Të Fiksuar në Vetura Luksoze

Pak kohë pas zgjedhjes së tij si Kryeministër në fundit të vitit 2007, Hashim Thaçi dha premtime të mëdha të uljes së trendit të blerjeve dhe përdorimeve të veturave zyrtare. “Ne do të jemi të kujdesshëm gjatë shfrytëzimit të parave të buxhetit duke dhënë llogari për çdo cent që do ta shpenzojmë”, kishte thënë ai.

“Prandaj, dua që ju [ministra], deri nesër, të më dërgoni një raport lidhur me përdorimin e veturave në ministritë tuaja,” shtoi ai. “Buxheti ynë nuk duhet të shpenzohet në lukse kur kemi aq shumë nevoja dhe aq shumë njerëz që jetojnë në varfëri”.

Më vonë atë muaj, qeveria urdhëroi të gjitha institucionet shtetërore që të arrijnë kursime në shpenzimet e karburanteve dhe veturave zyrtare dhe nxori një urdhër për rregullimin e përdorimit të veturave zyrtare.

Mirëpo, katër vjet më vonë, shpenzimet në të vërtetë janë rritur, përfshirë edhe dukurinë e bartjes së parave nga projektet tjera për të financuar veturat e reja ministrore.

Gjithsej për vitin 2012 janë ndarë rreth 3 milionë euro për blerjen e veturave. Kjo ishte rritje nga 1.5 milionë euro për vitin 2011.

Për më shumë, sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, shpërdorimi i veturave zyrtare vazhdon të jetë i përhapur në ministri, komuna dhe institucione tjera shtetërore.

Paratë ndërrojnë destinimin për limuzina zyrtare

Në fund të vitit 2011, Ministria e Kulturës bleu një veturë luksoze të markës Touareg për ministrin e saj, Memli Krasniqi, në vlerë prej 47,000 euro.

“Blerja e kësaj veture ishte e domosdoshme sepse vetura e ministrit ishte shumë e vjetër dhe kishte probleme teknike”, kishte thënë Shasivar Haxhiaj, këshilltar i ministrit.

Ish ministri i kulturës, Lutfi Haziri, nuk pranoi të komentojë nëse vetura që kishte përdorur ai duhet të zëvendësohej.

Në buxhetin e vitit 2011 fillimisht nuk ishin ndarë fonde për blerjen e xhipit të ri për ministrin, prandaj paratë u morën nga Departamenti për Trashëgimi Kulturore, dhe sipas dokumenteve qeveritare ato janë destinuar për projekte kulturore.

Haxhiaj nuk pranoi të japë shpjegime se cilat skema pësuan si rrjedhojë e blerjes së veturës. Mirëpo, Memli Krasniqi nuk ishte i vetmi që ndërroi destinimin e fondeve për të blerë veturë për ministrinë e tij.

Në tetorin e kaluar, Ministri i Financave, Bedri Hamza, aprovoi riorganizimin e buxhetit të vitit 2012 për disa ministri në mënyrë që të mund të blihen veturat e reja.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e drejtuar nga Besim Beqaj, zhvendosi 110,000 euro nga linja e “mallrave dhe shërbimeve” për blerjen e veturave.

Ministria e Punëve të Jashtme lëvizi po aq para në buxhetin e tyre nga kategoria teknologji mobile për ambasada” për blerjen e veturave të reja.

“Ministria e Punëve të Jashtme është gjendje të dobët në kuptim të veturave,” shpjegoi Artan Behrami, këshilltar në ministri.

Ai nuk saktësoi kohën kur ministria do t’i blejë veturat, as sasinë e tyre. “Ajo i ka vetëm disa vetura dhe ato janë të vogla, prandaj, blerja e veturave të reja është më se e nevojshme,”tha ai.

Gjithashtu, edhe Ministria e Integrimit dhe Ministria e Diasporës bënë rialokime të fondeve për të njëjtat qëllime.

Në nëntor të vitit 2011, Mistria e Arsimit shpenzoi 100,000 euro për vetura Hyundai për tre zëvendësministrat dhe sekretarin e përgjithshëm.  Ministria u arsyetua se veturat ekzistuese ishin shumë të vjetra.

Sipas një kontrate për mirëmbajtje të veturave të lëshuar vitin e kaluar, Zyra e Kryeministrit tani ka një flotë prej gjashtë veturave Mercedes, katër Touareg, tre BMW, si dhe 15 vetura të markës Nissan dhe Kia Sportage.

Një auditim i llogarive të Ministrisë së Financave për vitin 2010 zbuloi se për ministrin dhe zëvendësministrin janë blerë dy vetura superluksoze Mercedes në vlerë prej pak më pak se 100,000 euro. Duke shkelur ligjet e prokurimit, tenderi është shpallur ashtu që të mund të ofrohet vetëm një tip specifik Mercedes, e jo një gamë më e gjerë e veturave të ngjashme.

