Albert Zogaj, KGjK

Kryesuesi i KGjK-së e quan procesin e Vetting-ut 'pako të dëshirave të ministres Haxhiu'

Konferenca për media e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) ka vazhduar pas ndërprerjes nga protestuesit, për rastin e dyshimit të dhunimit të 11-vjeçares në qershor dhe gusht të këtij viti.

Në konferencë, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj foli për procesin e Vetting-ut, që e quajti “të pavlerë” dhe “pako e dëshirave të ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu”.

“Pakon e dëshirave të ministres së dërguar në Kuvend, një draft të dorëzuar në Kuvend që nuk e ka asnjë vlerë” – u shpreh kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.

Tutje,  Zogaj tregoi përkushtimin e  KGJK-së që të ruhet pavarësia e gjyqësorit.

“KGJK është e përkushtuar që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë kushtetuese që të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit” – tha Zogaj.

Paraprakisht, disa protestues kanë ndërprerë konferencën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me zhurmues duke pamundësuar vazhdimin e saj, të cilët refuzuan që të lejojnë që të vazhdojë konferenca pa kërkuar falje institucionet, në lidhje me rastin e së miturës.

Konferenca është ndërprerë gjatë deklarimit të Albert Zogaj, kryetar i KGjK-së, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

“Rasti i të miturës, një rast shumë i ndjeshëm dhe na bën tërë institucioneve me reflektu mirëpo ky rast nuk ka qenë asnjëherë në gjykatë” – tha Zogaj.

Këta protestues u shoqëruan jashtë objektit nga policia vendit, për të vazhduar më pas konferenca.

Të dielën, kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas një konferencë të mbajtur në ndërtesën e Qeverisë, e kanë dorëzuar te Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, dokumentin dhe dosjen për Vetting-un në drejtësi. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dosja e dokumentit të Vettingut po dorëzohet pas një pune intensive të kryer muajt e kaluar.

“Në vazhdimësi jemi dëshmitar të neglizhencës, mosveprimit dhe pa ndëshkueshmerisë. Gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohet se kanë pagat më të larta në rajon, për shkak të mosveprimet e tyre dhe veprimet e gabuara po vrahen gratë, po dhunohen seksualisht të miturit dhe korrupsioni madh mbetet pa u ndëshkuar”, tha Haxhiu.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

11-vjeçarja ka qëndruar 1 muaj në strehimore, prokuroria thotë se familja ka kërkuar lirimin e saj