Ukimeri Ndryshon Deklaratat në Rastin Muja (TV)

Të enjten, në procesin gjyqësor kundër kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, u deklarua Kadri Ukimeri, ish drejtor i Kadastrit dhe njëri nga të akuzuarit për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve.

Kadri Ukimeri, akuzohet, se në kohën sa ka qenë drejtor i Kadastrit, nuk ka zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, me qëllim që tjetrit apo vetes t’i sjellë dobi pasurore.

Gjykata Supreme në vitin 2006, e kishte shpallur komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave me numrat 8617 dhe 8619. Minir Krasniqi, drejtor i Administratës dhe njëri nga të akuzuarit po për shpërdorim detyre dhe të autorizimit, ka hise në këto parcela, ndërsa komuna e Prizrenit, sipas aktakuzës nuk ka zbatuar vendimin e Supremes, për t’i marrë këto prona nën kontroll. 

Kadri Ukimeri, në fillim u mundua ta paraqesë veten shpëtimtar të Drejtorisë së Kadastrit, pasi tha ta ketë marrë detyrën, në kohën kur kjo drejtori ishte djegur. Sipas tij, kur nisi punën, Kadastri ishte totalisht i shkatërruar.

Djegia e një pjese të objektit komunal pati ndodhur më 29 tetor 2007, në kohën kur Prizreni qeverisej nga LDK-ja. Më 17 nëntor qenë mbajtur zgjedhjet lokale, të cilat ndërruan pushtetin në Prizren. Drejtoria e Kadastrit u rinovua në vitin 2010.

Ukimeri: kam kthyer normalitetin në kadastër

“Kur e kam marrë detyrën, kadastri ka qenë i shkatërruar tërësisht, zyrat, dokumentacioni ka qenë i djegur, personeli ka qenë i vendosur në zyrat e Drejtorisë së Inspektoratit, ndërsa kemi punuar edhe të shtunën dhe të dielën që ta kthejmë normalitetin”, tha Ukimeri

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati i tij, Brahim Sopa, i akuzuari Kadri Ukimeri deklaroi, se asnjëherë në Drejtorinë e Pronës nuk ka ardhur aktgjykimi i Gjykatës Supreme për ekzekutim dhe nuk ka pasur kërkesë nga avokati publik i Komunës për ekzekutimin e aktgjykimit.

Ukimeri tha të enjten se është informuar për aktgjykimin e Gjykatës Supreme, vetëm kur është marrë në pyetje nga prokurori në vitin 2011.

Prokurorja ia kujtoi të pandehurit deklaratën e 2011-ës, ku Ukimeri thoshte: “ Ne kemi shqyrtuar aktgjykimin e gjykatës Supreme dhe me një kopje jam njoftuar nga avokati publik”, duke e pyetur se si është e mundur që tani thoni krejt diçka tjetër.

“Përkthyesit mund të kenë gabuar”

Ukimeri, u qëndroi besnik fjalëve të ditës së djeshme, duke thënë se “jo vetëm unë, por askush nga drejtoria ime, nuk është njoftuar me një aktgjykim të Gjykatës Supreme”.

Ukimeri mohoi edhe të ketë pasur njohuri rreth faktit se Minir Krasniqi, drejtori i Administratës, ka blerë tokë në njërën nga parcelat me numrat 8617 dhe 8619, edhe pse në prokurori kishte thënë të kundërtën.

Prokurorja Vicary, e ballafaqoi përsëri të akuzuarin me fjalët e tij të para dy vjetëve. I pandehuri atëkohë kishte deklaruar, se ka biseduar me Minir Krasniqin, i cili i kishte treguar për aktgjykimin e gjykatës Supreme dhe për tokën që ka në parcela.

Prokurorja e pyeti Ukimerin nëse ka pasur presion nga Krasniqi që të mos e zbatojë vendimin e supremes, ndërsa ish-drejtori i Kadastrit iu përgjigj se nuk kishte pasur kurrfarë presioni nga kolegu i tij.

“ Minir Krasniqi me ka bë presion, që mos ta ekzekutoj aktgjykimin e gjykatës Supreme, pasi në këtë parcelë do të ndërtojë lokale afariste”, kishte thënë në prokurori Ukimeri.

Ukimeri në prokurori kishte thënë edhe se “Minir Krasniqi ka bërë ndërtim pa leje, ndërsa drejtoria ime, nuk ka kompetencë të intervenojë, ndërsa inspektorët nuk kanë intervenuar, pasi ka qenë drejtori i tyre duke ndërtuar”.

Ukimeri kishte thënë se edhe Ramadan Muja kishte njohuri për aktgjykimin e Supremes, të vitit 2006, por sipas Ukimerit kishte kërkuar që të mos merren veprime për zbatimin e tij për një kohë.

Ukimeri nuk i pranoi këto deklarata të dhëna në prokurori, duke u arsyetuar se fjalët e tij atje mund të jenë përkthyer gabimisht. Kryetari i trupit gjykues e pyeti Ukimerin, nëse kishte problem me memorien periodike.

Seanca e radhës është planifikuar të mbahet më 27 janar 2014. Në të prokurorja pritet ta thotë fjalën e saj përfundimtare.