atyre se “me këtë vendim ju keni treguar se nuk brengoseni për sektorin e energjisë në Kosovë”.

Bordi nuk ka njoftuar në lidhje me pikët finale, por vetëm se diferenca e pikëve mes kandidatëve ka qenë e vogël.

Nëse i referohemi pikëve të vlerësuar në fillim nga Bordi/Komisioni, diferenca ka qenë 3.8 pikë. Ky ndryshim i pikëve është bërë tërësisht në mënyrë jo-transparente, pasi anëtarët e bordit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për ndryshimin e pikëve.

Por, zhvillimet rreth përzgjedhjes së kryeshefit të NKEK-it nuk kanë përfunduar me kumtimin e vendimit të bordit për anulim të konkursit. Bordi i NKEK është mbledhur të nesërmen, me datën 6 shkurt, ndërsa në takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e BDO-së.

Ndërrimi i pikëve në ‘errësirë’

Bordi i NKEK e kishte lejuar BIRN-in të monitorojë procesin e përzgjedhjes së kryeshefit, mirëpo për takimin e datës 6 shkurt, BIRN nuk është ftuar fare në takim, ashtu siç është praktika.

Në këtë takim të datës 6 shkurt, Bordi i NKEK i ka ndryshuar edhe njëherë pikët, duke e vendosur Fadil Ismajlin si kandidatin më të votuar.

Kjo është konfirmuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Ju konfirmojmë se bordi i drejtorëve ka njoftuar tashmë për kandidatin e suksesshëm dhe se ky proces nuk është anuluar”, thuhet në përgjigjet e MZHE-së.

Njoftimi për kandidatë të suksesshëm që është publikuar në ueb-faqen e MZHE-së është nënshkruar nga anëtarët e komisionit/bordit: Ferit Idrizi, Shqipe Ahmeti, Bedri Dragusha, Besnik Gecaj dhe Valon Berisha. Në këtë njoftim thuhet se Fadil Ismajli është kandidat i suksesshëm me 29 pikë të fituara.

Në bazë të këtyre rezultateve, del që Ismajlit i janë shtuar edhe 3 pikë. Pikët e kandidatit Vataj nuk janë publikuar, mirëpo herën e parë i kishte 30.2, pra herën e dytë i janë ulur pikët.

Ndërkohë, BDO i ka publikuar rezultatet e komisionit të tyre për kandidatët për kryeshef të NKEK-it.

Ata kanë vlerësuar se Fadil Ismajli nuk është i emërueshëm.

“Kandidatët që konsiderohet se mund të emërohen: (vetëm nga Partnerët Zbatues): Gjelosh Vataj: Rezultati: 28.5”, thuhet në ueb-faqen e BDO-së ku bëhen njoftimet për poentimin e kandidatëve.

MZHE-ja thotë se e kanë pranuar raportin e Partnerit/BDO-së “në të cilin nuk është diskutuar ose ofruar ndonjë vërejtje për mos respektim të memorandumit të mirëkuptimit”.

Tutje, MZHE-ja thotë se “ky raport në detaje paraqet rezultatin përfundimtar dhe pikët e Bordit të Drejtorëve si dhe rezultatet e partnerit implementues”.

Por, në përgjigje pasuese thotë se “vlerësimi i pikëve” nga ana e anëtarëve të bordit të drejtorëve “është çështje procedurale dhe vendim autonom i Bordit të Drejtorëve”.

Por, në Ambasadën Britanike thonë se vetëm një kandidatë i përmbush kriteret për emërim në krye të ndërmarrjes NKEK.

“Raporti i partnerit zbatues që ka mbështetur procesin e përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të NKEK i është dërguar Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, si dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik. Ky raport i vënë në dukje kandidatin e vetëm që përmbush kriteret, siç është publikuar edhe në uebfaqen: KosovoSelection”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për Gazetën Jnk.

Ata thonë se i takon komisionit me tregu për mbarëvajtjen e procesit të rekrutimit.

“Është detyrë e Komisionit të shpjegoj mbarëvajtjen e procesit, nëse ka pasur shkelje të procedurave, ndryshim të vlerësimit, anulim dhe ri-hapje e procesit, apo ndikim nga jashtë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Por, ata thonë se emërimi i personave që nuk i përmbushin kriteret është në kundërshtim me marrëveshjen që kanë me qeverinë.

“Ashtu siç parashihet me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar me Kuvendin dhe Qeverinë, ne presim që institucionet e Kosovës të emërojnë vetëm kandidatet që përmbushin kriteret, bazuar në një proces rekrutues transparent dhe meritor. Çfarëdo devijimi nga kjo, do te ishte shkelje e marrëveshjes”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ambasade që për disa vjet është duke iu ofruar asistencë institucioneve në emërimin e pozitave të larta drejtuese.

Gazeta JnK ka kërkuar sqarime nga USAID dhe Ambasada e Amerikës për ndërhyrjen e përfaqësuesit të USAID Trigg, pas procesit të intervistimit të kandidatëve për kryeshef të NKEK. Janë pyetur edhe nëse Trigg ka paraqitur pozicionin e Ambasadës në këtë takim.

Të dy institucionet kanë thënë se për këtë proces duhet të përgjigjet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, duke mos dashur të përgjigjen në pyetjet specifike për rastin.

“Në lidhje me pyetjet e juaja specifike, ju referoj te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ngjashëm siç ju është përgjigjur USAID më herët”, ka shkruar Richard Mei nga Ambasada Amerikane. “Procesit të rekrutimit të cilit ju i referoheni është zhvilluar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Ju lutem, pyetjet referoni te MZHE-ja”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga USAID.

