Foto: Ilustrim

Shkeljet e Komunës së Skenderajt në tenderë e në menaxhim të kontratave

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka hasur disa mangësi në menaxhimin e kontratave dhe procesin e prokurimit nga ana e Komuna e Skenderajt.

Auditori ka gjetur në dy kontrata publike tejkalime të vlerës indikative së kontratave. Kjo shkelje është gjetur tek kontrata: “Furnizimi me mallra dhe shërbime për nevojat e drejtorive të Komunës së Skenderajt”, e nënshkruar më datë 14 shtator 2017.

Në raportin e vitit 2019, thuhet se vlera indikative e kontratës është 13,720 euro, përderisa vlera totale e pagesave është 43,813 euro, pra ka tejkalim mbi vlerën 30% në vlerë prej 25,977 euro.

Tejkalim të vlerës mbi 30 për qind është hasur edhe në kontratën e titulluar “Furnizim me material zyrtar për Komunën e Skënderajt” e datës 16 gusht 2017. Vlera indikative e së cilës është 110,380 euro përderisa vlera totale e pagesave është 197,695 euro dhe ka tejkalim në vlerë prej 54,201 euro.

Përveç kësaj, Auditori ka hasur paqartësi të vlerave në dy kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve në sezonin dimëror përkatësisht në muajin dhjetor 2017 dhe janar të 2018-es.

Sipas raportit, ishin të paqarta sa i përket vlerës së tyre, ngase në kuadër të paramasës dhe parallogarisë së tyre ka pozicione ku ishin paraparë çmimet për sasi indikative po ashtu çmime për një njësi (sasia 1).

“Kjo e bën të paqartë nëse shuma totale tek specifikacioni i çmimeve duhet të jetë vlerë e kontratës apo vlera e kontratës duhet të jetë vlera e parashikuar e saj.

Kjo po ashtu e bën më të vështirë edhe menaxhimin e këtyre kontratave. Kontrata ‘’Mirëmbajta e rrugëve në sezonin dimëror në Komunën e Skenderajt” Lot I dhe II. Kontrata për lotin I e datës 19.12.2017 kishte vlerë indikative e kontratës është 8,606€, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ishte 170,000€. Kurse, kontrata e lotit II e datës 31.01.2018, ku vlera indikative e kontratës është 7,423€, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ishte 170,000€”.

Si rrjedhojë e këtyre mangësive, auditori ka konstatuar se nënshkrimi i kontratave të paqarta sa i përket çmimit dhe sasive, e bën të vështirë menaxhimin e tyre dhe mund të shpie në tejkalimin e tyre përtej planifikimit.

Derisa tejkalimi i vlerës tek kontratat kornizë përveç dëmtimin e buxhetit të komunës me pagesa të parregullta, mund të rezultojë edhe me mungesë të buxhetit për realizimin e projekteve tjera të parapara.

“Kryetari i komunës duhet sigurohet se gjatë përgatitjes së kontratave publike kornizë nga zyra e prokurimit, të përcaktohen saktë njësitë dhe çmimet e kontratave, devijimi +/-30% të përcaktohet në vlerën indikative e jo në vlerën eparashikuar të kontratës, si dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme që përmes raporteve periodike nga menaxherët e kontratave të mënjanohen tejkalimet eventuale të kontratave”, ka rekomanduar Auditori i Përgjithshëm.

Në anën tjetër, auditori ka evidentuar dy raste në të cilat pagesat janë ekzekutuar në mungesë të raporteve të menaxherëve të kontratave.

“Pagesa në vlerë 5,360€, ku pjesë përbërëse të lëndës janë 25 fatura, në bazë të kontratës “Furnizim me ushqim dhe pije, material higjeniko-sanitar”, dhe Pagesa në vlerë 3,843€ në bazë të kontratës “Furnizimin me mallra dhe shërbime për nevojat e drejtorive në komunë”, janë gjetjet e auditorit.

Sipas auditorit, për pagesën e parë menaxheri është arsyetuar në atë që nuk e ka parë të arsyeshme bërjen e raportit, kurse për pagesën e dytë ishte për shkak që kontrata nuk ka pasur menaxher në kohën kur është bërë furnizim.

Mos hartimi i raporteve nga menaxherët e kontratave, sipas auditorit, mund të ndikojë në menaxhim të dobët të kontratave si dhe mund të rezultojë me pagesa të pa rregullta.

“Kryetari duhet të siguroj që menaxhimi i kontratave bëhet përmes hartimit të raporteve nga menaxherët përkatës për çdo lloj shërbimi dhe furnizimi, dhe se asnjë pagesë të mos ekzekutohet pa u siguruar dëshmitë e mjaftueshme se dispozitat e kontratës po zbatohen nga ana e operatorëve ekonomik (OE)”, ka rekomanduar Auditori.

Në komunën që udhëhiqet nga Bekim Jashari është gjetur mangësi në procesin e prokurorimit përkatësisht gjatë procesit të vlerësimit të tenderit për dy aktivitete të prokurimit, nuk janë përdorur rrugët ligjore për kërkimin e dëshmive shtesë për sqarimin e tenderëve siç është formulari standard B47 “Kërkesë për sqarim të tenderit”.

“Në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me ushqim dhe pije, material higjeniko-sanitar për institucione të AK Skënderaj”, dëshmitë shtesë si raportet e pranimit dhe referencat për listën e kontratave të ngjashme të realizuara janë kërkuar përmes telefonit dhe janë pranuar kopje fizike. Për më tepër me rastin e përgatitjes së dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë nuk është respektuar neni 69 i LPP-së për kërkimin e dëshmisë e kërkuar dokumentare tek kapaciteti teknik dhe profesional”, thuhet në raport.

E rasti njëjtë është edhe në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me llaptop, kompjuter komplet, printerë, UPS, aparat digjital dhe pjesë të tjera, për AK Skënderaj”, dëshmitë shtesë të përvojës së menaxherit të projektit dhe marrëveshja për angazhimin e stafit profesional janë pranuar përmes emailit.

Në raportin e ZKA-së për vitin 2019 thuhet se këto kanë ndodhur për shkak të pakujdesisë së zyrtarit përgjegjës të prokurimit dhe mungesës së njohurive të komisioneve vlerësuese lidhur me kërkesat ligjore për sqarimin e tenderëve (kërkimin e dëshmive shtesë).

“Mos kërkimi i sqarimeve shtesë përmes rrugëve ligjore, rritë rrezikun që të pranohen dokumente të cilat nuk prezantojnë gjendjen ekzistuese para datës së publikimit të njoftimit për kontratë. Ndërsa, mos ndjekja e kërkesave ligjore të prokurimit gjatë përgatitjes së dosjes së tenderit/njoftimit për kontratë mund të ndikojë përmbushjen e kontratës në të ardhmen”, vijon tutje raporti.

Për këto mangësi, ZKA ka rekomanduar se kryetari “duhet të forcojë kontrollen në departamentin e prokurimit, për të siguruar që zyrtaret përgjegjës, të gjitha kërkesat për sqarime të tenderit dhe përgatitjen e dosjeve të tenderit/njoftimit për kontratë t’i bëjnë sipas kritereve të parapara ligjore”.