Vrasësve të Fajdexhiut, 67 Vjet Burg

Një trup gjykues i Gjykatës së Qarkut në Pejë i ka dënuar me nga 27 vjet Gazmend Musollajn e Blerim Llabjanin dhe 15 vjet Nezir Kerellaj. Ky trup gjykues kishte arritur që vetëm për tri seanca të mbajtura, duke u mbështetur në pranimin e fajësisë së të akuzuarve dhe në provat e tjera materiale, të bindet për shqiptimin e 67 viteve burgim.

Prokuroria publike e Qarkut në Pejë i kishte akuzuar tre të pandehurit, si bashkëkryerës për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Ndërsa, të pandehurin Gazmend Musollaj edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, të parapara në  Kodin Penal të Kosovës.

Për motive pasurore, me dashje dhe në mënyrë dinake, të pandehurit e kanë vrarë tashmë të ndjerin Fatmir Arifaj, në një grunajë, në fshatin Meqe të Gjakovës. Viktima 41-vjeçar u kishte dhënë të pandehurve 30 000 euro borxh me interes (fajde), ndërsa të pandehurit paraprakisht kishin planifikuar sesi ta ekzekutojnë atë, në mënyrë që t’i iknin pagesës së parave.

Sipas aktakuzës, të pandehurit në ditën kritike ishin takuar në restorantin “Rezidenca”, në Klinë, ku kanë hartuar planin, përkatësisht janë marrë vesh që të shkojnë në Gjakovë së bashku me tashmë të ndjerin, ku kinse i pandehuri Gazmend do t’ia kthente paratë e borxhit.

Ata, të katër si grup kanë shkuar me makina në Prizren ku kishin qëndruar deri në orët e vona të mesnatës, për t’u kthyer pastaj nga Prizreni, në drejtim të fshatit Meqe të Gjakovës. Të pandehurit pastaj e kanë marrë viktimën, e kanë futur në një rrugë dytësore të fshatit, në një grunajë dhe aty i pandehuri Gazmend, i shtrirë në tokë, nga prapa shtie një herë pas kokës së viktimës, që po ashtu ishte i shtrirë në tokë. Gazmendi pastaj ngrihet në këmbë dhe godet edhe dy herë në shpinë viktimën, duke e lënë të vdekur.

Më pas, i pandehuri Nezir Kerellaj merr nga viktima dy zinxhirë ari, dy telefona mobilë dhe 70 euro para. Ndërsa të pandehurin tjetër, Blerim Llabjani, i cili nuk ishte prezent e thërrasin në telefon, duke i treguar se kishin kryer punë. Blerimi vjen dhe me veturë që të tre largohen nga vendi i ngjarjes.

Armën me të cilën i pandehuri Gazmend Musollaj e kishte ekzekutuar viktimën e tij, me qëllim që ta zhdukë dhe t’i fsheh gjurmët e krimit, e hedh në Dri, në fshatin Rakovinë të Gjakovës.

Në sallën e Gjykatës së Qarkut ku ishte mbajtur gjykimi, forcat të rrepta të sigurisë e kishin siguruar ambientin brenda, dhe përreth. Me t’u shpallur aktgjykimi, të dënuarit janë përcjellë për në Burgun e Dubravës, ku do të vuajnë dënimin.