Zgjedhjet në Veri Rrezikojnë Tërë Sigurinë

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Itali, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve në Universitetin “La Sapienza” në Romë.
 
Zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dinamika e integrimeve evropiane, me fokus në të drejtat e njeriut, kanë qenë disa nga temat e ligjëratës, bën të ditur MPJ, nëpërmes një komunikate shtypi.
 
Duke folur për paralajmërimin e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se mbajtja e tyre do të rrezikonte sigurinë në Ballkan.
 
“Nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në veri. Kjo do të rrezikonte tërë arkitekturën e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj.
 
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për perspektivën evropiane, duke theksuar se fillimi i studimit të fizibilitetit për Republikën e Kosovës, shënon hapin më të rëndësishëm drejt aspiratës së dy milionë kosovarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Duke shpjeguar rrugën e gjatë që ka bërë populli i Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë, ministri Hoxhaj ka theksuar se dëbimi i më se një milion shqiptarëve, dhjetëra mijëra të vrarë dhe spastrimi etnik, kishte për qëllim ndryshimin e shifrave demografike në Kosovë.
 
“Serbia asnjëherë nuk e ka qarë kokën për popullatën në Kosovë. Asaj i ka interesuar gjithmonë vetëm territori. Kjo politikë e spastrimit etnik është ndaluar, me intervenimin humanitar të NATO-së  dhe ka sjell paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan dhe Evropë”, ka shtuar ministri Hoxhaj.
 
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka falënderuar kontributin e Italisë për shtetndërtimin e Kosovës dhe për pjesëmarrjen e madhe të forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it. “Shpallja e pavarësisë së Kosovës mbi gjitha është storie evropiane e suksesit”, ka theksuar Hoxhaj.
 
Ministri i Jashtëm i Kosovës, më pas ka folur edhe për drejtat e komuniteteve në Republikën e Kosovës, të cilat rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit.
 
“Republika e Kosovës, në katër vjetët pas pavarësisë ka arritur të akomodojë komunitetet në nivel qendror dhe lokal. Sot, komunitetet në Kosovë kanë të drejta më të avancuara se çdo komunitet tjetër në Evropë”, ka shtuar Hoxhaj.
 
Pasdite, ministri Hoxhaj do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Giulio Terzi.