Sektori Publik Pushon 60-70 ditë në Vit

Pushim gjatë orarit të punës. Pushim vjetor. Pushim për festa. Pushim mjekësor. Pushim i lehonisë. Punëdhënësi kosovar paguan për krejt këto lloj pushimesh, gjithsej, 60 deri 70 ditë pune në vit Kjo d.m.th. se afërsisht tre muaj në vit, punëtorët e sektorit publik nuk punojnë.
Pushojnë zyrtarisht.

Pak më mirë është situata në sektorin privat, aty pushohet më pak a punohet më shumë. Duhet bërë pyetjet: A kemi treg të punës konkurrent? A jemi interesant për investitorët e huaj dhe ata të brendshëm? Në bazë të raporteve mbi interpretimin dhe implementimin njëvjeçar të Ligjit të Punës, del përgjigjja se nuk jemi konkurrent sa duhet, kemi treg të shtrenjtë të punës, sepse kemi tepër shumë pushime me pagesë në nivel ditor, mujor dhe vjetor.

Shumica e punëtorëve të sektorit publik në Republikën e Kosovës punojnë/ janë prezent në vendin e punës shtatë orë brenda një dite të punës, ose edhe më pak. Kjo d.m.th. se punëtorët publik paguhen për tetë orë punë në ditë, e punojnë më pak se 7 orë. Në nivel vjetor i bie diku 30 ditë pune më pak, ose me pushim shtesë prej një orë pune në ditë.

Këto ditë, ose orë mospune apo pushimi, gjithsesi kalkulohen si kosto e punës dhe paguhen nga publiku i gjerë, ose taksapaguesit, përmes buxheteve të ndryshme. Këto orë i shndërrova në ditë pune për ilustrim dhe perceptim më të mirë të kohëzgjatjes së pushimeve në nivel vjetor.

Nëse e kalkulojmë efektin financiar në shkallë vendi të këtij beneficioni të jashtëligjshëm, dalin harxhime në shifra milionëshe ose baras me vlerën e një pagese të rrogave publike totale një mujore për vitin e kaluar. Ta bëjmë së bashku një llogari të thjeshtë matematikore: Minus 1 orë pune herë 5 ditë në javë, herë 4 javë në muaj, baras me 20 orë në muaj, herë 12 muaj në vit, baras me 264 orë pune në vit.

Këtë shumë e pjesëtojmë me 8 orë pune në ditë del baras me minus 30 ditë pune në vit. Kuptohet se këto ditë nuk mundën teknikisht të shfrytëzohen si pushim i plotë tërëditor, por realisht është pushim me pagesë, prej plot 264 orë ose 30 ditë pune në vit.

Kjo gjithsesi duhet të shihet dhe paraqitet si kosto që është e pashmangshme në planifikim të biznesit, buxheteve dhe në evidencë kontabël. Punëtorët gjatë kësaj kohe nuk kryejnë punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit, siç kërkohet me Ligj. Gjatë kësaj kohe ata pushojnë, marendojnë, drekojnë, mësojnë, pinë cigare, telefonojnë, vizitojnë, kryejnë punë private, shëtisin etj,. Pushim gjatë orarit të punës i thonë keqinterpretuesit e Ligjit të Punës. Ligji thotë se i punësuari ka të drejtë për pushim gjatë ditës së punës, me orar të plotë të pandërprerë të punës, në kohëzgjatje më së paku prej 30 minutash, i cili nuk mund të caktohet në fillim apo në mbarim të kohës së punës.

Ky pushim, me ligj, parashihet si masë mbrojtëse gjatë ditës së punës me orar të plotë, e jo gjatë orarit të punës dhe kërkohet të zbatohet, nëse punëdhënësi kërkon që të punohet në një vend pune me orar të plotë të punës pandërprerë. Orari i plotë për ditë të punës, sipas ligjit, është 40 orë në javë, pjesëtuar me 5 ditë pune në javë, është baras me 8 orë pune.

