Hashim Thaci - Angela Merkel Foto Facebook Hashim Thaci

Gjermania duhet ta ndalë rrezikun e ndarjes së Kosovës

Në kohën kur SHBA dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së i bëjnë presion Kosovës të ndryshojë kufijtë e saj me Serbinë, Gjermania duhet të ngritet mbi parimin se rivizatimi i kufijve në linja etnike është gabim.

Për dy dekada, vendet evropiane kanë punuar së afërmi me Shtetet e Bashkuara për të zbatuar dhe mirëmbajtur një paqe të brishtë në Ballkan. Të dyja palët kanë investuar miliarda euro për të rindërtuar dhe stabilizuar Bosnjen dhe Hercegovinën dhe Kosovën, të shkatërruara nga agresioni serb dhe të dy këto vende dërguan mijëra trupa në rajon në kuadër të një force paqeruajtëse.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, BE, me Gjermaninë dhe – deri më tani – me Mbretërinë e Bashkuar në thelbin e saj, janë në posedim të një leve të kombinuar që ka të bëjë me progresin e mundshëm dhe qëndrueshmërinë afatgjate në Ballkanin Perëndimor që është i pakrahasueshëm me çdo rajon tjetër në planetit.

Megjithatë, një gabim strategjik trashanik tani po shpaloset në të dy anët e Atlantikut, ku administrata e Donald Trump ka vendosur të ndryshojë status quon dhe të largojë këtë trashëgimi për një masë tjetër afatshkurtër.

Uashingtoni është në një mendje me Serbinë ndërsa po e ndjek një “shkëmbim toke” të paqartë me Kosovën që do të fuste zonat e banuara me serbë në Kosovë nën kontrollin serb në këmbim të njohjes së Kosovës – ish provincës së saj – si një vend i pavarur, nga Beogradi.

SHBA po ushtron presion masiv mbi Kosovën për të pranuar një marrëveshje të tillë – megjithëse mbështetësi i saj kryesor në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi, është pothuajse plotësisht i izoluar brenda vendit në lidhje me këtë çështje.

Padyshim, Trump ka ndjekur politikën më anti-evropiane të Amerikës në epokën e pasluftës. Por ai po ndjek vetëm një shkëndijë të ndezur nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe njëkohësisht duke e vendosur fuqinë e SHBA prapa kësaj politike.

Mogherini po bashkëpunon me Këshillin Kombëtar të Sigurisë të Trump, NSC, për të shtyrë përpara agjendën afat-gjate të Serbisë për ti rivizatuar kufijtë ndërkombëtarë përgjatë vijave etnike, një agjendë kjo e drejtuar nga Presidenti serb dhe aleati i mundshëm i BE-së, Aleksandar Vuçiç. Mogherini dhe amerikanët i kanë mbajtur në errësirë vendet anëtare të BE dhe aleatët e NATO-s në lidhje me këto përpjekje.

Ky ‘potez’ do të ishte një shkëputje dramatike, jo vetëm nga një bashkëpunim çerek shekulli tejoqeanik në Ballkan, por edhe shkëputje nga parimi kryesor i rendit të deritanishëm ndërkombëtar – që rivizatimi e kufijve përgjatë vijave etnike është i rrezikshëm i cili do të rezultonte në destabilizim dhe gjakderdhje.

Ka arsye të mira pse aneksimi i Krimesë nga Rusia ka hasë në dënime dhe imponimin e sanksioneve ndaj saj; ky ka qenë një standard i aplikuar pas Luftës së Ftohtë.

I gjithë presioni aktualisht po ushtrohet mbi kosovarët; SHBA dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian hapur po anojnë kah Beogradi, i cili – ashtu sikurse Rusia, Kina dhe pesë shtetet anëtare të BE – ende e shohin Kosovën si një provincë të ndarë.

Administrata Trump në mënyrë të rrezikshme ka përshkallëzuar qëndrimin e saj agresiv në këtë çështje: zyrtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, NSC, kanë kërcënuar me tërheqjen e forcave amerikane në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it – rreth 25 përqind e forcës dhe, një prej forcave të cilat më së shumti i japin siguri kosovarëve.  

