Pallati i Drejtësisë

Shqetësime në Kosovë lidhur me shtytjen e qeverisë për vetting

Ka një shqetësim në rritje në Kosovë lidhur me kursin e qeverisë që ndërlidhet me iniciativën për vetting të gjyqtarëve dhe prokurorëve, iniciativë kjo e cila, nëse keqpërdoret, mund të rezultojë si një dështim.

Një iniciativë e qeverisë në Kosovë për një proces vettingu të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë po përballet me rezistencë, jo më pak se  edhe nga vetë Bashkimi Evropian.

Kryeministri, Albin Kurti, hodhi për herë të parë idenë e një procesi vettingu gjatë mandatit të tij të parë jetëshkurtër si kryeministër në fillim të vitit 2020, duke krijuar një grup pune për të shqyrtuar këtë mundësi.

I riinstaluar në mars të këtij viti, kryeministri e ringjalli të njëjtën iniciativë muaj më vonë kur i tha kabinetit të tij se donte një sistem drejtësie të pajisur me “profesionistë dhe njerëz me integritet”.

Mirëpo, ndërkohë që disa po e vënë në dyshim ambicien, shumë të tjerë janë të shqetësuar mbi metodat që duhet aplikuar.

“Çdo ftesë nga kryeministri dhe ministria e drejtësisë për të rritur urgjentisht besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë përballet me rezistencë nga aktorë jashtëinstitucionalë, të tillë si komuniteti i donatorëve, media dhe shoqëria civile, të cilët janë kryesisht të shqetësuar për shkeljen e parimit të pavarësisë së gjyqësorit”, deklaroi Arben Kelmendi, menaxher i projektit në Institutin Demokratik të Kosovës, KDI, me seli në Prishtinë.

Ndërkohë që një proces vettingu është i dëshirueshëm, tha ai, i njëjti duhet t’i përfshijë të gjithë aktorët përkatës në mënyrë që të jetë kredibil.

Mjeti për “shpresën e fundit”

Kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 pas gati një dekade nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, BE-ja vendosi një mision të ‘sundimit të ligjit’ për t’u siguruar që institucionet e saj të drejtësisë të pamjaftueshme financiarisht të ishin në lartësinë e detyrës.

Megjithatë, në raportin e tij të progresit mbi ambicien e Kosovës për t’iu bashkuar një ditë bllokut të BE-së, krahu ekzekutiv i BE-së, Komisioni Evropian, e përshkroi Kosovën si ende “në një fazë të hershme” të krijimit të një sistemi gjyqësor që funksionon mirë. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë mbetet i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimit të panevojshëm politik,” tha ai.

Megjithatë, ishte i kujdesshëm për meritat e një procesi verifikimi për të hequr qafe gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ose ata me performancë të dobët, një proces që po vazhdon në Shqipëri përgjatë pesë viteve të fundit.

“Pranimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është një burim shqetësimi serioz,” tha Komisioni në fjalë.

“Një proces i tillë duhet të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e fundit, pasi të jenë ezauruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të garantuar integritetin dhe luftimin e korrupsionit të zyrtarëve gjyqësorë dhe duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare si dhe me këshillën e Komisionit të Venecias.”

Ambasadori Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se vettingu duhet të jetë mjeti i fundit.

“Kosova ka mjete të mira për të matur integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ka mjete për të matur performancën e tyre”, tha ai të premten për TV Dukagjini në Prishtinë.

“Ne nuk e shohim vettingun si diçka që duhet të jetë gjëja e parë për t’a përmirësuar sistemin e drejtësisë. Vettingu është mjeti i fundit. Prandaj, nëse asgjë nuk funksionon, atëherë duhet të merret parasysh vettingu”.

“Në Shqipëri, vettingu ka zgjatur pesë vjet dhe nuk ka përfunduar ende. Nuk besoj se vettingu në Kosovë do të përmirësonte sistemin e drejtësisë”.

Avokati kosovar Arbër Jashari vuri theksin tek paralajmërimi i Szunyog.

“Ne të gjithë jemi për një sistem drejtësie më të mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse nuk mund të hyjmë në procese duke mos ditur se ku mund të na çojnë ato,” tha ai për BIRN.

“Ndoshta prania e komunitetit ndërkombëtar, jo vetëm në rolin e monitoruesit, do t’i japë një lloj legjitimiteti procesit, prapë, edhe kjo nuk është ndonjë garanci.

Raporte të tensionuara mes partisë në pushtet dhe prokurorëve

Partia Vetëvendosje e Kurtit ka dalur nga një lëvizje e cila kishte kundërshtime të shpeshta me ligjin gjatë protestave kundër negociatave me Serbinë për statusin e ardhshëm të Kosovës në vitet para shpalljes së pavarësisë së saj.