Me rezervuarë të zbrazët

Në raportin financiar për vitin 2011, të publikuar muajin e kaluar nga Ministri i Financave Hamza, është vërejtur se qeveria ka shpenzuar 23 milionë euro në karburante atë vit, për 5 milionë më shumë sesa në vitin 2010.

Kjo shifër në vitin 2007, para se të jepte premtimin e tij Kryeministri, ishte 8 milionë.

“Një nga vendimet e para të Kryeministrit në janar të vitit 2008 ishte ulja e shpenzimeve në nivel qendror dhe lokal [në vetura dhe karburante],” kujton Petrit Zogaj, nga organizata kundër korrupsionit Lëvizja Fol.

“Ai premtoi se ministrat do ecnin deri në punë. Por një vendim i tillë nuk u zbatua kurrë, madje as edhe për një ditë,” shtoi ai. “Në vend të kësaj, shpenzimet janë rritur çdo vit.”

Gazeta Jeta në Kosovë kontrolloi një numër auditimesh të kryera vitin e kaluar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për të gjetur dëshmi të shpërdorimit të veturave zyrtare.

Ne zbuluam se në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, shpenzimet e karburantit ishin mbi nivelet e parapara në buxhet dhe se mungonin autorizimet për përdorimin e veturave, [dhe] regjistrat e udhëtimit nuk janë plotësuar saktë për sa i përket kilometrazhit”. 

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, këshilltarja e ministrit kishte përdorur një veturë Renault Clio jashtë orarit të punës pa aprovim të Sekretarit të Përhershëm apo të Ministrit. Në periudhën ndërmjet 20 janarit deri më 6 mars 2012, ai kishte udhëtuar 1,585 km pa plotësuar formularët e udhëtimit dhe nuk kishte mbajtur shënime të destinacioneve dhe qëllimeve të udhëtimit. 

“Përdorimi i veturave zyrtare pa aprovim përkatës, shënime të destinimit dhe qëllimit, vetëm sa rrisin rrezikun se veturat e ministrisë përdoren për qëllime private,” shkruante auditori.

Për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, auditori kishte raportuar: “Në 12 mostra të testuara për periudhën shkurt-dhjetor, kemi vërejtur se fletëkërkesat për përdorim të veturave nuk janë plotësuar me të dhënat e nevojshme (qëllimi i udhëtimit, destinimi, koha e nisjes/kthimit nga udhëtimi, etj).”

Mospërputhje në faturat e karburantit janë gjetur në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, si dhe në Ministrinë e Transportit. “Raportet për shpenzimet për karburante nuk paraqitnin një pasqyrë të vërtetë dhe të drejtë të shpenzimeve të shkaktuara për vitin 2010”, shkruante auditori.

“Gjersa gjysma e shtetasve të Kosovës jetojnë në varfëri, udhëheqësit e shtetit në nivel qendror dhe lokal përjetojnë jetë luksi, duke blerë vetura të shtrenjta”, tha Avni Zogiani, nga Organizata Çohu, e cila monitoron korrupsionin.

Veprimet e qeverisë japin përshtypje negative edhe për bashkësinë ndërkombëtare, shtoi Zogiani.

“Kryetarët e komunave si dhe zyrtarët qeveritarë në shtetet më të zhvilluara shkojnë në punë me tren dhe në disa raste edhe me biçikleta,” theksoi ai. “Një gjë e tillë nuk ndodhë kurrë në Kosovë.”

Planet për përcjelljen e veturave qeveritare me pajisje GPS me qëllim të uljes së shpërdorimeve të tilla janë nisur qysh më 2010, mirëpo Ministria e Administratës Publike, e cila drejtonte këtë proces, nuk ishte në gjendje të ofronte shpjegime se sa këso pajisjesh janë instaluar, nëse ka pasur të tilla.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Qeveria ka rritur shpenzimet në këtë drejtim sepse gjithashtu është rritur kapaciteti i punës. “Qeveria jonë ka punuar më shumë se sa ajo e mëparshmja, prandaj, nëse e krahasojmë punën, është e qartë se de nuk kemi rritur shpenzimin”.

Veturat e vjetra shiten lirë

Në ankandin e fundit publik të veturave zyrtare të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2011 janë shtiru 172 vetura të padëshiruara, duke gjeneruar 234,000 euro, tha Arta Istrefi, zëdhënëse në këtë ministri.

Kjo rezulton në më pak se 1,300 euro për veturë – pazar i mirë. Çmimi më i lirë për një veturë ishte 117 euro, gjersa çmimi më i shtrenjtë i paguar ishte 4,582 euro

“Çmimet nuk caktohen nga Ministria e Tregtisë, ato caktohen nga secili institucion që aplikon për shitje të veturave të tyre,” tha Istrefi.

Ndërkohë, asnjë institucion zyrtar në Kosovë nuk duket të jetë në gjendje të tregojë numrin gjithsej të veturave në pronësi qeveritare.