Përderisa dëmi afatgjatë do të jetë i ashpër, arsyetimi është personal dhe afatshkurtër.

Përpjekja nga Trump-Mogherini duket se ka për qëllim arritjen, ose së paku deklarimin, e një fait accompli (punë e kryer) që mund të shpallet shpejt si një “fitore” diplomatike, me një marrëveshje që do të vuloset në Bruksel dhe do të nënshkruhet në Rose Garden (Kopshtin Rozë) në Shtëpinë e Bardhë para se afati i Mogherinit si Shefe e Politikës së Jashtme në BE, të mbarojë më vonë gjatë këtij viti.

Mogherini dhe paraardhësi i saj, Catherine Ashton, kanë ndëndërmjetësuar bisedimet mes Beogradit dhe Serbisë për shumë vite; Ashton arriti gjithashtu një marrëveshje të pjesshme, vetëm disa muaj përpara përfundimit të mandatit të saj.

Kjo doli të jetë e pamundur të zbatohej në kushtet politike. E njëjta gjë do të jetë e vërtetë edhe për marrëveshjen e shkëmbimit të tokës – përveç se aksionet janë tejet më të larta.

Përjashtimi i Kosovës nga OKB dhe nga shumë forume të tjera, si dhe mungesa e njohjes nga Serbia, është një problem real që kërkon një zgjidhje. Megjithatë, nxitimi për të artikuluar një marrëveshje duket të nxitet më shumë nga oraret e jashtme dhe nga ato të dy udhëheqësve sesa nga rrethanat objektive.

Marrë kolektivisht, BE nuk ka qenë në gjendje të artikulojë politikën e pandryshuar të shumicës së shteteve anëtare të saj – se Serbia nuk mund ti bashkohet BE-së pa e njohur Kosovën në kufijtë e tanishëm.

Përmes parlamenteve të tyre, shtetet anëtare tani duhet ta bëjnë të qartë këtë gjë. Fakti se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja në mënyrë të qartë janë rreshtuar krah palës më të fortë përcakton faktin se cila anë do të përfitojë nga një marrëveshje që do të jetë e vështirë, nëse jo e pamundur, për t’u zbatuar.

Pranimi i shteteve anëtare të BE-së për fait accompli-në e dyshes Trump-Mogherini do të nënkuptonte braktisjen e asaj që ka qenë një tabu tejoqeanike për një çerek shekulli – ndjekja pas kufijve etnik – dhe rrjedhimisht e transferimit të popullsisë.

Një marrëveshje e tillë, në rast se pranohet, do të nxiste agjendat e papërmbushura nacionaliste nga vitet 1990-ta në të gjithë rajonin, tashmë gjithnjë e më shumë në rritje dhe të shfqura paturpësisht. Ka një arsye pse Vuçiq dhe nënshtetasit e tij përpiqen ta paraqesin këtë si një rehatim ndërmjet “serbëve dhe shqiptarëve”, në vend se një rehatim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Një marrëveshje e tillë do të ishte vetëm pjesa e parë në rregullimin e hartave – politike dhe demografike – në Ballkan. Një ndryshim i tillë në mënyrë të pashmangshme do të ishte i dhunshëm dhe do të shkaktonte lëvizjet e popullsisë, duke përfshirë edhe lëvizjen e popullsisë brenda shteteve në BE.

Bosnja dhe Hercegovina mbart në vet një çmim shumë të madh për Beogradin; Serbia ka një nxitës entuziast në presidencën shtetërore të BeH e cila gjendet brenda figurës së udhëheqësit de facto të Republika Srpska, Milorad Dodik. Maqedonia e Veriut është regjioni i vetëm (megjithëse i paplotë dhe e brishtë) i lajmeve të vërteta kohëve të fundit por megjithatë, akoma mbetet e cenueshme.

