Ukë Rugova është Ndaluar nga Policia (TV)

Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës kanë ndaluar deputetin e Kosovës Ukë Rugovën, të birin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës.

Ai u ndalua të mërkurën, gjatë një operacioni të policisë së Eulex-it, i dyshuar për krim të organizuar.

Lajmin për  ndalimin e Ukë Rugovës, për Gazetën Jeta në Kosovë, e ka konfirmuar edhe Bajram Tmava avokati i Rugovës.

“Po, ai është ndaluar. Për momentin po prezantohen prova si dhe po bastiset shtëpia e tij në Velani”, i tha Tmava Gazetës Jeta në Kosovë.

Edhe Blerim Kransiqi, zëdhënësi i misionit të EULEX-it në Kosovë, i ka thënë gazetës se është ndaluar Ukë Rugova.

Krasniqi tha se gjatë mëngjesit të së mërkurës ka filluar një operacion bastisjeje dhe arrestimi ndaj një grupi të pandehurish për krim të organizuar.

“Ata dyshohet të jenë përfshirë në një grup kriminal për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit. Të pandehurve janë duke ju bastisur shtëpitë”, tha Kransiqi.

Operacioni është pjesë një hetimi të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Gazeta ka kontaktuar edhe anëtarë të familjes Rugova, por asnjë nga ata nuk është përgjigjur.

Rugova 33-vjeçar është aktualisht deputet i Koalicionit për Kosovën e Re, një koalicion para-zgjedhor i themeluar nga Aleanca për Kosovën e Re, i udhëhequr nga Behgjet Pacolli.

Ai hyri në politikë para zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2010, kur ai dhe disa ish-anëtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës u larguan nga partia e themeluar nga babai i tij, presidenti Ibrahim Rugova, duke krijuar listën “Dr Ibrahim Rugova “.