Washingtoni ngatërrohet në Ballkan ndërkohë që flakët e COVID-19 gllabërojnë botën

Cili mund të jetë interesi i mundshëm amerikan që i shërbehet diplomacisë aktuale të administratës Trump e që po e destabilizon Kosovën, një vend i vogël dhe i cenueshëm  proamerikan i Ballkanit, në mes të një pandemie globale shëndetësore? Dhe pse do ta bënte këtë ekipi i presidentit Trump kur ShBA e ndaloi Serbinë – me forcë – që të mos kryente gjenocid në Kosovë në vitin 1999?

Kjo duket të jetë veçanërisht e çuditshme pasi ShBA ishte lojtari kryesor që Kosova arriti ta fitojë pavarësinë dhe për shkak se qysh nga pavarësia, Kosova ka qenë vendi më proamerikan në Europë. E megjithatë, diplomacia aktuale amerikane sot favorizon Serbinë, aleatin më të afërt të Rusisë në rajon.

I dërguari i Trump, Richard Grenell, e ka vënë nën presion Kosovën për t’u pajtuar me kërkesat e Serbisë, si pjesë e një “negocimi” për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve.

Grenell është duke i udhehequr përpjekjet e tanishme diplomatike të ShBA në Kosovë; ai mban gjithashtu postin e ambasadorit të ShBA në Gjermani si dhe postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Kjo përben një gamë absurde detyrash për dikë që ka përvojë të kufizuar diplomatike dhe zero përvojë në inteligjencë.

Për Grenellin është raportuar si një ambasador katastrofal në Gjermani po qe se me standard nënkuptojmë një marrëdhënie bashkëpunimi me ndoshta aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Europë. Zyrtarët gjermanë nuk presin dot që Grenell të vazhdojë edhe me tutje kësisoji.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, KB, Susan Rice e ka quajtur Grenellin “një nga njerëzit më të këqij, më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë.”

Serbia sot udhëhiqet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, një nacionalist serb i cili po përdor urrejtjen etnike si një mjet politik për të fituar mbështetjen politike në vendin e tij- ashtu siç bëri Sllobodan Millosheviq në vitet 1990. Sot, liderët serbë në Beograd vazhdojnë të nxisin ndarjen dhe armiqësinë në Bosnje dhe Kosovë. Vladimir Putin është i lumtur që po e ndihmon Beogradin në çdo gjë që  nënkupton minimin e unitetit të Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara.

Atë që Trump dhe Grenell janë duke e bërë tani në Kosovë, po del të jetë e kundërt me politikat e suksesshme amerikane në rajon në mënyra esenciale.

Një prej parimeve amerikane që solli paqe në rajon deri në vitin 2008 ishte koncepti që kufijtë ishin të rregulluar dhe se zgjidhjet politike duhet të gjendeshin brenda kufijve të shteteve në kontekst. Marrëveshja e Ohrit që parandaloi luftën në Maqedoni thotë qartë se “nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike.” Të drejtat, jo territori, janë zgjidhja e këtyre problemeve.

Udhëheqja amerikane bashkë me një koalicion të fortë partnerësh ndërkombëtarë përdorën diplomacinë dhe forcën ushtarake për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Bosnjë, për të ndaluar një katastrofë tjetër brutale humanitare në Kosovë dhe për të parandaluar një luftë civile në Maqedoni nga vitet 1995 deri në 2008 pas shpërbërjës së ish-Jugosllavisë. Përpjekjet e udhëhequra nga amerikanët në ish-Jugosllavi ishin një sukses i madh i politikës së jashtme për ShBA-në në periudhën e hershme post-sovjetike.

Sot, Kosova është një vend sovran dhe demokratik, i njohur nga 97 kombe. Por Serbia ka përdorur ndikimin e saj për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Si reagim, Kosova vendosi një taksë 100 për qind për mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenell po e nxit Kosovën ta heqë taksën në mënyrë që të rinisin bisedimet që janë bllokuar tash e një kohë.

Meqenëse sanksionet dhe tarifat ndërkombëtare janë politika e favorizuar e administratës Trump, kundërshtimi i Trump ndaj tarifave të ligjshme të importit të Kosovës si një levë ndërkombëtare del të jetë përtej ironisë.

