Vrasja Zbutet, Para Gjykimit

Nezir Kryeziu, 52-vjeçar, nga Suhareka, akuzohet se në shkurt të këtij viti, në Qendrën Tregtare në “Ortakoll”, me revolen e tij, ka vrarë Burim Shabanin, 22-vjeçar, nga Prizreni duke e goditur me një plumb në kokë dhe gjashtë plumba të tjerë në trup.

Po ashtu me revolen e tij, ai ka shkrepur në drejtim të Xhavit Shabanit, i ati i të vrarit, të cilin e godet me dy plumba; njëri e gërvisht në kokë dhe tjetri e qëllon në kraharor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Për këto vepra penale, Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren gjatë fazës së hetimeve e ka ngarkuar të akuzuarin Kryeziun, për katër vepra penale: Vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë, lëndimi i lehtë trupor, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll, posedim dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Mirëpo përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Ymer Koro, tha se ka marrë ftesën për seancë, vetëm një ditë para gjykimit, dhe e njoftoi gjykatësen e konfirmimit të aktakuzës, se është bërë rikualifikimi i veprave një ditë para mbajtjes së seancës.

Koro tha se aktakuza ka ndryshuar.

“Gjatë fazës së hetimeve që kanë zgjatur gati dhjetë muaj, deri një ditë para mbajtjes së seancës për konfirmim të aktakuzës, kanë qenë veprat penale të vrasjes së rëndë dhe vrasjes së rëndë në tentativë, ndërsa tani janë vetëm vepra penale të vrasjes dhe vrasjes në tentativë, për këtë nuk ka kurrfarë arsyetimi”, tha avokati Ymer Koro për Gazetën JnK.

Avokati i ka dorëzuar një parashtresë Prokurorisë së Qarkut në Prizren dhe Prokurorisë së EULEX-it, me të cilën ka kërkuar sqarim për ndryshimin kaq të shpejtë të kualifikimit të veprave penale.

“Kam kërkuar sqarim nga EULEX-i, sepse ata i kanë ndryshuar kualifikimet e veprave penale, duhet të japin sqarime se përse e kanë bërë një gjë të tillë”, tha Koro.

I pandehuri Nezir Kryeziu deklaroi se përveç armëmbajtjes pa leje, për të cilën e pranon fajësinë, për asnjërën nga veprat e tjera të ngarkuara nga Prokuroria nuk e pranon fajësinë.

Mbrojtësit e të akuzuarit, Ethem Rogova dhe Iljaz Kadolli, i propozuan gjykatëses që në mungesë të provave të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale me të cilat akuzohet, ta hedhë aktakuzën dhe të pushojnë procedurat penale ndaj tij.

Mbrojtja pretendon se i akuzuari nuk ka kryer vepër penale, sepse ajo ka qenë mbrojtje e nevojshme.

Prokurori Qarkut, Mehdi Sefa, propozoi që aktakuza të konfirmohet, meqë ajo bazohet në prova që janë të pranueshme.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ymer Koro, propozoi që në këtë fazë të procedurës, para konfirmimit, të bëhet ndryshimi i aktakuzës lidhur me cilësimin juridik për veprat penale të propozuara më lartë.

Gjykatëses për konfirmim të aktakuzës, i mbetet të vendosë se a do ta konfirmojë aktakuzën, do ta hedhë poshtë apo do të kërkojë rikualifikim të veprave penale.

Për këtë gjykatësja Ajsere Skenderi do të vendosë brenda afatit ligjor prej tri ditësh.

Vrasja ka ndodhur sivjet në shkurt, në zyrën e firmës “Malik Impex”, në Qendrën Tregtare në afërsi të Tregut të Gjelbër në Prizren. Policia pat deklaruar se incidenti dyshohet se ka ardhur për shkak të fajdeve dhe borxheve të pazgjidhura mes dy palëve.