Basket of goods. Photo: Pixabay

Xhepat për tokë, çmimet për qiell

Rritja e çmimeve po zgjeron hendekun midis nevojave themelore të qytetarëve dhe mundësisë së tyre për t’i përmbushur ato – të atyre në varfëri ekstreme, me asistencë sociale dhe jo vetëm.

Një shishe vaj kushton 1 euro e 54 cent,  më shumë se 1 euro e 50 cent me të cilat e kalon ditën një person me varfëri të skajshme në Kosovë. Kjo vjerrje ekonomike nënkupton që kategoria e varfër e Kosovës me rritjen e çmimeve nuk do të arrijnë të ngopin barkun.

Shumica e produkteve të tjera elementare tejkalojnë të njëjtin çmim, tregon një observim i çmimeve aktuale në supermarkete nga BIRN.

Pas paknaqësive të shprehura nga qytetarët për rritjen e çmimeve, kryeministri Albin Kurti në një postim në Facebook më 26 tetor tha se sikurse pjesa tjetër e botës, Kosova ka qenë e ekspozuar ndaj inflacionit si pasojë e një këputje të zinxhirit të furnizimit për shkak të pandemisë.

Duke pasur parasysh se Kosova në masë të madhe importon produkte nga vendet tjera, me produktet ka importuar edhe inflacion global.

Norma vjetore e inflacionit në Kosovë në tetor 2021 është rritur për 5.7 për qind krahasuar me tetorin 2020, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK.

Çmimet e bukës dhe drithërave janë rritur me 5.7 për qind; mish me 2,4 për qind; qumështi, djathi dhe vezët me 6,2 për qind; vajra dhe yndyrnat ushqimore me 27,9 për qind; perimet me 8,8 për qind; gazi me 16.2 për qind dhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me 35.5 për qind.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore shpërfaqin se mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në varfëri. Rreth 18 për qind jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Duke marrë parasysh çmimet e ushqimeve në Kosovë, ku shumica e ushqimeve jashtë shtëpisë apo në restorantet e ushqimit të shpejtë kushtojnë të paktën 1.50 euro, kjo do të thotë se disa të varfër ndoshta arrinë të hanë vetëm një herë në ditë.

Kryefamiljarja D.Sh nga Podujeva, pikturat e saj ekspresioniste detyrohet t’i shes me vlerë 20 euro që t’i blej drunjët për dimër, pasi që 150 euro të asistencës sociale nuk i mjaftojnë as t’i shkolloj tre fëmijët.

Më 3 Nëntor ajo ka blerë pakon e muajit, por nuk e di se si do arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet ditore edhe në 27 ditët tjera të muajit, pasi që dimrit t’i ndalet asistenca sociale dhe puna e bashkëshortit si ndërtimtar.

“Gjithmonë e kishim hallin si do ia dalim këtë dimër ku vajza i ka bërë pesë vjeç e do e ndalin edhe socialin. Mendonim si do ia dalim dhe tani që janë rritur çmimet Allahu hajr e bëftë [ Zoti na ndihmoftë]  ” shprehet e dëshpëruar ajo.

Musa Demiri, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i tha BIRN se Qeveria po përpiqet të ndihmojë këto familje. Pas rritjes së fundit të çmimeve, ka vendosur dyfishimin e pagesave për familjet me asistencë sociale për dy muajt e fundit të vitit.

Herën e fundit që ndihma sociale është rritur, me 20 për qind, ka qenë në vitin 2018. Që atëherë, pagesa minimale e mirëqenies për një person të vetëm ka qenë 60 euro në muaj dhe maksimumi për një familje 15 anëtarëshe 180 euro në muaj.

Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, nga muaji prill 2021, deri sa të rimëkëmbet ekonomia, shuma minimale për familjet një anëtarshe është 78 euro në muaj dhe maksimalja për familjet 15 anëtarëshe është 234 euro.

Shporta mujore e produkteve esenciale kushton mesatarisht 125 euro.

Të zgjedhësh mes detergjentit dhe bukës

Rritja e çmimeve të produkteve bazë shqetëson pothuajse të gjithë qytetarët, jo vetëm të varfërit. Shumë kategori sociale tashmë do të kenë vështirësi ta mbyllin muajin pa borxhe, përfshirë studentët dhe punëtorët me pagë minimale.