Në mënyrë që t’i bëhet presion Prishtinës për të hequr taksën, ShBA pezulloi një ndihmë dëshpërimisht të nevojshme për Kosovën. Disa zyrtarë në Uashington madje e kanë përmendur mundësinë e heqjes së kontigjentit të vogël të trupave amerikane nga Kosovë të cilët kanë qenë faktorë esencialë për sigurinë e Ballkanit që nga viti 1999. Ky ishte një faktor kryesor i cili shkaktoi rënien e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ndërkohë që virusi COVID-19 është përhapur në tërë rajonin. Kosova sundohet tani nga një qeveri e dobët në detyrë.

Grenell duket se është në favor të qëndrimit të politikanit afatgjatë kosovar, presidentit aktual Hashim Thaçi, i cili ka favorizuar një marrëveshje me Beogradin, madje një marrëveshje ku përfshihet shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Beogradit.

Gjatë një bisede personale në Uashington një vit më parë, unë e kam këshilluar Thaçin se marrëveshja për shkëmbimin territorial ishte një mashtrim serb që shpie në asgjë, dhe se ai nuk do të duhej t’i besonte administratës Trump në asnjë negociatë me Beogradin. Ai e ka injoruar këtë këshillë timen.

Shumë pyetje kërkojnë përgjigjie në lidhje me misionin e Grenell në Kosovë. Pse dikush me përvojë kaq të kufizuar dhe me një post kaq të rëndësishëm kombëtar do të duhej angazhohej në negociata midis dy kundërshtarëve të dobët të Ballkanit? Pse Grenell po merr një pozicion proserb në bisedime? Pse ShBA po destabilizon një vend proamerikan në një kohë kaq të ndjeshme?

Diçka po kutërbon këtu.

Si një entuziast agresiv i presidentit Trump, Grenell thjesht mund të jetë në një nevojë dëshpëruese për të kënaqur shefin e tij.

Megjithatë, unë dyshoj se ekziston diçka më shqetësuese se kjo, veçanërisht pasi unë ruaj dyshime të mëdha për marrëdhëniet e presidentit Trump me Vladimir Putinin. Unë dyshoj – pa ndonjë fakt – se Putini ia ka paraqitur Trumpit pikëpamjet e tij proserbe, duke vënë në pah se shqiptarët janë myslimanë dhe pastaj i ka kërkuar Trumpit të japë ndihmën e tij në këto në negociata.

Ashtu si me emërimet e tjera të keqkonceptuara, Trump e shëndrroi Grenellin agresiv dhe antagonist në shërbëtorin e tij besnik, pikën referuese në Kosovë. Kjo do të ishte një dhuratë e vogël për Putinin i cili e sheh si argëtuese kur sheh telashe – të çfarëdo lloji – në Europë.

Të kesh një diplomaci të frymëzuar nga Trump të angazhuar në ish-Jugosllavi është pothuajse e njëjtë sikurse të lejosh një djalosh dyvjeçar të luajë me një qiri të ndezur në një mullar kashte.

Misioni Grenell në Kosovë rrezikon paqëndrueshmërinë në Ballkan dhe nuk i shërben interesit kombëtar amerikan. Politika e tanishme e ShBA-së për Kosovën është paaftësia diplomatike në minimum, me shumë gjasë është një veprim tejet i keq.

Ndërkohë që COVID-19 është tërbuar nëpër Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, Grenell nuk do të duhej të përfshihej në Ballkan, ku ai nuk ka njohuri, përvojë dhe aftësi diplomatike për të përmirësuar situatën atje.

Përkundrazi, ShBA duhet të promovojë një qeveri stabile në Kosovë e cila do të përballej me krizën shëndetësore. Marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë një problem afatgjatë që meritojnë vëmendje serioze, profesionale diplomatike, dhe jo një politikë të njëanshme e gjysmë të pjekur, e cila i shkon për shtati interesave të Serbisë dhe Rusisë. Marrë nga “The Hill

James W. Pardew është ish ambasador i SHBA në Bullgari dhe oficer  karriere i inteligjencës së ushtrisë. Ai ka shërbyer si Zëvendësndihmës sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe është autor i “Paqebërësit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Ballkan”.