Shahin Bulaku, duke mbledhë mbeturina. Foto: Nuhi Shala

Të mbijetosh duke mbledhë mbeturina 

Mbledhja e mbeturinave apo skrapit, siç njihet ndryshe, për shumë banorë në Kosovë është burimi kryesor për mbijetesë.

Nevoja e madhe për mbijetesë i shtyn disa qytetarë që ta bëjnë këtë punë.

Nuk është se ata nuk kanë nevojë dhe nuk duan të gjejnë një punë tjetër. Kjo ndodh, thjeshtë, sepse atyre nuk u ofrohet mundësi tjetër që të punojnë një punë më të dinjitetshme.

Andaj, në mungesë të një vendi pune si dhe në pamundësi për të punuar diçka tjetër, pothuajse janë të shumtë ata që gjatë ditës grumbullojnë mbeturina: kanaçe dhe gjësende tjera, të cilat pastaj i shesin me qëllim të fitimit të një shume të vogël në fund të ditës sa për mbijetesë.

Shumë nga mbledhësit e mbeturinave në Kosovë i përkasin komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas.

Megjithatë, jo të gjithë. Të tillë ka edhe nga komunitetet tjera.

Shahin Bulaku, një 57 vjeçar nga fshati Sllatinë e Vogël, Komuna e Fushë Kosovës, është njëri prej tyre.

Shahini shihet shpesh përgjatë rrugëve dhe hapësirave tjera publike teksa bën punën e tij si kanaçembledhës. Dhe, këtë punë ai e bën pothuajse secilën ditë.

Dita e zakonshme e Shahinit fillon dhe mbaron duke e shtyrë karrocierin e tij të cilin e përdor si mjet për bartjen e mbeturinave dhe gjësendeve tjera të grumbulluara: plastikë, najllon, letër, copëza gome e shumëçka tjetër.

Mbledhjen e mbeturinave Shahini e bën tash e 7-8 vite rregullisht dhe kjo punë – sipas tij – i sjellë atij para, të mjaftueshme sa për mbijetesë.

“Ma mirë me i fitu pesë apo shtatë euro në ditë sesa mu’ sill kot ose me dalë me lyp diku”, thotë Shahini kur pyetet për arsyen se pse e bën një punë të tillë.

Hapësira ku Shahini mbledh mbeturina kryesisht i përfshin fshatrat Sllatinë e Madhe dhe e Vogël, Pomozotin, Henc, Bardh i Madh dhe i Vogël, Grabovc, Harilaq por dhe disa fshatra tjera përreth.

Ndonjëherë edhe më larg, atëherë kur nuk gjendet ndonjë gjë për të mbledhur nëpër fshatrat ku Shahini zakonisht përfiton bukën për veten e tij.

Punë shumë, fitim pak

Megjithatë, jo çdo ditë është ditë e mirë dhe fitimprurëse për Shahinin.

Shumë shpesh ai nuk arrin të mbledh as edhe një kanaçe të vetme. Zakonisht kjo ndodh gjatë ditëve me shi të madh apo edhe gjatë dimrit kur bie borë.

“Ka ndodhë shumë shpesh që nuk kam mujt me nxjerr as një euro. Kur ka ra shumë shi apo kur gjatë dimnit kur bjen borë”.

Shahin Bulaku, duke mbledhë mbeturina. Foto: Nuhi Shala

Kur nuk ka kanaçe dhe gjësende tjera në “territorin” e Shahinit, ai thotë se shkon te restaurantet dhe kafenetë e ndryshme dhe zakonisht aty gjen disa sosh.

“Kur s’un gjaj asni kanaçe unë shkoj nëpër restorane edhe muzika edhe aty mi japin ata pronartë”.

Në pamundësi që të punojë, zakonisht gjatë ditëve me shi të madh dhe me borë, Shahini rri në shtëpinë e tij në Sllatinë të Vogël.

Shahini jeton i vetëm. Dikur ishte i martuar – dy herë madje – por që fati i jetës kishte dashur që ai të mbetet i vetëm në këtë jetë.

Ai ka një djalë i cili jeton ndaras.