Studentja M.Sh e cila ushtron profesionin e gazetares ka vështirësi në “përthekimin” e shpenzimeve mujore me pagën mujore 250 euro.  Rritja e çmimeve veçse ia ka shtuar hallet se si të paguaj shpenzimet, përderisa jeton e vetme në Prishtinë.

“Akoma më shumë, këtë gjendje po e rëndon pandemia, ku shumica, përfshirë dhe mua, ‘punojnë sot për nesër’ ” shprehet ajo për BIRN.

Edhe pse paga minimale në Kosovë sipas Ligjit të Punës duhet të përcaktohet çdo vit, që më 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.

Një intervenim urgjent për stabilizmin e tregut po e kërkon kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli. Ai për BIRN tha që Qeveria duhet të marrë masa para se të përkeqësohet gjendja më shumë.

Xh. M  nga Vushtrria punon për 150 euro në muaj. Pagën e shpenzon për të siguruar ushqimin për familjen e saj katër anëtarëshe. Pas rritjes së çmimeve ajo është në dilemë se si do ta ndaj rrogën për të mbuluar shpenzimet – sa për higjienë,  sa për ushqim.

“Copë po ma hjek kur po hyjë në market. A të blej bukë a detergjent?” tha kryefamiljarja për BIRN, duke shpresuar që të paktën t’i rritet paga. 

“Ma përpara duhet të qëndrojmë pa bukë se sa pa detergjentë” shtoi Xh., e cila jeton në një shtëpi të vjetër në Vushtrri që nuk i përmbush as kushtet bazike të higjjenës. 

 

Politikat fiskale duhet të ndryshojnë

Rreth 13,000 familje në gjendje shumë të vështirë ekonomike në Kosovë janë të antarësuara në Kryq tq Kuq për të marrë ndihma elementare.

 Antigona Sopjani nga Kryqi i Kuq thotë se çdo situatë që krijon vështirësi në furnizim me artikujt bazë ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit te varfërisë.

Në këto rrethana, çmimi i lartë i produkteve e cenon të drejtën e njeriut për t’u ushqyer. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, konsideron që me rritjen e  çmimeve duhet të rriten të ardhurat e qytetarëve, veçanërisht për kategoritë që kanë të ardhura mujore nën mesatare.

Për BIRN, Këshilli u shpreh i indinjuar me rritjen e çmimeve pasi konsiderojnë që çdo ditë po rritet numri i të varfërve në Kosovë, ndërsa shteti nuk po ka kapacitete, as program që ta ruaj një baraspeshim social duke subvencionuar së pakuartikujt esencial.

Duke krahasuar të dhënat e ASK-së, vërejmë se shkalla e varfërisë kishte rënë në shkallën 3.9 në vitet 2014 në 2015,  shënoi rënie 0.8 pikë të përqindjes midis 2015 dhe 2016 dhe përsëri shënoi rritje me 1.2 pikë të përqindjes midis 2016 dhe 2017.

Visar Vokrri,  ekonomist dhe Drejtor i Programit në Institutin Riinvest, thotë se politikat fiskale duhet të rregullohen. Ai bën thirrje për korrigjim të skemave sociale në përputhje me normën e inflacionit dhe uljen e tatimit në të ardhurat personale për grupet me të ardhura të ulëta.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, ekonomia globale parashikohet të rritet me 5,9 për qind në 2021 dhe 4,9 për qind në 2022.

Të dhënat e ASK-së për tregtinë me mallra tregojnë një deficit tregtar më të lartë në gusht prej 352.6 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, kur ishte 228.9 milionë euro.

Vokrri tha se me rihapjen e ekonomisë, prodhimi industrial – për shkak të ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit global – ka pasur vështirësi në gjetjen e lëndës së parë duke mos pasur mundësi për ta përballuar kërkesën gjithnjë e në rritje. 

Ai tha se rritja e fundit e çmimeve për shkak të pandemisë është një shembull tipik i inflacionit në tranzicion, por me kalimin e goditjes ekonomike, pritet stabilizim i çmimeve. Vokrri dhe shumë ekonomistë të tjerë botërorë presin që çmimet të stabilizohen në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Mirëpo, Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”, akuzon qeverinë se fshihet pas arsyetimit se inflacioni ka ndikuar në rritjen e çmimeve për të vonuar marrjen e masave në kohë.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.