Ligji i Punës e ka paraparë këtë masë mbrojtëse prej gjysmë ore që të zbatohet diku nga mesi i orarit të punës, nëse punëdhënësi vendos orar të pandërprerë, për vend të caktuar të punës. Kjo nuk duhet të interpretohet se vlen kolektivisht për krejt vendet e punës në një ndërmarrje, institucion ose në nivel kombëtar. Nëse për shembull punëdhënësi e ka paraparë dhe publikuar me vendim orarin me 4 orë punë, mandej një orë pushim dhe prapë 4 orë punë, brenda ditës së punës, kjo masë mbrojtëse nuk ka nevojë të aplikohet, sepse punëdhënësi është kujdesur që brenda ditës së punës me orar të plotë të punës të ketë pushim ditor prej një ore.

Ligji më tutje thotë se koha e këtij pushim mbrojtës, nëse aplikohet, konsiderohet si kohë e kaluar në punë. Por ligji nuk thotë se është beneficion i obliguar dhe se pushimi në fjalë duhet të paguhet patjetër. Konkludoj se Ligji i Punës është keqinterpretuar dhe masa eventuale mbrojtëse e pushimit të obliguar ditor është kthyer në beneficion gjeneral gjatë orarit të punës për gjithë punëtorët. Ky fakt direkt ka kontribuar që bizneset dhe vendi jonë automatikisht të bëhet jokonkurrent përmes tregut të punës së shtrenjtë dhe interpretimit joprofesional të Ligjit të Punës.

Nëse dikush nuk beson në këtë konkludim, pyetni drejtorët e departamenteve të resurseve humane në bankat komerciale të Kosovës, të cilat janë detyruar që në bazë të interpretimeve të gabueshme të Ligjit të Punës nga ana e Inspeksionit të Punës të organizojnë një orar jouniform, të shkurtuar, me pushim prej gjysmë ore të paguar, brenda ditës së punës me orar të plotë. Pushimi vjetor i rregullt që është i garantuar me ligj prej së paku 20 ditë, plus edhe ndonjë ditë në çdo 5 vjet të përvojës së punës. Ka raste kur punëtorët apo sindikatat negociojnë dhe arrijnë të shfrytëzojnë edhe disa ditë më tepër, përmes kontratave kolektive, duke iu referuar kushteve të punës, përvojës së punës etj.
Pushimi për Festat zyrtare iu mundëson punëtorëve edhe një pushim super ekstra prej së paku 10 ditë pune në vit.

Konkludoj se me numër të madh të Festave zyrtare kontribuojmë që bizneset tona të mos jenë konkurrente. Pushimi mjekësor i paguar deri 10 ditë, me 70% nivel të pagesës, sikurse të kesh punuar, është një pushim super ekstra plus.

Shumica e punëtorëve pushimin mjekësor e shfrytëzojnë sikur të ishte pushim vjetor shtesë. Përmes aprovimit me heshtje të sindikatave shumë punëtorë këtë obligim për kompensim e konsiderojnë dhe e trajtojnë si obligativ dhe se duhet të shfrytëzohet edhe nëse janë shëndosh e mirë. Nëse nuk e shfrytëzojnë nënkuptohet se punëdhënësi u ka mbetur borxh disi. Pushimet mjekësore në shumicë dhe pa kontroll na bëjnë që të jemi jokonkurrentë.

Bilanci i përgjithshëm i gjithë këtyre pushimeve del se është hiq ma pak se 60 deri 70 ditë pune Kjo tregon se afërsisht tre muaj në vit punëtorët e sektorit publik kosovar nuk punojnë/ pushojnë.

Këtë pushim e arrijnë duke i kombinuar këto orë dhe ditë pushimi me pushimet e ditës, fundjavës, mjekësore, vjetore dhe festive. Kuptohet se ky bilanc është pak më i varfër për punëtorët e sektorit privat, por është duke u influencuar dhe ka presione që të balancohet me sektorin publik. Pushimin e lehonisë do ta trajtoj jashtë bilancit të mësipërm, për arsye se nuk përsëritet çdo vit. Ligji i Punës thotë se femra e punësuar gëzon të drejtën për 12 javë të pushimit të paguar të lehonisë. Kjo periudhë përfshin 6 javë të pushimit të detyrueshëm nga dita e lindjes së fëmijës. Kjo i bie 60 ditë pune me pagesë në nivel prej 70% të pagës së realizuar në vitin e fundit, që prapë është në ngarkesë të punëdhënësit duke e ngritë edhe më lartë nivelin e jokonkurrueshmërisë.
Kushtetuta e Kosovës thotë se shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës.