“Jam kan i martun dy herë, edhe e kam ni djalë. Nuk jeton me mu. Jeton në Fushë Kosovë. Osht i rritun. E shoh kaniherë”, shton Shahini. – “Ama ma me qejf s’kisha folë për k’to sene”, shprehet ai.

Nuk të ndihmon askush

Shahini thotë se asnjëherë nuk ka trokitur në dyert e Komunës së Fushë Kosovës për ndonjë ndihmë, qoftë materiale apo financiare sepse nuk beson se ata do ti përgjigjeshin një kërkese të tij.

“Jo, asniherë nuk jam shku te dera e komunës me ju lyp najsen. Kryetari i Komunës osht i Sllatinës, i katunit tem, ama atij asniherë te dera si kom shku”.

Kanaçet dhe mbeturinat tjera që i mbledh, Shahini i dërgon dhe i shet tek një deponi skrapi në fshatin Harilaq porse edhe aty i shfaqen probleme me pagesa.

“50 cent shitet killa e kanaçeve. Nuk paguhet ma shumë. Killa e shisheve t’plastikës veç 12 cent. Duhen shumë shisha për me ba një killë. Qe a pe sheh qit’ thes t’madh? Ky i nxen diku nja 40 killa, jo ma shumë. D.m.th., mu m’duhet mi ba 40 killa shishe për me i fitu nja 4-5 euro, plus edhe nja 3-4 euro prej kanaçeve, qaty te 7-8 euro fitim n’ditë”.

Foto: Nuhi Shala

Rrallëherë Shahini has në ndonjë copëz alumini por shumë më shpesh në copëza hekuri. Për dallim prej shisheve, kanaçeve dhe hekurit, alumini shitet shumë më shtrenjtë.

“Najherë rrallë, tepër rrallë, e gjej naj copë alumini sepse kërkush so budallë me gjujt alumin n’sokak. Alumini shitet ma shtrejtë, 60 cent killa. Edhe hekur gjej najherë, ama hekuri shitet tepër lirë, veç 13 cent për killë. Kilogrami i shisheve dikur ka shku 19 centë, tash ka ra në 12 centë”, thotë Shahini teksa shton se edhe këto çmime gati secilën herë po zvogëlohen shumë.

“Secilen herë ma zbret çmimin. Po thotë që edhe atij po ja zvogolojnë çmimin ata t’mdhajtë. Ça po di unë! Po duhet me ja shitë qysh po m’thotë. S’po kam qare. Masi s’po kom ku me qu diku tjetër, po duhet m’ja qu ktina”, shprehet ai.

Për dikë s’ka ditë vikendi

Për Shahinin ditët e festave të fundvitit janë të zakonshme sa edhe të gjitha ditët tjera gjatë vitit, megjithatë këtë vit e ka ndërmend që natën e Vitit të Ri ta presë tek një vëlla i tij i cili jeton në qytetin e Prishtinës.

“Për mu s’ka t’shtune e t’dille. Kaniherë për festa pushoj. Zakonisht shkoj te sebepat për festa. E kam ni vlla në Prishtinë edhe k’saj radhe du me pritë Vitin e Ri atje”, thotë Shahini.

“Nashta vjen edhe djali jem, e bahmi bashkë, e presim bashkë”, vazhdon tutje dhe, për një moment të caktuar, i skuqen sytë dhe mezi i mban lotët.

Shahin Bulaku thotë se shpeshherë i ndodhë të mërzitet nga kjo punë e shumë shpesh edhe të zhgënjehet nga jeta që e bën. Për më shumë deklaron se gjithmonë ka besuar se një ditë, ndoshta, edhe për të do të gjendet një vend pune ku punohet me orar, me rrogë fikse dhe me pushime gjatë vitit.

“Nuk osht aq kollaj me i mbledhë kaq shumë kanaçe e kaq shumë hekra e plastika për me i fitu 6-7 euro n’ditë. Kaniherë kjo punë m’bahet tullusum tybe. Po s’kam qare pa dal. Kisha pas shume qef me pasë naj punë që ma jep ni rrogë në fund të mujit. Naj punë që nuk lyp naj zanat të vështirë. Nuk shkon gjthmonë tuj e mbledhë bërllogun që e gjujnë gjinja. Tash i kam mbushë 57 vjet tash. Po i afrohna pleqnisë. Edhe naj ditë ndodh që nuk muj dal me mbledh kurgja hiq”, thotë Shahini.