William Trigg (USAID), ambasadori Philip S. Kosnett dhe ministri Valdrin Lluka

Sa i përket fjalimit dhe ndërhyrjes së përfaqësuesit të USAID-it, MZHE-ja thotë se bordi e ka lejuar përfaqësuesin e USAID-it të ndajë pikëpamjet e tij.

“Bordi i Drejtorëve gjatë procesit të diskutimeve ka dhënë hapësirë për përfaqësuesin e USAID për të ndarë pikëpamjet e tija mbi sektorin energjetik në përgjithësi dhe në veçanti për rolin e ndërmarrjes “Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës NKEK” Sh.A. në sektorin energjetik në vend. Në këtë drejtim, mbi bazën e të dhënave mbi procesin të mbledhura nga partneri [ambasada britanike] dhe Bordi i Drejtorëve, mbajmë mendimin që ky diskutim/pikëpamje ka qene krejtësisht në mbështetje të procesit”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.

Procesi i intervistimit për kryeshef të NKEK është mbajtur me datën 5 shkurt, kurse vendimi i Bordit që e rekomandon Fadil Ismajlin si kandidat të sukseshëm është publikuar me 6 shkurt. Ndërsa, më 7 shkurt, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka e ka pritur në takim Ambasadorin Amerikan, Philip Kosnett dhe zëvendësdrejtorin e Zyrës për Zhvillim Ekonomik në USAID, William Trigg.

Në MZHE thonë se Ndërmarrjet Publike i monitorojnë vetëm përmes Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike. E kjo njësi, sipas MZHE-së, nuk kanë raportuar asnjë shqetësim për ndërhyrje në këtë proces të rekrutimit.

Ligjit për Ndërmarrje Publike, Neni 24, par.1 e obligon Bordin e Drejtorëve për të zhvilluar një procedurë të përzgjedhjes së Zyrtarit të Ndërmarrjes në bazë të meritës.

“Për përzgjedhjen së personave për emërim si zyrtarë të NP-së, Bordi i Drejtorëve duhet të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritës”, thotë neni 24, par.1. i Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Kush është Fadil Ismajli?

Fadil Ismajli nuk e ka për herë të parë që ka qenë pjesë e konkurseve ku ka asistuar partneri i Ambasadës së Britanisë. Ismajli ishte i dyti më i votuar nga BDO-ja në garën për kryesues të bordit të ZRRE-së. Si dhe ishte kandidati më i poentuar për anëtar të bordit të ZRRE-së, mirëpo nuk kishte arritur të marrë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës.

Fadil Ismajli ka qenë ministër i zhvillimit Ekonomik nga qershori i vitit 2013 deri në fund të vitit 2014. Ismajli në shkurt të vitit 2015 ishte dorëhequr nga postet që kishte në Aleancën Kosova e Re, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli. Gjatë kohës sa ka qenë ministër Ismajli ishte ristrukturuar projekti i Kosovës se Re dhe ishte ndryshuar mënyra e ofertimit.

Në projekt kishte mbetur vetëm ndërtimi i ‘Kosovës së Re’, ndërsa ofertimi do të bëhej në dy faza: Ofertimi për nivelin e Normës së Brendshme të Kthimit (IRR) dhe faza e dytë përzgjedhja e operatorit që do ta ndërtojë termocentralin.

Më vonë, ishte publikuar një shkresë e brendshme Bankës Botërore që e krahasonte rastin e Termocentralit Kosova e Re me një projekt në Armeni. Në të dy projektet ishte përdorur mënyra e njëjtë e ofertimit, ndërsa fitues ishte shpallur Contour Global.

Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) i Termocentralit “Kosova e Re”, i udhëhequr nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli

Gjatë kohës së tij, në garë kishte mbetur vetëm Contour Global. Madje, kjo kompani nuk e kishte dorëzuar ofertën në muajin shtator 2014, dhe Komiteti Drejtues i Projektit i udhëhequr nga Ismajli i kishte dhënë kohë shtesë për ofertim. Në fund, projekti është proceduar me vetëm një ofertë të pranuar, që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit që ishte në fuqi në atë kohë.

Pas përfundimit të mandatit të tij si ministër, Ismajli kishte punuar për një kompani amerikane dhe ishte paguar më shumë se 10 mijë dollarë në muaj.

NKEK është ndërmarrja e re energjetike që do të krijohet për të rregulluar tregun e energisë në Kosovës pas fillimit të prodhimit në termocentralin Kosova e Re. Aktualisht shitblerja e energjisë në mes të KEK-ut si prodhues dhe KEDS/KESCO si furnizues rregullohet me marrëveshje në mes të dy kompanive.

Kjo praktikë do të ndryshohet me fillimin e prodhimit të energjisë në termocentralin Kosova e Re. NKEK do të shërbejë si kompani tregtare, që e blen energjinë nga Kosova e Re dhe e shet të njëjtën te KEDS-i.

Çmimi i energjisë që do të prodhohet në Kosovën e re do të jetë i paracaktuar, pra fiks, ndërsa çmimi që KEDS-i do ta blejë energjinë nga NKEK do të jetë çmimi i tregut.

Shoqëria civile por edhe qeveritarët kanë kritikuar se kjo ndërmarrje sidomos në 4-5 vitet e para do të obligohet të blejë energjinë prej Kosovës së Re me çmim të paracaktuar, ndërsa do të obligohet që t’ia shesë të njëjtën energjisë KEDS/KESCO me çmim të tregut.

Komuniteti i Energjisë në Vjenë e kritikuar këtë marrëveshje duke e vlerësuar që është monopoliste sepse e obligon qytetarin e Kosovës të paguaj çmim të paracaktuar të rrymës.