A do të vazhdojë dialogu pas taksës 100 për qind?

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka arritur pikën më kritike, prej që ka filluar në vitin 2011.

Edhe pse është deklaruar vazhdimisht që marrëveshja është shumë afër dhe dialogu ka hyrë në fazën finale, fundi i tij nuk po shihet në horizont.

Serbia gjatë këtij viti e ka intensifikuar fushatën e saj kundër shtetit të Kosovës, si kundër anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ashtu edhe kundër njohjes së pavarësisë.

Kjo fushatë ka pasur mjaft efekt duke ndikuar në dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, duke ndikuar që edhe  Prishtina zyrtare ta pranon që lobimi i shtetit të Serbisë kundër anëtarësimit ishte i fuqishëm.

Dhe si kundërpërgjigje, kryeministri Haradinaj në bashkëpunim me ministrin e Tregtsië dhe Industrisë Endrit Shala, vendosën që taksën e aplikuar me datën 6 nëntor prej 10 për qind , për të gjitha produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina( po ashtu shtet që nuk e ka njohur Kosovën),ta rrisë në 100 për qind.

Kjo ishte një goditje e fortë nga Kosova kundër Serbisë dhe u prit me entuziazëm.

Në anën tjetër , reagimi i shtetit serb, përkatësisht i presidentit Vuçiq realisht nuk ishte ai që pritej , meqëi bëri thirrje për paqe që sipas tij mund të mbahej vetëm me largimin e kësaj takse.

‘’ Porosia ime për shqiptarët është, ju lus si Zotin njerëz, kthjelluni, kuptoni se na nevojitet paqe. Kuptoni se për asgjë në botë nuk na nevojitet eskalimi dhe konfliktet, as popullit shqiptar, as popullit serb. Ju lutem tërhiqni këto vendime, të ulemi të bisedojmë. Por si ju respektojmë juve shqiptarëve, duhet të kuptojmë se duhet të respektoni edhe ju serbët si popull. Ne jemi kundër Kosovës së pavarur, por e kuptojmë që ju e trajtoni si të tillë. Ju kuptojeni që nuk e trajtojmë Kosovën si shtet të pavarur dhe se vetëm me kompromis mund të vijmë tek zgjidhja, pa Serbinë këtë nuk mundeni’’, ishte deklarata e presidentit serb Vuçiq, në konferencën të mbajtur menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën.

Vuçiq u duk më i ‘zbutur’ në këtë deklaratë, duke shprehur shqetësimin e tij për pasojat ekonomike që do t’i ketë shteti i Serbisë, si rezultat i taksës.

Nga ideja e Hashim Thaçit për ‘korigjim të kufijve’ e deri tek lobimi i Serbisë në vazhdimësi kundër Kosovës, dialogu në këtë momente po duket pa rrugëdalje dhe një zgjidhje të afërt.

Perparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë se dialogu do të vazhdojë.

Sipas tij aplikimi i taksës nga Qeveria e Kosovës, ‘nuk ka për qëllim të fundit ndërprerjen e dialogut por ka për qëllim balancimin e fuqisë negociouse të palës sonë’ dhe se është ende herët  për të konstatuar se cilat do të jenë efektet e këtyre zhvillimeve si mbi shtetin e Kosovës ashtu edhe mbi marrëdhëniet veçse të brishta në mes dy shteteve.

‘’ Në raste, krijohet përshtypja se dialogu zhvillohet përbrenda një dinamike të ndarë nga deklaratat e përfaqësuesëve të të dy shteteve. Ai jo rrallë herë ka vazhduar të zhvillohet paralelisht retorikës së përfaqësuesëve politik. Mirëpo, kësaj rradhe duhet të themi se thuajse për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, vendimet e përfaqësuesëve tanë politikë mund të kenë efekte praktike mbi mirëqenien e shtetit dhe qytetarëve serb, dhe kjo ka cdo potencial që të shtyj Serbinë të reflektoj mbi qasjen e saj ndaj procesit të dialogut’’, ka thënë Kryeziu. Ai shprehet se Kosova duhet një herë e mirë të konsolidoj karakterin e saj prej një shteti serioz me të cilin arritja e një marrëveshjeje është e mundur vetëm për aq kohë sa ka një respektim të ndërsjelltë të subjektivitet të saj si shtet sovran.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), shprehet skeptike  në vazhdimin e dialogut.

Ajo thotë se dialogu në këto rrethana nuk ka kuptim, sidomos pa ndryshuar qasja destruktive e Serbisë ndaj Kosovës.

‘’ Sigurisht që vendimi i qeverisë do të ndikojë në ecurinë e procesit të dialogut Kosovë – Serbi, megjithatë ky vendim është i drejtë dhe do duhej të merrej shumë më herët. Serbia për një kohë të gjatë ka bllokuar eksportin e produkteve të Kosovës, duke mos i njohur dokumentet e prodhuesve. Për më tepër ajo ka vazhduar fushatën e saj kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Për këto arsye taksa nuk duhet të hiqet edhe nëse ndikon në ecurinë e dialogut, përderisa Serbia nuk shpreh zotime të qarta se do të ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës’’, thotë ajo.

Sipas saj, lobimi i Serbisë kundër Kosovës në të gjitha fushat, është në kundërshtim me frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Takimi i fundit i dy presidentëve Thaçi-Vuçiq, është mbajtur me 8 nëntor në Bruksel, ku nuk u qartësua se për çka është biseduar në këtë takim.

Dhe në këto rrethana të krijuara nga zhvillimet e fundit në Kosovë, fati i dialogut për normalizim është i paqartë.