Me gjithë këtë punë të rëndë dhe aspak të dinjitetshme që e bën Shahini, prapë ka një dozë optimizmi tek ai se gjërat do të shkojnë për së mbari.

“Hajde ishalla mos po bahet ma mirë mas vitit të ri. Qishtu po thojnë plot tash masi po n’rrohet qeverija”, thotë buzagaz Shahini teksa shtyen karrocierin e tij përplot kanaçe, shishe dhe “bërllog” të të gjitha llojeve.

Mbijetesë por edhe rrezik për shëndetin 

Shahin Bulaku, duke mbledhë mbeturina. Foto: Nuhi Shala

Duke kërkuar mbeturina nëpër kontejnerë dhe hapësira tjera ku hudhen mbeturinat, mbledhësit e tyre u ekspozohen rreziqeve shëndetësore.

Sipas Shahinit, kjo punë bart me vete edhe rrezikun e dëmtimit të shëndetit pasi që të jesh në kontakt të vazhdueshëm me mbeturina të ndryshme është shumë e rrezikshme.

“Për shkak të kësaj pune shpesh smuhna edhe kaniherë kam probleme me frymëmarrje”, shprehet Shahini.

Mbeturinat që i mbledh, Shahini fillimisht i vendos në oborrin e shtëpisë së tij, derisa të grumbullohen në sasi më të madhe e pastaj i dërgon në deponi, aty ku grubullohen mbeturinat prej shumë e shumë “punëtorëve” si puna e Shahinit.

Sipas një hulumtimi të vitit 2015 të bërë nga Organizata Çohu, një pjesë e madhe e popullatës në Kosovë, në masë të madhe nga komuniteti RAE, e sigurojnë mbijetesën duke mbledhur skrap (mbeturina të riciklueshme) nëpër kontejnerë.

Sipas kësaj organizate, kushtet e rënda ekonomike e sociale i detyrojnë ata që të punojnë ditë e natë në vende të rrezikshme, në temperatura të papërshtatshme, e pa mjete pune, vetëm që të fitojnë pak para sa për të mbijetuar. Këta mbledhës grumbullojnë lëndën e parë të produkteve të cilën më pas e eksportojnë jashtë vendit.

“Mbledhja e mbeturinave për ta është bërë e zakonshme dhe e përditshme, pavarësisht pasojave. Të rriturit thonë se këtë punë e bëjnë që nga fëmijëria pasi që nuk kishin mundësi shkollimi e punësimi, e të njëjtin fat e kanë edhe fëmijët e tyre, të cilët në këto rrethana nuk kanë mundësi që të bëjnë zgjidhje tjetër për të mbijetuar” – thotë tutje hulumtimi i Organizatës Çohu.

Qendra Evropiane për çështje të komuniteteve, ECMI, në një hulumtim të sajin bërë në Prill të vitit 2019, thotë se grumbulluesit joformal të mbeturinave janë persona të cilët jetojnë ne varfëri të skajshme në Kosovë. Këta persona kryesisht janë pjesëtarë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian; por jo vetëm.

“Grumbulluesit joformal të mbeturinave në Kosovë punojnë në kushte të jashtëzakonshme dhe të pakëndshme, dhe marrim një kompenzim jashtëzakonisht të vogël për punën të cilën e bëjnë dhe, në parim, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, duke u bazuar në ligjet e Kosovë dhe ligjet ndërkombëtare”, thuhet tutje në hulumtimin e ECMI.

Në mungesë të një vendi pune

Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet në një nivel tejet të lartë me dy të tretat e popullsisë në moshë 15 deri 64 vjeç si të pa punë.

Si rezultat, me qindra mijëra kosovarë, të aftë për punë, nuk janë në gjendje të gjejnë një vend pune dhe kjo ndikon direkt në mirëqenien e tyre si dhe në standardin e tyre jetësor.

Shumë prej tyre e kanë braktisur Kosovën në kërkim të një vendi pune dhe një jete më të mirë. Vetëm brenda një viti mbi 40 mijë kosovarë e kanë braktisur Kosovën.