Për vite me radhë, struktura e politikave të BE ka pretenduar se shefi i politikës së jashtme mund të veprojë vetëm kur 28 shtetet anëtare të bllokut e mbështesin atë. Është veçanërisht e çuditshme që Mogherini është e liruar nga ky kufizim, jo në ndjekjen e vlerave të BE-së, por për të avancuar një marrëveshje që parakalon përballë këtyre vlerave dhe politikave të përcaktuara.

Mbështetësit e shkëmbimit territorial dhe të popullsisë e konsiderojnë atë një marrëveshje tashmë të kryer, përkundër faktit që shumica e klasës politike dhe popullatës në Kosovë janë kundër saj. E vetmja forcë që tani duket e aftë ta ndalë atë është Gjermania.

Ndryshe nga administrata e Trump, kancelarja Angela Merkel ka një rol të drejtpërdrejtë në të ardhmen e Kosovës dhe në respektimin e parimeve të vendosura sipas rendit ndërkombëtar. Në radhë të parë, ishte vetë Merkel e cila e lehtësoi nisjen e dialogut Beograd-Prishtinë.

Roli i Gjermanisë ka qenë thelbësor gjatë gjithë procesit, duke punuar shumë ngushtë me SHBA-në dhe Britaninë e madhe.

Ishte përsëri Merkel ajo e cila e i printe BE-së me deklarimin e saj gjatë vjeshtës së shkuar se ideja Vuçiç dhe Thaçit për ndarje do të jetë në thelb destabilizuese. Shumë vende anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe vendet që refuzojnë të njohin Kosovën, Spanja dhe Sllovakia, po ashtu i panë me dyshime shumë të thella idetë rreth ndarjes së Kosovës.

Por, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe Luksemburgut, asnjë prej vendeve tjera nuk ishte i zëshëm në publik. Kjo i ka dhënë hapësirë Mogherini të ndjekë një marrëveshje për ndarje.

Ligjvënësit në Kosovë janë anashkaluar nga Thaçi; në Serbi, parlamenti i është nënshtruar vullnetit të Vuçiqit. Tradita dhe procedurat e Gjermanisë së pasluftës inkurajojnë ligjvënësit për t’i parandaluar devijimet sipas praktikës demokratike.

Bundestagu mund dhe duhet të shtyjë përpara përpjekjet e BE-së duke votuar për një zgjidhje ndërpartiake përmes së cilës bëhet e qartë se Serbia mund të bëhet pjesë e BE-së vetëm me kufijtë e saj të pranuar aktualisht.

Në të njëjtën kohë, Berlini duhet t’i tubojë rreth vetes vendet e tjera anëtare që t’i rezistojnë çfarëdo shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë – dhe në Ballkanin Perëndimor më gjerësisht, pasi një veprim i tillë do të rezultonte me lëvizjet e popullsisë në mënyrë të pashmangshme.

Kjo nënkupton asgjë me pak se sa që shtetet anetare prijëse të tërheqin frerët emergjent mbi një burokrat të pandershëm.

Dështimi për ta bërë këtë do të ishte heqje dorë nga përgjegjësia dhe minimi i përpjekjeve për të mbështetur ndërtimin e shteteve liberale, demokratike dhe multietnike nën sundimin e ligjit për të gjithë në Ballkanin Perëndimor.

Është e qartë se cilat forca do të përfitonin nga një heqje dorë e tillë, si brenda ashtu edhe jashtë BE-së.

Gjermania duhet të marrë drejtimin tani, në mënyrë që t’a ruajë trashëgiminë e Evropës së pas Luftës së Ftohtë dhe vlerat themelore të BE dhe Aleancës Atlantike – dhe gjithashtu për të mbrojtur njerëzit që do të pësonin në mënyrë direkte nga një shkëmbim tokash.

Autorët janë bashkë-themelues dhe bashkëpunëtorë të lartë të Këshillit për Demokratizimin e Politikave në Berlin.

Mendimet e shprehura në seksionin e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.