Teksa ishte në opozitë, Vetëvendosje – që nënkupton ‘vetëvendosje’ – shpesh i kishte akuzuar gjyqtarët dhe prokurorët për dështim në luftimin e korrupsionit dhe e kishte denoncuar ndjekjen e zyrtarëve të saj, përfshirë vetë Kurtin.

Marrëdhëniet e këtilla mbeten të tensionuara dhe shpërfaqën javën e kaluar kur një portal mediatik kosovar, Paparaci.com, publikoi një hetim rreth një marrëveshjeje të supozuara gojore ndërmjet një prokurori dhe një ish-shefi të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për dy agjentë që jepnin “dëshmi të rreme” kundër një numri liderësh të Vetëvendosjes. të cilët u përmendën në një çështje gjyqësore në lidhje me organizatën ‘Syri i Popullit’.

Një numër i anëtarëve të dyshuar të organizatës janë në gjyq, të akuzuar për plagosjen e avokatit të shquar Azem Vllasi dhe për komplotin për të vrarë një mori liderësh politikë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi.

Sipas raportit, dëshmia e dy agjentëve të lartcekur u përdor më vonë nga Thaçi për ta akuzuar Kurtin dhe kolegun e tij partiak dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca për ‘lidhje me terrorizmin’.

Pas publikimit, zëvendësministri i Drejtësisë Blerim Sallahu përmes faqës së tij në Facebook doli me kërkesën për ndryshim.

“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale. Është nevojë urgjente që kjo situatë të ndryshojë”, tha Sallahu.

“Përveç një mekanizmi verifikimi, është shumë e rëndësishme që të ketë ndryshime në legjislacion që eliminojnë piramidat kriminale.”.

Disa orë më vonë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke u shprehur me indinjatë, i denoncoi komentet e Sallahut si “linç”.

“Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklarata të tilla, ne do të ndalojmë çdo komunikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional”, ishte deklarata e bërë nga Këshilli.

Dy ditë më vonë, prokurorët u larguan nga një grup pune për reformën në drejtësi që përfshinte përfaqësues të ministrisë së drejtësisë.

Kelmendi tha se nisma e vettingut ka qenë një nga arsyet e përkeqësimit të marrëdhënieve.

“Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Drejtësisë, duke pasur parasysh se premtimi i tyre kryesor elektoral për sundimin e ligjit nuk mund të realizohet pa mbështetjen e plotë të prokurorisë dhe gjyqësorit, janë në kërkim të modaliteteve për promovimin e reformave në drejtësi,” tha ai.

Megjithatë Kurti duket i vendosur për të vazhduar tutje.

“Nuk ka më dilema nëse vettingu duhet të bëhet sepse do të garantojë rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia”, tha Kurti të mërkurën në takimin e grupit të punës për vettingun, i cili u ul pa përfaqësues të gjyqtarëve apo prokurorëve.

“Ne kemi nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë me integritet,” tha ai. “Konsideroj se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe pjesëmarrja e ekspertëve dhe shoqërisë civile në grupe të tilla pune është e nevojshme sepse reforma [atëherë] ka karakterin e saj gjithëpërfshirës”.

Të sigurohet që “të gjithë aktorët përkatës” të jenë të përfshirë

Në një sërë raportesh, KDI, pjesë e të cilit është Kelmendi, vazhdimisht ka konstatuar se arsyeja e besimit të ulët të publikut në punën e gjyqësorit është “ndikimi i jashtëm i interesave dhe grupeve politike”.

“Qytetarët e ndjejnë mungesën e drejtësisë në lëkurën e tyre, çdo ditë, në secilën prej fushave që jetojnë dhe punojnë”, tha ai.

“Kjo reflektohet më së miri në mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Nën një qeveri të mëparshme të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, tashmë në opozitë, KDI udhëhoqi grupin punues përgjegjës për hartimin e një koncept-dokumenti për vettingun.

Kelmendi beson se vettingu është i domosdoshëm. Gjithçka që duhet bërë, tha ai, është “të sigurohet që të gjithë aktorët përkatës të jenë pjesë e tij, duke përfshirë lidershipin aktual gjyqësor dhe prokurorial, por edhe komunitetin ndërkombëtar, sepse procesi nuk do të jetë kredibil pa përfshirjen e tyre”.

“Një përfundim i suksesshëm i procesit të vettingut sigurisht që do të sillte përmirësime jo vetëm në performancën e institucioneve të drejtësisë, por edhe në funksionimin e sistemit aktual të vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai.

Por, sipas Kelmendit, ajo që i mungon Kosovës tani është debati i duhur për pavarësinë e degëve të pushtetit dhe cilat janë marrëdhëniet që sigurojnë kontrolle dhe balanca mes tyre.

“Për të qenë e suksesshme, reforma nuk duhet të udhëhiqet vetëm nga njerëz me integritet dhe etikë të lartë profesionale, por edhe të arrijë një nivel kritik brenda sistemit që do të garantonte qëndrueshmërinë e një sistemi drejtësie plotësisht të pavarur dhe efikas.”