Ambasada Gjermane në Prishtinë në një përgjigje për KALLXO.com në muajin Prill të vitit 2019, ka thënë se vetëm gjatë vitit 2018 kjo ambasadë ka lëshuar rreth 38,000 viza.

Ndërkohë, Instituti Epik në një raport të publikuar në muajin nëntor të këtij viti, thotë se gjatë periudhës 2008-2018 nga Shqipëria dhe Kosova drejt vendeve perëndimore kanë emigruar afër 1 milion e 800 mijë banorë. Prej këtyre, afër 1 milion e 200 mijë janë nga Shqipëria dhe mbi 500 mijë qytetarë nga Kosova.

Papunësia e madhe në Kosovë ka ndikuar që edhe Shahini të mos mund ta gjejë një vend pune ashtu sikurse disa bashkëfshatarë të tij.

“Kam lypë punë po nuk kam mujt me gjetë. Kam provu nja dy-tri herë në kombinat po s’um kanë marrë. Masanej, e kam qitë e kam lanë krejt. Unë s’jam shumë i shkollum, e kom te kryme shkollën fillore edhe nashta për qita s’um merr kërkush në punë”, shprehet Shahini i pyetur nëse ndonjëherë ka kërkuar punë në ndonjë kompani private apo institucion shtetëror.

Megjithëse nuk ka shkollë, sipas tij, po ta kishte ndonjë zanat ndoshta do të arrinte ta kishte një punë tjetër e jo të mblidhte kanaçe marrë parasysh faktin se akoma fizikisht ndjehet stabil që të mund ta bënte edhe ndonjë punë tjetër që kërkon edhe forcë fizike.

“Zanat s’kom se nashta kisha punu najsen tjetër. Përveç qisaj pune me mbledh kanaçe e bërllog, unë naj zanat tjetër nuk e di. Nashta kisha punu edhe fizikisht najherë ama qysh po ni prej tjerve, edhe puna fizike nuk po paguhet mirë, plus llom po bahet njeri. E unë edhe tuj mbledhë kanaçe po fitoj pak. Bile sa për vete. Mirë osht, bereqat versen”, deklaron Shahini.

Shahin Bulaku, duke mbledhë mbeturina. Foto: Nuhi Shala

Rezultatet e dala nga Anketa e Fuqisë Punëtore, AFP, thotë se në tremujorin e dytë (Korrik – Shtator)  të vitit 2019, shkalla e papunësisë është 25.3%. Krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, kemi një rënie prej 1.6% të shkallës së papunësisë në nivel shteti.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 32.7%, krahasuar me meshkujt, 22.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.1%.

Sipas Anketës më të fundit të Buxhetit të Familjeve për vitin 2017 të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Banka Botërore, vlerësohet se 17.6 përqind e popullsisë në Kosovë jetojnë në varfëri absolute, duke mbijetuar me më pak se 1.82 euro për një individ të rritur në ditë.

Një jetesë të varfër apo, skajshmërisht të varfër, e kanë edhe familjet që jetojnë nën skemën e asistencës sociale.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e saj më të fundit, thotë se në tremujorin e tretë (Korrik – Shtator) të vitit 2019, janë 24 mijë e 526 familje në Kosovë, që brenda 10 muajve (janar-shtator 2019), i kanë shfrytëzuar ndihmat sociale që jepen nga buxheti i shtetit.

Programet e asistencës sociale mbulojnë vetëm 1/3 e familjeve të varfra. Madje edhe ato familje që marrin asistencë sociale nuk arrijnë të kalojnë pragun e varfërisë.

Edhe Shahini është pjesë e asistencës sociale dhe përfiton një shumë prej 80 eurosh në muaj. Megjithatë, po të mos e bënte punën e kanaçembledhësit, Shahini nuk do të mund të mbijetonte vetëm me 80 euro.

“Unë e marr ni social prej 80 eurosh n’mujt ama ato s’um dalin as për dhetë ditë. Mos me kanë me i grahë qisaj pune, as qentë s’um kishin hangër”, përfundon rrëfimin e tij Shahin Bulaku teksa shtyn karrocierin e tij në kërkim të mbeturinave tjera.