FOTO: ANP "Adem Jashari"

Fluturime shtesë Kosovë-Zvicër, Autoriteti i Aviacionit Civil zgjeron rrjetin me kompaninë 'GP Aviation'

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) të Kosovës ka bërë të ditur se ka përzgjedhur kompaninë ajrore të Bashkimit Europian “GP Aviation” për të mundësuar fluturime shtesë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Sipas AAC-së fluturimet me kompaninë “GP Aviation” do të nisin nga data 24.06.2024 në destinacionet Prishtinë – Cyrih dhe Prishtinë – Bazel, kurse nga data 03.07.2024 në destinacionin Prishtinë – Gjenevë.

“Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka kënaqësinë të njoftojë publikun se për herë të parë Kosova po realizon zgjerimin e rrjetit të rrugëve ajrore ndërkombëtare me fluturime shtesë nga Kosova për në Zvicër përmes një operatorit ajror të BE-së të emëruar për shërbime të transportit ajror sipas kritereve dhe kushteve në interes të publikut dhe qytetarëve të të dyja vendeve, duke ofruar orar të rregullt të fluturimeve dhe çmime konkurruese, si dhe zhvillimin e konkurrencës së drejtë në tregun e shërbimeve ajrore ndërmjet dy shteteve”- thuhet në njoftim e AAC-së në Facebook.

AAC thotë se procesi i përzgjedhjes së operatorit ajror të emëruar “është zhvilluar në mënyrë transparente përmes publikimit të shprehjes së interesit me kritere specifike për ofrimin e shërbimeve ajrore për publikun në përputhje me marrëveshjen bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Helvetike.”

“Pas procesit të aprovimit të planit të fluturimeve nga ana e autoriteteve zvicerane, operatori ajror i emëruar “GP Aviation” ka arritur të organizojë fillimin e shërbimeve ajrore nga data 24 qershor 2024 në destinacionet  Prishtinë – Cyrih, Prishtinë – Bazel dhe anasjelltas, si dhe nga data 3 korrik 2024 në destinacionin Prishtinë – Gjenevë dhe anasjelltas”- thuhet në njoftim.

AAC thotë se ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën, për diasporën  në Zvicër, për qytetarët e Zvicrës dhe të Kosovës, sepse sipas tyre, janë krijuar mundësi më të mëdha të udhëtimit dhe me bileta më të lira në mes të të dyja shteteve.

Sipas AAC-së ky zhvillim është pjesë e objektivave dhe strategjisë më të gjerë të AAC-së dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar rrjetin e saj ndërkombëtar të rrugëve ajrore dhe për të ofruar më shumë mundësi udhëtimi për qytetarët e Kosovës.

AAC-ja thotë se mbetet e përkushtuar që të shtyjë zhvillimin e aviacionit civil në shërbim të qytetarëve, me synimin që në një të ardhme të afërt të vendi të ketë edhe një kompani ajrore vendore.