Pagesa e rrogave mujore për punëtorët publik për punën e bërë është shpenzim publik Parimet e Kushtetutës si llogaridhënia, efektshmëria, efikasitetit dhe transparenca duhet të kuptohen drejt, të merren parasysh dhe implementohen mirë dhe sakët, përndryshe nga ky neglizhim po rezulton që të jemi një vend jokonkurrent. Po del se kosovarët harxhojmë afërsisht 3 muaj në vit për pushime të ndryshme. Ligji i Punës thotë Orari i punës nënkupton periudhën kohore, gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit. Orari i plotë i punës zgjat 40 orë në javë. Pra po del se Kushtetuta dhe Ligji po na urdhërojnë ndryshe, ndërsa realiteti i interpretimit dhe implementimit në praktikë po del krejt ndryshe. Andaj mund të konkludoj se Kushtetuta dhe Ligji i Punës po keqinterpretohen dhe keqimplementohen në dëm të konkurrueshmërisë së biznesit dhe të shtetit të Kosovës.

Ata që mendojnë se janë duke kontribuar apo përfituar nga kjo situate me mënyrën e interpretimit të Kushtetutës dhe zbatimit të Ligjit të Punës e kanë gabim, pra mashtrohen keq. Ata realisht janë duke na shkaktuar humbje të përgjithshme duke na bërë shtet jokonkurrent sepse nuk janë duke e kuptuar esencën e problemit ose e bëjnë këtë me paramendim dhe me qëllim të keq. Konkurreshmëria e bizneseve dhe e vendit ndikon indirekt në gjenerimin apo humbjen e vendeve të punës, mirëqenien dhe qetësinë sociale për të cilën gjë duhet të brengosen më së shumti politikanët.

Ekonomistët e dinë se ngritja e nivelit të kostos së punës ndikon drejtpërdrejt në uljen e nivelit të konkurrueshmërisë së biznesit dhe të vendit. Nëse një biznes falimenton, humbësit e parë të sigurt janë punëtorët të cilët mbesin pa punë. Në ditët e sotme krijimi i një mjedisi konkurrues në të bërit biznes është duke u bërë gjithnjë e më i rëndësishëm në ngritjen e nivelit të konkurrueshmërisë së bizneseve vendore dhe në tërheqjen e IHD-ve (Investimeve të huaja direkte) si shtet.

Në epokën e globalizimit dhe liberalizimit të tregtisë, ndërmarrjet duhet të jenë të afta që të konkurrojnë brenda dhe jashtë vendit. Ka faktorë të shumtë që përcaktojnë konkurrencën e tregut të punës. Faktor kyç është shfrytëzimi efikas i kohës së punës. Këto përfshijnë disponueshmërinë e burimeve njerëzore, koston e punës dhe të kapitalit njerëzor si rezultat i edukimit dhe trajnimit.

Sa më konkurrente që të jetë një ekonomi përmes tregut të saj të punës, ka shumë të ngjarë se vendi do të fitojë nga pjesëmarrja në konkurrencë në tregun global. Sot vendet e zhvilluara dhe vendet me ekonomitë në zhvillim po përballen me një mjedis konkurrues progresiv në një botë me ndryshime të shpejta teknologjike. Për të konkurruar dhe gjetur shpëtim, ato kanë nevojë për të ristrukturuar aktivitetet e tyre, objektivat dhe aftësitë për tu ballafaquar me ndryshimet e shpejta teknologjike dhe konkurrencën në përgjithësi.

(Letër e një lexuesi e ardhur në adresën elektronike të Gazetës JnK)